“SafeJournalist”: Siguria e gazetarëve u rrezikua nga policia gjatë protestës së 24 janarit
Siguria e gazetarëve që raportuan nga protesta e 24 janarit në Tiranë u vu në rrezik për shkak të përdorimit të mjeteve të shpërndarjes së turmës në zonat ku ata po kryenin detyrën profesionale, sipas një deklarate të publikuar nga Rrjeti “SafeJournalists”.
“Përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion në hapësira ku ndodheshin gazetarë dhe kameramanë përbën rrezik serioz për sigurinë e tyre dhe pengon ushtrimin e lirë të profesionit”, thuhet në deklaratën e rrjetit shpërndarë për mediat mesditën e 26 janarit.
Sipas rrjetit, këto veprime krijojnë kushte të pasigurta për raportim dhe cenojnë të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
“Autoritetet duhet të sqarojnë nëse protokollet për mbrojtjen e gazetarëve janë respektuar dhe të marrin masa për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen”, sqaron deklarata.
Protesta e 24 janarit në Tiranë, e organizuar nga Partia Demokratike, u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, ku policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës. Gazetarë dhe kameramanë raportuan nga afër zhvillimet në terren, ndërsa në disa raste mjetet e ndërhyrjes u përdorën në zona ku ndodheshin edhe përfaqësues të mediave.
Sipas deklaratës, raportimet në media për përdorimin e spray-t ndaj një fotoreporteri dhe përdorimin e ujit me presion ndaj një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës ilustrojnë rreziqet me të cilat përballen gazetarët gjatë mbulimit të tubimeve publike.
Rrjeti nënvizon se çdo rrezikim i gazetarëve përbën kërcënim për lirinë e medias dhe funksionimin e demokracisë.






