Vizita e Ivanka Trump në Zvërnec dhe mikpritja e personalizuar nga kryeministri, ngre pikëpyetje. A është ky një tjetër episod ku bisedat e fshehta me Ramën i paraprijnë pazareve?
Java që lamë pas solli një tjetër konfirmim se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për vizita “miqësore” të figurave me peshë globale. Por disa prej këtyre vizitave vetëm sa nisin me buzëqeshje dhe foto në Instagram, se pastaj mbyllen me marrëveshje që shqiptarët i kuptojnë gjithmonë me vonesë
Këtë herë, në qendër të vëmendjes ishte Ivanka Trump, vajza e njeriut më të fuqishëm të botës, presidentit të SHBA-ve Donald Trump.
Ndryshe nga bashkëshorti i saj, Jared Kushner, i cili duket se preferon privatësinë dhe izolimin që ofron ishulli i Sazanit, Ivanka Trump i ka hedhur sytë nga plazhi i Zvërnecit, në Vlorë. E shoqëruar nga një grup arkitektësh, ajo qëndroi një mbrëmje në qytet dhe eksploroi nga afër zonën, duke shpërndarë edhe disa foto në Instagram, të shoqëruara me diçiturën: “Shqipëria magjike”.

Kurioziteti përreth Ivanka Trump ishte i pazakontë për detaje në sjelljen e saj. Mediat raportuan se në restorant, ajo kishte ngrënë pak pasta të ziera, një sallatë dhe fileta peshku. Thuajse të gjitha televizionet pasqyruan me shpejtësi intervistën e të zotit të restorantit që kishte thënë se “Ivanka Trump ishte një vajzë shumë e thjeshtë”, sikur thjeshtësia në menu të jetë garanci për pastërtinë e qëllimeve të biznesit në vendin tonë.

Po me të njëjtën vëmendje u përcoll edhe vizita e saj në Kryeministri. Kamerat kapën momentin kur Edi Rama priste në shkallët e godinës, përqafimin e ngrohtë dhe përcjelljen ceremoniale për vajzën e preferuar të presidentit amerikan. Një skenografi e kuruar me kujdes, për një publik që tashmë i njeh këto rituale.
Sepse këto detaje, këto vizita të miqve të Edi Ramës, të rikujtojnë skema tashmë të provuara, ku në fund zbulohet gjithmonë një kleçkë, një hile biznesi, një pazar i heshtur nga i cili shqiptarët dalin përherë të humbur. Shembujt nuk janë të paktë dhe personazhet që afrohen kanë një të përbashkët: ata vijnë si “miq ndërkombëtarë” të Edi Ramës, ulen për të ngrënë ndonjë peshk, bëjnë një foto me kryeministrin dhe kjo mjafton për të hapur rrugën e një pazari të mirë, për të cilin shqiptarëve u kërkohet të ndihen krenarë.
Toni Blair, peshk dhe qindra mijëra euro nga Thesari i Shtetit

Në gusht të vitit 2016, në vilën qeveritare të Dhërmiut, nën hijen e pemëve, përpara pjatave me peshk dhe gotave me verë të bardhë, Edi Rama u shfaq për publikun shqiptar si mik i afërt i ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Rama me bluzë me mëngë të shkurtra, Blair me këmishë të zbërthyer për shkak të vapës, një skenë idilike miqësie mesdhetare.
Por ndërsa Tony Blair shfaqej si këshilltar “falas” i mikut të tij shqiptar, bashkëshortja e tij, Cherry Blair, kishte një qasje shumë më konkrete ndaj kësaj miqësie.
Përmes kompanisë së saj të këshillimit ligjor Omnia Strategy, Cherry Blair u pagua 300 mijë euro në vitin 2012, 645 mijë euro në vitin 2015 për këshillimin në arbitrazhin kundër Rapiscan Systems, 200 mijë euro të tjera në vitin 2018 dhe edhe 418 mijë euro në vitin 2022.
Pra, përpara dhe pas fotove miqësore, Thesari i Shtetit shqiptar vijonte të derdhej në mënyrë të rregullt.
Miqësia me Mohhamed bin Zayed dhe Mohhammed Alabbar

Në foton më lart, Edi Rama është duke darkuar me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Një tjetër mik i shtrenjtë i Edi Ramës, investimet e të cilit vijnë me lehtësira të konsiderueshme në Shqipëri.
Kush e kujton propagandën e turpshme mediatike që i parapriu investimit të “Durrës Marina”, duhet të mbajë mend pompozitetin me të cilin u shit ideja e investimeve arabe në vendin tonë.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama shprehej se sheiku Mohaed bin Zayed ishte një mik që po kthehej në Shqipëri në një moment “nevoje për popullin tonë”, sepse herën e parë kishte sjellë ndihma për shqiptarët e dëbuar nga lufta në Kosovë. Investimi në Durrës, thoshte Rama, bëhej për “të na mbështetur për Shqipërinë që duam”.

Edhe kur prezantoi Mohamed Alabbar, tregtarin tjetër arab që kishte projektuar dhe investuar për Burj Khalifa, Rama fliste me tone mallëngjyese për biznesin në Durrës. Ai tregonte se në një moment sinqeriteti Alabbari i kishte thënë që “mua në majë më ngjiti dashuria dhe mirënjohja e përjetshme për nënën time dhe unë do të vij dhe do të rrij në Shqipëri dhe do të të ndihmoj që njësoj si ka ndodhur me aq shumë familje dhe me aq shumë njerëz jo të pasur që sot bëjnë një jetë me mirëqënie të lartë në tokën time, të ndodhë edhe në tokën tënde”.
Fjalë zemre! Por pa asnjë lidhje me pazarin e fshehtë që u bë për Durrësin në Dubai. Për të ndërtuar kompleksin rezidencial luksoz, Alabbar investoi vetëm 160 milion euro në fillim. Ai përfitoi mbi 800 hektarë tokë shtetërore, iu falën taksat, iu dha ndihmë nga shteti për procedura të përshpjetuara me dokumentat, i dha falas infrastruktura e gatshme e ujit dhe e energjisë elektrike etj.
Humbja në xhepat e shqiptarëve është e dyfishtë. Pasi kanë humbur një copë nga qyteti i tyre që nuk do të jetë e aksesueshme, nga taksat tona do të paguhet për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Kostot llogariten të shkojnë gati 1 miliard euro. Edhe këtë projekt, pritet që Rama t’ia kalojë një kompanie me aksionerë arabë.
Miqësia me Xhorxhia Melonin, vizita me familjen në Vlorë

Plot bujë dhe zhurmë erdhi në vendin tonë edhe kryeministrja e Italisë, Xhorxhia Meloni.
Fotoja më lart është bërë në Vlorë, pas kafes së mëngjesit me “vëllain” e vogël. Këto ishin shprehjet e Ramës në rrjetet sociale për të treguar familjaritet me Melonët, që lanë pushimet në Puglia dhe erdhën me jaht në Vlorë.
“Motra e Shqipërisë, Vëllai i Italisë. FALEMINDERIT GIORGIA, ISHTE NJË NDER”,– shkruajti Rama në Facebook.
Ishin shumë ata që hapnin sytë: Çfarë aftësie paska pasur Edi Rama për të joshur gruan më të fuqishme të Italisë!? Cila është vallë ajo cilësi që e bën Ramën kaq tërheqës për politikanët e huaj?
Habia zgjati deri në nëntor, kur ai u shfaq papritur në Romë për të firmosur pa i dhënë llogari askujt një marrëveshje ekstra-territorialiteti me Italinë, për një territor në Gjadër. Italianëve u duhej për të ndërtua një burg për emigrantët e padëshiruar. Marrëveshja e negociuar në fshehtësi në Vlorë parashikonte që në këtë burg mund të izoloheshin deri në 3 mijë meshkuj afrikanë.
Shqipëria u dha ndihmë politikave më të ashpra anti-emigracion, megjithëse jemi një vend që pjesën më të madhe të popullsisë e kemi emigrantë. Brenda pak orësh, imazhi në Europë ndryshoi rrënjësisht dhe në muajt në vazhdim disa qeveri europiane kërkuan ngritjen e burgjeve të tyre në territorin shqiptar, duke na përcaktuar si një kosh ku mund të depozitohen problemet e emigracionit.
Miqësia me tradhtarin e FBI, Charles McGonigal

Momenti që ka kapur kjo foto në zyrën e Edi Ramës në kryeministri është objekt i një dosjeje hetimore të famshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Charles McGonigal, ish-shefin e zyrës së kundërzbulimit të FBI në Neë York. Kur mediat amerikane nisën të shkruajnë për të, Rama deklaroi publikisht ” Çarli është një miku im”.
Mcgonigal nuk rezultoi të ishte i dhënë pas ushqimeve të detit. Maksimumi ai është fotografuar duke ngrënë mish me Safet Gjicin gjatë një darke në Kukës, por ai nuk e fshihte në biseda me miqtë se po udhëtonte drejt Shqipërisë për të bërë para.

McGonigal u përpoq t’i mbante të fshehtë kontaktet e tij në Shqipëri.
Por gjykata amerikane e dënoi në fund të procesit me dy vite e katër muaj burg për këto vizita të padeklaruara dhe për korrupsion. Në këmbim të 225 mijë dollarëve që i mori nga Agron Neza, McGonigal pranoi të lëvizte gurët për të nisur një hetim të FBI-së për Lulzim Bashën, atëhere kryetar i Partisë Demokratike. Në dosjen e FBI, Edi Rama përmendet gati 14 herë.
“Fjala mik është shumë e madhe, kur kam folur në atë kohë, kam folur në kuptimin e gjuhës angleze, që dmth, friendly, miqësie, jo një mik me të cilin unë kam ndarë jetën me të”, deklaroi Rama, kur emri i tij doli në dosje.
Këto janë disa nga rastet kur miqtë e Edi Ramës prezantohen si figura superiore, për të cilët shqiptarët nuk duhet të kenë asnjë dyshim. Por pasi përqafimet mbarojnë dhe fotot shpërndahen, ka ndodhur që vendi mbetet me më pak territor, ka më shumë fatura dhe disa marrëveshje dalin nga sirtarët me vonesë.
Ndaj, para se të mahnitemi nga “story”-t e Ivankës në Instagram, ndoshta është më e shëndetshme të lexojmë këto ditë dokumentet e Qendrës së Botimeve Zyrtare. Sepse historia na ka mësuar se miqtë e Edi Ramës, peshkun e shijojnë, por fatura u shkon gjithmonë shqiptarëve./Lapsi.al






