Me 3 mbiemra e dënuar në Greqi, Irena sfidon KLGJ: Ju s’më shkarkoni dot
Gjyqtarja Irena Gjoka-Shpata-Maneku ka kundërshtuar procedurat ndaj saj në Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke deklaruar se një vendim dënimi i dhënë në Greqi nuk mund të sjellë pasoja juridike në Shqipëri dhe nuk përbën shkak për shkarkim nga detyra.
Në mungesë të dijenisë, nuk mund t’i përgjigjesha me ‘po’ pyetjeve në formular që kanë të bëjnë me hetimin, gjykimin apo dënimin nga Gjykata e Janinës,’ është shprehur ajo në qëndrimet e saj.
Sipas saj, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë nuk ka marrë formë të prerë dhe, rrjedhimisht, nuk ka asnjë vlerë juridike në territorin e Republikës së Shqipërisë.
‘Vendimi i dënimit nuk është i formës së prerë dhe si rrjedhojë nuk ka asnjë vlerë juridike në territorin e Republikës së Shqipërisë,’ thuhet në qëndrimin e saj.
Gjyqtarja nënvizon se nuk ka asnjë ndalesë ligjore për ushtrimin e funksioneve publike.
‘Nuk kam asnjë ndalesë që të ushtroj funksione publike në bazë të ligjit për dekriminalizimin dhe kam plotësuar saktë formularin bazuar në njohuritë që kisha në momentin e plotësimit,’ deklaron ajo.
‘Ky vendim nuk është regjistruar asnjëherë në regjistrin e gjendjes gjyqësore, pasi nuk mori formë të prerë dhe u arkivua nga prokurori,’ është shprehur Gjoka-Shpata-Maneku.
Në përfundim, gjyqtarja thekson se as Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka bazë për të nisur procedim disiplinor.
‘Vendimi i dënimit jo i formës së prerë konsiderohet i paqenë dhe nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit tim si gjyqtare,’ thekson ajo, duke shtuar se çdo procedim disiplinor do të ishte i pavlefshëm edhe për shkak të kalimit të afatit 5-vjeçar.






