Bardhi – Ramës: I vetmi kryeministër në botë që ke pritur në zyrë kartelet e dr@gës të shpallura terr@riste nga SHBA

Bardhi – Ramës: I vetmi kryeministër në botë që ke pritur në zyrë kartelet e dr@gës të shpallura terr@riste nga SHBA

Një debat i ashpër ka shpërthyer në seancën plenare, ku opozita ka hedhur akuza të rënda drejt Kryeministrit Edi Rama, lidhur me mungesën e tij në Forumin e Davos dhe në Bordin e Paqes të organizuar nga Presidenti Donald Trump.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se justifikimi i Kryeministrit për një takim privat investimesh është thjesht një “gënjeshtër” për të mbuluar izolimin ndërkombëtar, duke theksuar se e vetmja lidere nga Ballkani që bëri krenar kombin ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas ligjvënësit, mungesa e ftesës personale për Ramën është evidente, pasi përfaqësimi i Shqipërisë në bordin e themeluar nga Trump ishte bërë vetëm përmes autorizimit të Presidentit Bajram Begaj dhe jo si zgjedhje direkte e amerikanëve. Ai ironizoi përpjekjet e mazhorancës për të futur emrin e Ramës me forcë në ligj përmes Elisa Spiropalit, duke argumentuar se nëse ftesa do të ishte personale, këto manovra ligjore nuk do të ishin të nevojshme.

Akuzat kulmuan me deklarata tronditëse ku deputeti e cilësoi Ramën si “të vetmin kryeministër pas Maduros” që është identifikuar me zë dhe figurë në mbështetje të karteleve të drogës. Ai paralajmëroi kreun e qeverisë se propaganda nuk mund të fshijë faktin se ai ka pritur në zyrë eksponentë të krimit të organizuar të izoluar nga SHBA, duke nënvizuar se serioziteti i administratës Trump në luftën kundër narkotrafikut nuk do ta amnistojë atë.

Të njëjtën ftesë që ka edhe zotëria e tij dhe është turp i madh që të vish këtu edhe t’i shesësh shqiptarëve izolimin ndërkombëtar si arritje të madhe. Në fakt unë i bëra një pyetje kryeministrit dhe për fat të keq nuk mora përgjigje: Pse sot nuk është në Davos dhe pse Shqipëria nuk përfaqësohet në këtë aktivitet nga më të rëndësishmit botëror?

Ortaku i Ergys Agasit dhe avokati i Belinda Ballukut, ortaku i krimit të organizuar dhe i karteleve të drogës, bëri sikur nuk e dëgjoi pyetjen dhe dha një përgjigje aspak serioze. Që një kryeministër paska zgjedhur një takim privat për investime të një kompanie amerikane mbi përfaqësimin shtetëror shqiptar, që në fakt do t’i bënte nder Shqipërisë, jo Edi Ramës.

Por edhe këtu gënjeu. Sepse takimin privat për investime amerikane në Shqipëri, të cilat janë të mirëpritura, e ke patur dje zoti kryeministër. Dhe çdo shqiptar e di që zotrote disponon një avion privat dhe mund të ishe nisur për të arritur takimin ku sot kanë qenë liderët botërorë të ftuar nga Presidenti Trump në Bordin e Paqes, si shtete themeluese të Bordit të Paqes.

Dhe për fat të keq, nga rajoni i Ballkanit, i vetmi lider që ka qenë i ftuar për të nënshkruar dhe na bën krenar gjithë kombin shqiptar, ka qenë Presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani. Dhe në vend që të fshiheshe, do duhet të sqaroje: Pse nuk je? Pse nuk je për të nënshkruar atë për të cilin të ka autorizuar Bajram Begaj? Sepse të ka dhënë autorizim Presidenti i Republikës që të përfaqësosh Shqipërinë në këtë marrëveshje. Nuk të ka zgjedhur askush.

Po tenton të zgjedhësh veten, sepse po të të kishin zgjedhur, nuk kishe nevojë t’i kërkoje Taulatin ta shënonte emrin në ligj. Nëse ti ishe i zgjedhur personalisht nga Presidenti Trump, çfarë nevoje kishte t’i kërkoje me lutje Elisës që ku të propozonte emrin… ku të propozonte projektligjin, të ta shënonte emrin në projektligj?

E vërteta është që në bord është ftuar Shqipëria dhe sigurisht Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në organizmat ndërkombëtarë për paqen dhe sigurinë në botë, përfaqësohet ose nga Presidenti i Republikës, ose nga Kryeministri i Republikës. Dhe kjo është e vërteta. Nëse ftesa do ishte personale për ty, ç’nevojë zotëri, ç’hall ke që kërkon të ta shkruajmë emrin në ligj? Pse e lidh pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në këtë bord me emrin tënd të nxirë, si i vetmi kryeministër në botë që ka pritur në zyrë kartelet e drogës të shpallura të padëshiruara, të izoluara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Pse na fole këtu për turizëm dhe s’na informove mbi këto çështje që sot besoj pyet çdo qytetar shqiptar? Dhe, po të bëj të qartë që sado t’i japësh perceptimit përmes propagandës që të kanë amnistuar si i vetmi kryeministër në Europë dhe në botë që ke guxuar të presësh kartelet e drogës në zyrë dhe t’i pajisësh me të mira publike, ki parasysh seriozitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe ndryshe nga sa e quaje ti seriozitetin e jashtëzakonshëm të Presidentit Trump, se kur ka vendosur të luftojë kartelet e drogës… dhe cilindo… dhe gjer më sot je i vetmi pas Maduros, i identifikuar me zë dhe me figurë për mbështetje të karteleve apo bashkëpunim me kartelet e drogës.

Share it :