Rama i jep Gaz Demit repart ushtarak 13 mijë m²
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, është miratuar një vendim që ngjall debate politike dhe publike.
Bëhet fjalë për dhënien me qira me tarifë simbolike 1 euro të një reparti ushtarak me sipërfaqe rreth 12 mijë e 690 metra katrorë, në favor të shoqërisë “Partizani” sh.a., në pronësi të biznesmenit Gaz Demi.
Vendimi përbën një shtesë dhe ndryshim të Vendimit nr.183, datë 9 mars 2016, i cili parashikonte lidhjen e kontratës së qirasë ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani” sh.a., si qiramarrës.
Pasuria në fjalë është pjesë e pronës nr.4, e njohur si “Reparti Ushtarak nr.4030”, e vendosur në rrugën “Myslym Keta”, Tiranë, dhe ndodhet nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas vendimit të miratuar, hapësira ushtarake kalon në përdorim të sektorit privat me një tarifë simbolike, duke ngritur dyshime mbi kriteret e përzgjedhjes. Dhënia e pronave strategjike shtetërore me çmime simbolike për subjekte private, ushqen dyshime për favorizim të biznesmenëve të lidhur me pushtetin në këtë rast me presidentin e klubit të Partizanit, Gaz Demi.






