Deputeti Besart Xhaferri, gjatë takimit të foltores në Degën 4 të PD në Tiranë solli në vëmendje deklaratat e ambasadës së SHBA-ve, duke theksuar se ekzistojnë 18 paralajmërime zyrtare për përfshirjen e grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.
Ai përmendi edhe një mesazh të supozuar nga Presidenti Trump dhe Sekretari Rubio më 28 Nëntor, duke pretenduar se për herë të parë në një urim pavarësie përmenden kartelet e drogës, gjë që sipas tij tregon nivelin alarmant të situatës.
Xhaferri u ndal edhe te gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, të cilën e konsideroi një kamikaze të Ramës në sistemin e drejtësisë.
Fjala e Xhaferrit
Miq të dashur, bashkëpunëtorë, anëtarë të Partisë Demokratike dhe qytetarë të degës katër, së pari ju falenderoj nga zemra për rezistencën dinjitoze dhe praninë tuaj këtu. Pasi kushtet dhe rrethanat në të cilat ne po i zhvillojmë këto takime janë të ngjashme me ato të viteve ’90. Vetëm se një gjë është e sigurt, ora jonë po vjen. E bashkë me të, ora e Shqipërisë, që do çlirohet njëherë e përgjithmonë nga sekti i Rilindjes, që i zhvati dhe i poshtëroi shqiptarët si të ishte pushtuesi më gjakatar që ka njohur ky vend. Grupi i strukturuar kriminal i 5D, manualet 5D të Lalit, manualet 5B të Ballukut, PPP-të gjenocidiale të Beqajt, inceneratorët që djegin taksat tona, hidrovorët që përmbytin qytetet tona, kullat e narkotrafikut që janë strehë e call center-ave të mashtrimit të Olsi Ramës dhe po lënë pa strehë rininë shqiptare, kanë vetëm një arkitekt: Edi Ramën.
Reagimi foshnjor i Edi Ramës për ftesën për të dhe Lukashenkon në bordin për gazin, e ekspozoi atë si të burgosurin në pritje të dënimit, ku çdo letër i duket si indulgjencë faljeje për krimet që ka kryer. Ndërkohë, reagimi i tij për ftesën në bordin e gazit është në kontrast të madh me heshtjen e tij dhe Tiranës zyrtare për problemin që ai krijoi me vetëdije me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Problem që ka një emër: kartelet e drogës. Nga data 10 shtator 2015 deri më 16 janar 2016, janë plot 18 deklarata nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që paralajmërojnë Shqipërinë për grupet e strukturuara kriminale, të përfshira në trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe në Amerikë, si dhe për pastrimin e parave të drogës në ekonominë e brishtë të Shqipërisë.
Asnjë reagim nuk ka nga shteti shqiptar për këto paralajmërime, të cilat kulmuan më 28 nëntor, kur Presidenti Trump dhe Sekretari Rubio, në urimin për pavarësinë, na përmendi kartelet e drogës, një zhvillim ky i paprecedentë. Edi Rama madje ka shkuar deri aty sa guxoi të kërcënonte SHBA-të se në Tiranë nuk përfaqësohet më me standardin e juridikimit, me investimet kineze. Por ky njeri harron se raportet tona me SHBA-në kanë themel kontributin e burrit të shtetit Woodrow Wilson për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi, vizitën e James Baker në Tiranë në ’91-shin, ndërhyrjen ajrore të NATO-s në Serbinë e Millosheviçit kur ky bënte pushime në Francë, dhe vizitën e George Bush në Tiranë, ku krahas liderit të forcës sonë politike u njoftua shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë paralelisht me këtë, ka dhe një tjetër zhvillim, pasi në KLGJ kanë mbërritur përgjigjet e autoriteteve greke për dënimin e Irena Gjokës, asaj me pesë mbiemra, po përdor… po lexoj vetëm një mbiemër. Që faktojnë se ajo është e dënuar në Greqi dhe këtë dënim ua ka fshehur organeve të vetingut.
Kamikazja e marrë peng në GJKKO u keqpërdor me urdhër të Edi Ramës kundër liderit të opozitës, Sali Berisha, kundër kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe kundër kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duke minuar kështu pluralizmin politik për të çimentuar autokracinë me të ashtuquajturën reformë në drejtësi. Nuk ka rast në botë që një opozitë të ketë pasur përballë në zgjedhje një strukturë ku janë të shkrira në një organizatë: shteti, gjykatat, kartelet e drogës dhe ambasadat. Por, pavarësisht kësaj, Partia Demokratike ia doli të mbronte pluralizmin dhe për këtë ju keni një meritë të padiskutueshme. Ndërkohë sot, dua t’ju kujtoj se raporti dramatik i OSBE-ODIHR, ku u denoncua fakti se krimi i organizuar u angazhua me financa dhe asete njerëzore për të pamundësuar rotacionin, ka qenë kryefjalë e diskutimeve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kongresmenët amerikanë kanë depozituar një seri pyetjesh për ekspertin, njëherësh profesorin e njohur Joseph, një nga njohësit më të mirë të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Pyetja e parë e drejtuar lidhej me shqetësimet e ngritura për pavarësinë e gjyqësorit dhe gjetjet e raportit të OSBE-ODIHR për farsën elektorale të 14 majit. Në përgjigjen e tij, pasi raportoi mbi realitetin në Shqipëri, theksoi se duhet marrë në konsideratë çështja e qeverisë teknike me modelin e Maqedonisë së Veriut. Këtë skenar e kemi artikuluar prej të paktën dy vitesh, pasi është e vetmja garanci për një fushë të barabartë loje në zgjedhje, ku prej 30 vitesh shteti garon kundër një partie. Vetë eksperti Joseph argumentoi se përvoja e Maqedonisë së Veriut tregon se ndërmjetësimi i vazhdueshëm ndërkombëtar, i kombinuar me presionin e brendshëm, mund të sjellë rezultate. Por sot unë dua të jem konkret me ju dhe t’ju bind se pse më 24 Janar duhet patjetër të jemi në shesh, për të rrëzuar këtë njeri, që vetë ish-zëvendësi i tij Arben Ahmetaj e quan kreun e organizatës kriminale. Kam katër vite që jam ndalur te një temë konkrete, strehimi i të rinjve dhe i çifteve të reja, ku këtu kam parasysh grupmoshën nga 20 deri në 40 vjeç. Pa fjalë Edi Ramës, ne kemi ministra me 324 apartamente, kemi trafikantë droge me nga 30 apartamente dhe arsimtarë me qira që jetojnë në pronat e tyre. Ndërkohë që një të riu shqiptar, me çmimet aktuale dhe në raport me pagën mesatare, i duhen deri në 84 vite për të blerë një shtëpi në Tiranë. Po, fiksojeni mirë, plot 84 vite, sepse Edi Rama kërkon të pastrojë paratë në ndërtim, siç ka bërë kur ishte kryetar bashkie, duke operuar me të njëjtin manual.




