Ish-ministri: Rama po përdor ftesën e Trump për të larguar vëmendjen nga përmbytjet
Ish-ministri i Financave Arben Malaj ka komentuar ftesën e ish-presidentit amerikan Donald Trump për kryeministrin Edi Rama për pjesëmarrje në “Bordin e Paqes” për administrimin e Gazës, duke theksuar se kjo nuk është një nismë personale, por një ftesë shtetërore që u është dërguar mbi 100 vendeve.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Malaj u shpreh se Rama po përpiqet të krijojë “mite” për të larguar vëmendjen nga problemet reale brenda vendit, si përmbytjet dhe zvarritja e reformave.
“Ne ishim në një situatë të vështirë të emergjencës natyrore dhe nuk ka ndodhur në përvojën time po dhe studime që bëjnë në vende të tjera të botës.
Fatkeqësitë natyrore janë testi i lidershipit. Kancelari Shrëder ishte në pikën më të dobët për të marrë mandat të dytë dhe vetëm përmbytjet e mëdha në jug të Gjermanisë, ku ai veshi çizmet dhe vajti fshat më fshat dhe bisedoi drejtpërdrejtë me qytetarët i dha pikët që fitoi mandatin e dytë.
Tani në këtë fatkeqësi natyrore, pavarësisht nga përmasat e saj, përderisa kishte përmbytje aq të mëdha, përderisa kishte humbje aq të mëdha, nuk do të ishte natyrshme për asnjë kryeministër të një vendi që të shkonte tri ditë e të qëndronte për të marrë një medalje.
Pikëpyetja ishte kjo medalje pasi u firmos kontrata e Smart City për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian dhe NATO ka rezerva të mëdha në fushën e sigurisë dhe përse duhet kryeministri të rrinte dhe tre ditë atje për të bërë batutat me gazetarët?” tha Malaj




