Alizoti: Protesta është zemërim, ky s’është shtet, por grup piratësh. Rama po helmon shqiptarët
Deputeti Tomorr Alizoti i ftuar në ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka folur për protestën e 24 janarit që do të organizojë opozita. Gjatë bisedës në studio, Alizoti u shpreh se, protesta është zemërim dhe nuk mund të jetë artistike.
Sipas deputetit demokrat, qeveri e Ramës është një grup piratësh të kaosit, pa rregulla dhe që mendojnë vetëm për të vjedhur
Ndërsa për median që përdoret nga Edi Rama dhe qeveria e tij, Alizoti mendon se, ato po helmojnë popullin me teoritë dhe lajmet e tyre.
Arsyeja që nuk kam dalë shumë në media ka qenë se i gjithë fokusi është opozita. Dhe ju thatë media, unë mendoj që sot në Shqipëri nuk ka media. Ky lloj banaliteti që i ndodh shoqërisë shqiptare, një nga përgjegjësit kryesorë është media. Media ka banalizuar gjithçka.
Sepse nuk është politikë kjo që ndodh në Shqipëri. Është një banalitet i mirëfilltë. Dhe meqë teknologjia ka avancuar kaq shumë, media është te telefoni, pra informacioni vjen në çdo moment, kjo ka arritur në një idiotizim masiv të shoqërisë. Dhe është përqendruar te opozita. Tani protesta ka një kuptim: shfaqja. Njerëzit shfaqen nëpër sheshe dhe protestojnë. Unë, pra kjo është qasja ime mbi protestën, unë do të doja një protestë më natyrale. Ç’do të thotë? Sepse protesta në brendësinë e saj është zemërim. Njeriu i zemëruar i bën dëm dhe shtëpisë së vet.
Shiko, qeveritë nëse marrim gjithë protestat nëpër Europë dhe nëpër botë, nuk bien me një protestë. Protesta mund të jetë mbase për shumë opozitarë një lloj kënaqësie emocionale ku shohin që aty ka përleshje, ka gjëra, por kjo nuk është vetëm me këtë element që u përlesh opozita me policinë, do bjerë qeveria.
Në shumë vende janë muaj, janë gjashtë muaj, janë vite, mund të jenë dhe më shpejt. Unë e shikoj protestën si zemërim. Protesta është zemërim. Protesta nuk mund të jetë, nuk mund të jetë artistike. Nuk mund të jetë edhe etike. Njeriu i zemëruar është, zemërohet sepse ai pretendon ose mendon që ndaj tij është bërë një padrejtësi e madhe. Dhe kjo padrejtësi që është bërë ndaj shqiptarëve, kalon çdo lloj skandali. Pra këto daljet me dosje, këto grabitje…
Ky nuk është më shtet, ky është një grup piratësh. Dhe piratët kishin rregulla, po këta janë piratë pa rregulla. Pra këta janë piratë të kaosit. Është e paimagjinueshme që të kesh apartamente në këto përmasa, të kesh grabitje pa fund, të bësh gjithçka në këtë vend dhe askush mos të shqetësohet. Prandaj protesta duhet ta ketë zemërimin brenda dhe unë jam për protestën natyrale qytetare.
Pra me gjithë respektin për gjithë ç’i flasin, unë nuk do të doja dikë që thotë që vij nga Italia, vij nga Greqia. Protesta nuk ka nevojë për fjalime. Në protestë flet shpirti, flet revolta. Dhe kjo natyralitet i protestës, mendoj që do shumë demokratë, jo demokratë, opozitarë, do të kuptojnë që kjo është gjë natyrale. Pra unë jam për këtë lloj. Dhe këtë e kam thënë edhe me kolegët.
Është menduar sepse nuk është aq e thjeshtë sepse sot media helmon kudo. Unë e ndjej që e them, është një helm nonstop. Pra kam parë televizione nonstop dje, pardje, që diskutojnë për një ftesë. Nuk diskutojnë për krizën e madhe që i janë vjedhur shqiptarëve miliona, miliona. Atë të ardhmen e një vendi të vogël, një vendi shumë të varfër, një vendi që mbas Dajtit nuk kanë as shkolla, as kanë asgjë, i përngjan atij Lulit të Vocërr. Dhe tani kjo është e organizuar sepse ky njeri shumë problematik, kaotik, psiqik, ka ndërtuar helmimin nëpërmjet medias.
Dhe media, po t’i kthehemi pak komunizmit, bëri Mit’hat Frashërin, që ishte filozof, që të hante pula. Media ishte ajo. Bëri Qazim Mulletin, një figurë qytetare tiranse, e shkatërroi, e banalizoi, e degradoi’, tha ndër të tjera në SYRI TV, deputeti i PD-së, Tomor Alizoti.




