Imuniteti i Ballukut, Berisha: Rama po përdor deputetët për t’i mbyllur rrugën drejtësisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se kryeministri Edi Rama se po përdor pushtetin politik për të penguar drejtësinë, në lidhje me çështjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë një takimi me kryetarët e degëve të PD-së në rrethe, Berisha tha se zhvillimet e fundit kanë treguar, sipas tij, se premtimet për reformën në drejtësi kanë qenë vetëm propagandë.
Ai deklaroi se në momentin kur emri i Ballukut u përmend në një dosje hetimore, kryeministri reagoi duke sulmuar drejtësinë dhe duke përdorur shumicën parlamentare për ta bllokuar atë.
Sipas Berishës, Rama po shfrytëzon 83 mandatet në Kuvend për të mbyllur rrugën e hetimeve dhe për të ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë, ndërsa shtoi se ajo që po ndodh aktualisht është vetëm “maja e ajsbergut”.
Sali Berisha: Jeni dëshmitarë të disa zhvillimeve të fundit që i hoqën cdo maskë, njeriut që shëtiste nga samiti në samit, nga studio televizive në studio duke u mburrur për reformën në drejtësi.
Njeriu që me këtë flamur dërdëlliste në çdo takim dhe çdo samit del tani se ska asnjë normë, asnjë parim dhe princip.
Dhe se që në momentin kur në një dosje 2 janë për të dhe një për lubi Ballukun ai përdor të gjithë pushtetin e krimit të tij, 83 mandatet e krimit për ti mbyllur rrugën drejtësisë, për të bërë grusht shteti me parlament për të asgjësuar parlamentin e drejtësisë, këto që keni dëgjuar janë maja e ajsbergut.




