Pasi harxhoi 160 mln euro, Rama shtetëzon sterilizimin

Qeveria shqiptare ka vendosur të shtetëzojë koncesionin e sterizilimit, dhjetë vjet pas nënshkrimit të kontratës që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 160 milionë euro.

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit një vendim të posaçëm për krijimin e shoqërisë aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”.

Sipas vendimit, kjo kompani aksionare me kapital 100% shtetëror do të ofrojë të njëjtat shërbime që ofronte kompania koncesionare SaniService kundrejt spitaleve universitare, rajonale dhe bashkiake.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare asetet dhe të drejtat, që i kalojnë shtetit pas përfundimit të kontratës së koncesionit, në përputhje me parashikimet e saj dhe e të legjislacionit në fuqi,”thuhet në vendim.

Koncesioni i sterilizimit është dhënë në vitin 2016. Hetimet e kryera nga SPAK zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së këtij koncesioni, i cilësuar edhe si aferë korruptive për të cilën Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë anëtarët e tjerë të komisionit të dhënies së koncesionit; Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.

Share it :