Foltorja e PD, Berisha paralajmëron: Ky është viti i përmbysjes së diktaturave! Edi Rama do ketë fatin që meriton
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se viti 2026 është viti i përmbysjes së diktaturës në Shqipëri (term me të cilin ai cilëson qeverinë e kryeministrit Edi Rama).
Komentet Berisha i bëri nga ‘Foltorja’ e mbajtur nga PD para Kryeministrisë, ku tha se kryeministri Rama do të ketë fatin që meriton.
Berisha duke folur për situatën e protestave në Iran, hoqi një paralelizëm me Shqipërimë, duke thënë se asgjë nuk e ndalon popullin opozitar për të mbrojtur idealet e tij të lirisë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve të pamposhtur në këtë shesh, që përcillni nga ky shesh, nga ky bulevard mesazhin e shpresës, mesazhin e fitores në të katër anët e Shqipërisë.
Të dashur miq, viti 2026 do shkruhet me germa të arta në muret e kohës si viti i anti-diktaturave.
Si viti kur popujt e autokracive arritën t’i përmbytin njëra pas tjetrës ato.
Prej dy javësh, rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera të Iranit janë të mbushur me opozitarë të guximshëm, trima, të cilët pavarësisht nga masakrat, breshëritë e ajatollahëve obskuranistë, ecin të sigurtë drejt fitores.
Asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për të mbrojtur idealet e tij të lirisë.
Asgjë nuk mund të ndalë vrullin e tyre, guximin e tyre, hovin e tyre, pa triumfuar.
Dhe ne këtu vijmë sepse kemi këtë besim.




