Nuk ka më asnjë gjurmë nga projekti “Durana Tech Park” në faqen zyrtare e Korporatës së Investimeve Shqiptare.
Çdo informacion mbi projektin “Durana Tech Park” është fshirë nga faqja pa asnjë njoftim apo shpjegim publik.
Nga verifikimet e kryera prej syri.net sot në mëngjes rezulton se çdo informacion mbi këtë projekt nuk është më i aksesueshëm, ndërkohë që figuron në Google, duke ngritur dyshime serioze mbi transparencën dhe arsyet e zhdukjes së të dhënave

“Durana” ishte shpallur si zonë e lirë për zhvillimin e teknologjisë, me status të posaçëm ligjor dhe fiskal. Ky status u lejonte kompanive të regjistruara si përdoruese të përfitonin përjashtime të gjera nga taksat dhe kontributet, edhe në rastet kur aktiviteti real nuk zhvillohej fizikisht në këtë zonë.
Pak ditë më parë Ahmetaj në intervistën për “Çim Peka Live” në Syri Tv, publikoi detaje të tjera tronditëse, sesi qeveria, jo vetëm u ka dhënë tendera sekret Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, por njëkohësisht ka krijuar edhe kushtet që këto kompani të përjashtohen nga pagesa e taksave, duke u regjistruar si biznese në qendrën DURANA në Xhafzotaj.
Ahemtaj u shpreh se janë 46 kompani të teknologjisë së informacionit, që edhe pse janë regjistruar në “parajsën fiskale” në Xhafzotaj për të shmangur pagesën e taksave, zyrat reale të tyre i kanë në zemër të Bllokut.
Deri tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Korporata e Investimeve Shqiptare apo nga drejtuesja e saj, Elira Kokona, për arsyet e zhdukjes së informacionit mbi “Durana Tech Park”.






