Qytetarët po reagojnë me shqetësim për cilësinë e punimeve të Tunelit të Llogarasë teksa kanë publikuar video ku shihet uji që futet në tunel nga të gjitha anët. Nga përgjimet e dosjes Balluku doli në pah një fakt alarmant ku përfaqësuesi i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve i shkruante i alarmuar ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi për cilësinë e punimeve në tunel. Kryeministri Rama u përpoq ta kalonte me ironi pyetjen e Syri TV për këtë çështje ku tha se në vend të hekurit, për ndërtimin e tunelit janë përdorur zhavorr i përzier me bar të thatë.Reshjet e dendura që kanë përfshirë vendin prej ditësh kanë nxjerrë në pah cilësinë e dobët të punimeve në tunelit të Llogarasë, projekt i cili u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 190 milionë euro. Një qytetar ka publikuar në portalin Jeta Osh Qef një video në të cilën shihet qartë uji që futet në tunel nga të gjitha anët.
Faktet për cilësinë e dobët të punimeve të tunelit dolën nga përgjimet e dosjes Balluku. Pas një inspektimi në kantier në korrik të vitit 2022, përfaqësuesi grek i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në tunelin e Llogarasë mbeti i shokuar. Ai i shkroi i alarmuar kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi se punët me projektin po shkonin përditë e më keq.
“Evis…kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” i shkroi Ioannis Kirkinezis, përfaqësues i kompanisë “Hill International NV”, ish-drejtorit të rrugëve. Publikimi i këtyre fakteve u bë objekt debatesh në konferencën e fund vitit mes gazetares së Syri TV Ambrozia Meta dhe Kryeministrit Edi Rama. Shefi i qeverisë reagoi me tone ironike ndaj pyetjes për cilësinë e tunelit.
Megjithatë video e publikuar nga qytetarët 10 ditë pas kësaj deklarate, të bëjnë të dyshosh se Kryeministri Rama, ndoshta nuk e ka patur tërësisht gabim kur tha se ne vend të hekurit është përdorur zhavorr i përzier me bar të thatë.
Pas inagurimit të tunelit zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shfaq e prekur në një intervistë televizive ku tha se kishte qarë nga emocioni i përfundimit të kësaj vepre.
Pak muaj pas kësaj shfaqje propagandistike Belinda Balluku u mor e pandehur nga SPAK për këtë aferë 190 milion euroshe ndërsa tuneli mbetet mes shqetësimit të qytetarëve për cilësinë e tij.




