Pano: Regjimi ka shtrirë tentakulat në çdo sektor, vetëm uniteti e rrëzon
Në fjalën e tij, në tryezën opozitare, në praninë e kreut të PD, Sali Berisha, pastori Akil Pano ka lëshuar një sërë akuzash të rënda ndaj qeverisë, duke bërë thirrje për bashkim qytetar kundër asaj që ai e cilësoi si “regjimi i maskarenjve”.
Duke përdorur një metaforë të fuqishme, ai u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen si “flokët e borës” për të krijuar një “ortek të jashtëzakonshëm” që do të sjellë zgjidhjen për Shqipërinë. Sipas pastorit, regjimi aktual i ka shtrirë “tentakulat e veta në të gjithë dimensionet e ekonomisë, sistemit të drejtësisë, politikës dhe qeverisjes”, duke e lënë shtetin “në rënie të lirë”.
Ai argumentoi se mazhoranca qeverisëse e ka humbur legjitimitetin, pasi është votuar për të miratuar ligje në shërbim të popullit, dhe jo kundër interesave të tij. Në qendër të kritikave të tij ishte “ligji i barazisë gjinore”, për të cilin Pano pretendoi se nuk flet për barazi, por për “shkatërrimin e familjes, pezullimin e lirisë dhe censurë”.
Fjala e pastorit Akil Pano
Atëherë unë jam pastor Akil Pano. Përshëndetje të përzemërta. I nderuar doktor Berisha, shumë faleminderit për ftesën. E vlerësova me shumë jo gëzim, por me dashuri. Sepse fakti të cilin e kemi përballë, kërkon dashuri. Kërkon atdhedashuri. Kërkon integritet moral dhe të gjithkashëm dhe kërkon bashkim.
Është duke ra borë në Shqipëri. Bora është e bukur për ne që jemi në Tiranë, po imagjinoni njerëzit që jetojnë në vende ku bora është kërcënuese.
Flokët e borës veç e veç janë gjëja më e bukur t’i shohësh, por në të njëjtën kohë dhe gjëja më e brishtë. Nëse qëndron një flokë bore më vete, shkrihet lehtësisht, humbet ekzistencën e vet. Por ky flokë bore nëse bashkohet me flokët e tjerë të borës, mund të shndërrohet në një ortek të jashtëzakonshëm.
E pra, kam përshtypjen se për këtë ortek duhet të flasim. Zgjidhjen për Shqipërinë. Regjimi aktualisht sot ka vendosur të gjitha tentakulat e veta në të gjithë dimensionet e ekonomisë, sistemit të drejtësisë, politikës, qeverisjes. Qeveria nuk po e qeveris vendin. Shteti është në rënie të lirë. Për shkak të ligjeve që nuk dua t’i përmend në thellësi, doktor Berisha sapo e bëri. Kjo mazhorancë qeverisëse ka humbur legjitimitetin e saj, sepse është votuar nga populli, po e marrim të mirëqenë votën e popullit për një moment, nëse është votuar nga populli, është votuar për të miratuar në parlamentin e Shqipërisë ligje për popullin dhe jo kundra interesave të popullit. E pra ligji i barazisë gjinore nuk flet për barazi.
Flet për shkatërrimin e familjes, flet për pezullimin e lirisë, flet për censurë, flet për kthimin tek ligji i agjitacion propagandë. Flet për rrëmbimin e kulturës tonë, traditës. Flet për, nëse kemi, kemi të bëjmë deri tani me rrëmbim pronash publike, të dhëna tek të ashtuquajturit investitorë strategjikë, ky ligj ementon rrëmbimin e fëmijëve. Rrëmbimin e fëmijëve, rrëmbimin e familjes.
Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës e ka çuar kërkesën e saj në Gjykatë Kushtetuese për së pari pezullimin e menjëhershëm të ligjit dhe të efekteve të ligjit, deri në vendimin e dytë që ne kemi kërkuar shfuqizimin e këtij ligji dhe aktualisht tani, në këto momente, në Gjykatën Kushtetuese është duke u hedhur short mbi kërkesën e Koalicionit Shqiptar për shfuqizimin e këtij ligji. Më lejoni t’ju them, në qoftë se deri tani kemi folur shumë për kohën e maskarenjve dhe të batakçinjve, kjo kohë e maskarenjve vendos një sfidë, pra hedh dorashkën përballë individëve që e shikojnë veten e tyre patriotë, atdhetarë, individëve të cilët e shikojnë veten e tyre si njerëz me integritet, si njerëz të cilët besojnë në disa vlera. Dhe unë po ju them që shqiptarët duhet të bashkohen një lloj si ato flokët e borës, sepse kjo është e vetmja garanci që ne kemi, jo thjesht për t’i bërë ballë, por ky gurë është guri i unitetit që do të hedhi poshtë gjigandin, gjigandin e këtij regjimi.
Dhe e fundit, sepse më duhet të respektoj këtë tre minutëshin tim, shqiptarët duhet të kuptojnë që nuk janë partitë opozitare në opozitë me qeverinë, por janë shqiptarët. Është familja, janë fëmijët, janë burrat dhe gratë e ndershëm të këtij vendi në opozitë me qeverinë dhe opozita dhe qeveria është në opozitë me Shqipërinë. Sepse jo vetëm voton ligje kundër interesave më të larta të Shqipërisë, familjes dhe të njeriut, por është duke lejuar që vendi të përmbytet. Është duke nxitur vijimin e shpopullimit masiv të Shqipërisë nga shqiptarët. Ndaj ne duhet të bëhemi bashkë. Unë kam deklaruar disa vite më parë që e dua Berishën dhe sot dua ta rideklaroj edhe njëherë këtë edhe për faktin e luftës së tij epokale përballë këtij regjimi.




