Përmbytja në Porto Romano/ Skandali, Rama fryu me 8 mln euro faturën për “2T” dhe “Adriatik” (Dokumenta)

Nga Boldnews.al

Zona e ish-Kënetës dhe Porto Romano-s në Durrës janë përmbytur thuajse tërësisht në këtë fillim janari, për të tretën brenda 12 muajve.

Një investim me vlerë 20 milionë euro i qeverisë shqiptare, nëpërmjet Bashkisë së Durrësit, për rehabilitimin e rrjetit kullues në zonën periferike dhe problematike të qytetit bregdetar, i aplikuar në vitet 2021-2022, rezulton tërësisht defektoz.

Në foto: Pamje nga përmbytja në zonën e ish-Kënetës, Durrës

Ndërkohë që situata më e fundit ka vënë pikëpyetje mbi mënyrën se si është zbatuar projekti nga kompanitë fituese të tenderit, “2T” dhe “Adriatik”, disa dokumenta të konsultuar nga “Boldnews.al” mundohen të hedhin dritë mbi një situatë, e cila duket se përbën një skandal të vërtetë financiar.

Në diskutim është një shumë prej 8 milionë eurosh, të cilat, kryeministri Edi Rama, me firmën e tij, ia ka shtuar “me një majë lapsi” projektit të propozuar nga Bashkia e Durrësit.

Një majë lapsi, 8 mln euro shtesë

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 goditi më së shumti qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Dhjetra godina shtetërore e private si edhe pjesë të infrastrukturës publike u dëmtuan nga lëvizjet sizmike, duke kërkuar riparime emergjente.

Këshilli Bashkiak i Durrësit, me vendimin nr.87 të datës 12 korrik 2021, miratoi projektin me objekt “Studim e projektim të rehabilitimit të infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën Porto Romano-Kënetë dhe sistemi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit Durrës”.

Në foto: Bashkia e Durrësit llogari vlerën e projektit në shumën 12 milionë euro

Sipas analizës financiare të kryer nga Bashkia e Durrësit, realizimi i këtij projekti përllogaritej në shumën 1.491.363.069 lekë të reja ose saktësisht 12.075.814 euro.

Projekti ishte pjesë e programit të Rindërtimit dhe, miratimi i tij duhej të kalonte më parë nga Këshilli i Ministrave.

Qeveria, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi vendimin nr. 514, dt. 18 shtator 2021 “Për përdorimin e fondit për financimin e zbatimit, mbikqyrjen dhe kolaudimin për rehabiltimin të infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën Porto Romano-Kënetë dhe sistemi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit Durrës”.

Në foto: Këshilli i Ministrave, me firmën e Ramës, miratoi projektin 20 mln euro

Por, sipas këtij vendimi, shuma e nevojshme për realizimin e projektit ishte 1.990.639.140 lekë të reja (rreth 20 milionë euro), ose rreth 8 milionë euro më shumë se sa parashikimi që kishte bërë Bashkia e Durrësit.

Bazuar në këtë Vendim të Këshillit të Ministrave, Këshilli Bashkiak i Durrësit, me propozimin e Emirjana Sakos, e cila në atë kohë ishte zv.kryetare e Bashkisë, me funksionet e kryetares, miratoi vendimin nr. 116, dt. 30 nëntor 2021, bëri detajimin e fondit të përfituar.

Sipas dokumentit të konsultuar nga “Boldnews.al”, fondi qeveritar prej afërsisht 20 milionë euro, ndahej sipas zërave: 1. Rehabilitimi i infrastrukturës, 1.972.599.399 lekë të reja; 2. Mbikqyrja, 17.345.943 lekë të reja, dhe; 3. Kolaudimi, 693.837 lekë të reja. Në total, 1.990.639.140 lekë të reja.

Fituesit, “qeveritarë” të Ramës

Bashkia e Durrësit shpall tenderin e “emergjencës” për rehabilitimin e kanaleve në zonën e Porto Romano-Kënetës në 25 tetor 2021. Procedura zgjat vetëm dy javë. Në garë marrin pjesë dy konkurentë.

“Gjoka Konstruksion” paraqet ofertën 1.972.087.306 lekë. Ndërsa bashkimi i operatorëve “2T” & “Vëllezërit Hysa” & “Adriatik” paraqesin një ofertë vetëm 1.3 milionë lekë të reja më të ulët se konkurenti, duke u shpallur edhe fitues.

Oferta e bashkimit të operatorëve ishte në vlerën 1.970.730.718 lekë ose 99.9 përqind e fondit limit.

Dy prej kompanive që përbënin bashkimin e operatorëve fitues njihen për lidhjet shumë të ngushta me qarqet e larta qeveritare.

 

Share it :