Ahmetaj: Pse Rama nuk tha një fjalë për mesazhin e Trump dhe Rubio? Media e pushtetit e shtrembëruan mesazhin
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj gjatë intervistës ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka akuzuar Edi Ramën se ka përdorur mediat që kontrollon me qëllim që të shtrembërojë mesazhin e ardhur nga presidenti Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në lidhje me luftën ndaj karteleve të drogës.
Sipas Ahmetaj, Edi Rama nuk e hapi gojën për të komentuar këto mesazhe, por përdori mediat.
Çim Peka: Jemi kthyer në pjesën e dytë me zotin, pjesën e dytë të episodit të katërt me zotin Arben Ahmetaj. Kemi sqaruar gjendjen juridike të Arben Ahmetajt, aty ku e lamë në fakt para një viti. Dy herë refuzim kërkesës për ekstradim. Prej tre vjetësh duhet të ishte sipas Dumanit i arrestuar edhe pse akoma çështja s’ka shkuar në gjykatë. Dhe i kërcënuar sistematikisht, por dhe i gatshëm për të folur njëkohësisht. Zoti Ahmetaj, kthehemi tek denoncimet dhe dosjet që keni në tavolinë
Arben Ahmetaj: Zoti Peka, përpara se të kalojmë te dosjet, ju i quani denoncime, unë i quaj fakte dhe informacion me shqiptarët. Do desha që të vazhdoja, të kapërceja nga vetvetja te Shqipëria, te pyetja juaj.
Çim Peka: Po.
Arben Ahmetaj: Çfarë ka ndodhur gjatë 2025-ës? Gjatë 2025-ës ka dalë në pah gjithë rënia e shtyllave sistemike të shtetit. Shqiptarët kanë parë me sytë e tyre që aty nuk ka shtet në definicionin zyrtar normal të shtetit. Aty ka shtet privat të një njeriu. U bënë zgjedhjet. E mban mend, besoj, më pyesnin shumë njerëz, si mendon, kush i fiton zgjedhjet dhe unë qeshja. Dhe i thosha nga çfarë njoh unë, e ka one way. E ka me një rrugëshe, një kalim. Nuk ka mundësi të dytë. Në një mënyrë ose në një tjetër do t’i marrë zgjedhjet. Dhe ka tre raporte shumë serioze. Është raporti i OSBE-ODIHR-it.




