Berisha: Ramaduro i Venezuelës doli sot para gjyqit! Rrëzimi i diktatorëve është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar
Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë fjalës në ‘Foltoren’ para kryeministrisë u shpreh se, Ramaduro i Venezuelës ka dalë sot para gjyqit, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment historik në betejën globale kundër diktaturave moderne.
Ai e krahasoi vitin 2026 me periudhën e rrëzimit zinxhir të diktaturave komuniste, duke theksuar se sot rreziku më i madh për demokracinë nuk janë më regjimet ideologjike klasike, por narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale, të cilat, sipas tij, minojnë sovranitetin e kombeve përmes farsave zgjedhore dhe shtypjes së vullnetit të qytetarëve.
Berisha: Miq, viti 2026 ngjason shumë në histori me vitin e rrëzimit të diktaturave komuniste njëra pas tjetrës.
Sot diktaturat më të përhapura janë narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale.
Lavdi Zotit, ushtria amerikane, qeveria e SHBA, në një operacion më të përsosurin në histori, arrestuan dhe nxorën sot para gjyqit Ramaduron e Venezuelës, apo Maduron e Venezuelës.
Mediat e majta, të kontrolluara nga qeveria në Shqipëri, nga mëngjesi gjer në darkë u bien borive se u shkel sovraniteti, se kjo shkeli ligjin ndërkombëtar.
Miq, dhunuesit më të mëdhenj të sovranitetit të kombeve, dhunuesit më të mëdhenj të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar janë diktatorët dhe diktaturat.
Rrëzimi i tyre është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, ligjin kombëtar, për qytetarët e vendeve të shtypura.
Nuk ka sovranitet vendi në të cilin zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale.
Narko-diktatori apo diktatori që shndërron zgjedhjet në farsë shkelmon dhe asgjëson sovranitetin e kombit të tij.
Ai nuk meriton një ditë të qëndrojë në pushtet.




