Bardhi: Rama po pengon kërkesën e SPAK për Ballukun, po përpiqet të blejë kohë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Bardhit, Rama ka deklaruar hapur se do të pengojë kërkesën e SPAK-ut, duke treguar, sipas tij, frikë dhe panik, pasi “rrethi po i ngushtohet”.
Ai theksoi se çështja Balluku nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një zinxhiri vendimmarrjeje që, sipas tij, çon deri në zyrën e Kryeministrit.
Reagimi i plotë
Frikë, panik dhe blerje kohe: reagimi i një kryeministri që e di se rrethi po i ngushtohet!
Reagimi i sotëm i Edi Ramës është reagimi i një frikacaku, që e di se rrethi po i ngushtohet. Ai është frikacak, sepse nuk përballet me akuzën, por sulmon ata që e hetojnë.
Një kryeministër i pastër, pa lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, sot do të duhej të mblidhte me urgjencë Parlamentin dhe t’i hiqte imunitetin zëvendëses së tij, të pandehur për 1.1 miliardë euro tenderime korruptive.
Pse nuk bëhet kurioz Edi Rama për “dardhat dhe mollët” që Belinda Balluku i ka ngrënë, por na u bëka kurioz pse SPAK-u po vepron shpejt? Sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush është porositësi i aferave korruptive të firmosura nga Belinda Balluku. Çështja “Balluku” nuk është rast i izoluar, por hallkë e një zinxhiri vendimmarrjeje që kalon nga zyra e Kryeministrit. Prandaj, Edi Rama kërkon të blejë kohë me një çështje në Gjykatën Kushtetuese, pa asnjë lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.






