SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ Si u fituan tenderat e Unazës së Madhe, 73% e kompanive u skualifikuan
Prokuroria e Posaçme dërgoi më 16 dhjetor në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për të lejuar arrestimin e zv. kryeministres Belinda Balluku, nën akuzë për manipulimin e një sërë tenderash të Unazës së re me vlerë dhjetëra miliona euro.
Përveç dy hetimeve të mëparshme për tunelin e Llogarasë dhe një lot të Unazës së Madhe, SPAK njoftoi të martën se Balluku ka marrë cilësinë e personit në hetim për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi lidhur me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Tenderat e rinj për të cilët Balluku është në hetim janë: “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. Të gjithë këta tendera u zhvilluan në të njëjtën kohë në shtator 2021.
Sipas një analize të mëparshme të BIRN, nga shtatë tenderat e Unazës së Madhe, gjashtë u fituan me shuma që shkonin nga 94.5% deri në 96.1% të fondit limit. Nga 48 kompani që morën pjesë në garë, 35 operatorë – ose 73% – u skualifikuan. Në disa raste, kompani të mëdha u nxorën jashtë gare për mungesë dokumentacioni bazik, si mosparaqitja e listës së stafit; ndërsa në raste të tjera për kritere teknike të pazakonta, si mungesa e një licence specifike për zhurmat. Kompani të tjera morë pjesë në garë fiktivisht. Ekspertët thonë se këto janë zakonisht të dhëna për tendera me probleme.
Balluku dhe ish-drejtues të ARRSH-së, Evis Berberi, Gjyli, Elezi e vartës të tjerë të saj, u akuzuan fillimisht se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese. Për këtë akuzë GJKKO caktoi pezullimin e saj nga detyra më 20 nëntor të këtij viti.
Image
Kërkesa e SPAK vjen si përshkallëzim i vendimit të mëparshëm për pezullimin nga detyra të Ballukut, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas një përballje me kryeministrin Edi Rama.
Menjëherë pas bërjes publike të kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut, kryeministri Edi Rama reagoi duke akuzuar sërish prokurorinë për arreste pa gjyq, duke lënë të kuptohet se do të vijojë të mbrojë numrin 2 të qeverisë së tij. Përmes një mesazhi në platformën X, Rama tha se kërkesa e prokurorit special nuk do të paragjykohej, por veçoi gjithashtu Ballukun nga rastet e tjera.




