Investigimi/Afera e rrugës Korçë-Ersekë, si u falsifikua projekti që çoi në shembjen e rrugës

Investigimi/Afera e rrugës Korçë-Ersekë, si u falsifikua projekti që çoi në shembjen e rrugës

Mirëmbrëma, po fillon Plug. Në emisionin e kaluar, treguam disa nga aferat e Erion Isait në Bashkinë e Kolonjës, skemat “5D” dhe shpërdorimin e miliona eurove tendera për ndërtim ujësjellësash. Sonte, do të flasim për një tjetër aferë, rrugën Korçë-Ersekë, që u kushtoi taksapaguesve shqiptarë më shumë se 82 milionë euro.

Do t`ju tregojmë sesi miqësia Erion Isait me Entela Çanon, çoi në falsifikimin e projektit të rrugës Korçë-Ersekë, duke fryrë kostot me gati dyfishin e vlerës fillestare dhe mbi të gjitha, duke ndërtuar një rrugë që u shemb pa u inaguruar.

‘Plug’ do të tregojë sesi rruga, që ishte parashikuar të ndërtohej për rreth 35 milionë euro, u përfundoi me 88 milionë euro. E gjitha kjo, ndodhi për shkak të një projekti të falsifikuar, e hartuar pikërisht nga njeriu, që më pas fitoi edhe tenderin për mbikqyrjen e punimeve.

Fillimisht, do t`ju njohim me ngjarjen e 18 shkurtit 2024, që çoi vuri në lëvizje SPAK, ndonëse ky institucion dhe jo vetëm, ishin në dijeni që në vitin 2020 për tenderin e falsifikuar dhe rrezikun e shembjes së rrugës.

Mëngjesin e 17 shkurtit 2024, një pjesë e segmentit të rrugës Korçë-Ersekë, u shemb. Rruga pësoi shkarje masive në segmentin Loti II pjesa e parë me gjatësi 4.15 km.

Një ditë përpara se rruga të shembej, Syri television nëpërmjet korrenspodentëve në qarkun e Korçës paralajmëroi rrezikun. Gazetarja Sidorela Xhomaqi solli pamje, vetëm 24 orë para, ku dukej se trupi i rrugës kishte pësuar ulje, duke u shkëputur në një pjesë të konsiderueshme të tij.

Një ditë më pas, rruga përfundoi në rrënojë. Reagimet për këtë ngjarje ishin të shumta nga politika dhe ekspertët, por të vetmit që nuk folën, ishin zyrtarët e qeverisë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e infrastrukturës Belinda Balluku…

Heshtja e qeverisë për këtë skandal, ishte konfirmim për cilësinë skandaloze të punimeve në këtë rrugë, e cila nëse do të kishte qenë e hapur për mjetet ne momentin e shembjes, mund të kishte shkaktuar një tragjedi.

SPAK nisi hetimet pas skandalit të 18 shkurtit 2024, mbi bazën e kallëzimit penal të depozituar në Prokurorinë e Posaçme që në 30 tetor 2020, nga inxhinieri Romeo Nazarko. Në atë kallëzim, inxhinieri kërkonte hetim për Drejtorin e Kohës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe kompaninë ANK me pronar Agim Kolën, vëllain e ish-deputetit socialist, Ndue Kola, i cili në fakt është shfaqur më vonë si inxhinier i rrugës.

ARRSH pranon zyrtarisht, se gabimet në projektim janë shkaku i shembjeve në rrugën Korçë-Ersekë. “Shkaku i shembjes së një pjese të segmentit rrugor në lotin e dytë, pjesën e parë, në shkurt të vitit 2024 është humbja e qëndrueshmërisë së bazamentit nga ndryshimi i nivelit të ujrave nëntokësore”-thuhet në një raport të ARRSH.

Pesë vjet pas kallëzimit të 30 tetorit 2020, SPAK mori të pandehur kryebashkiakun e Ersekës, Erion Isai dhe gjashtë vartës të tij, si dhe sipërmarrësen Entela Çano, njeriu që falsifikoi projektin e rrugës Korçë-Ersekë, për të cilin do flasim në këtë emision.

TË PANDEHUR PËR “SHKELJE E BARAZISË NË TENDERA”

1. Erion Isait, Kryetar i Bashkisë Kolonjë

2. Muharem Tartari, Punonjës Bashkia Kolonjë

3. Engjell Dine, Punonjës Bashkia Kolonjë

4. Ermal Zylfo, Punonjës Bashkia Kolonjë

5. Armand Tafil Punonjës Bashkia Kolonjë

6. Erjon Cenko Punonjës Bashkia Kolonjë

7. Shpëtim Liço Punonjës Bashkia Kolonjë

8. Entela Çano Punonjës Bashkia Kolonjë

 

Deri më sot, Erion Isai është paraqitur dy herë në SPAK, ndërsa për mediat është shprehur se ka shkuar për të dhënë dëshmi si person që ka dijeni.

Pesë vjet nga regjistrimi i kallëzimit penal, SPAK sqaron në dosjen hetimore, se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, objekt i hetimit të këtij procedimi penal rezulton të jenë procedurat e prokurimit si më poshtë:

Dyshimet e ngritura nga SPAK janë se Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai dhe bashkëpunëtorët e tij, në vetëm katër procedura prokurimi, dyshohet se kanë abuzuar me një vlerë prej 20 milionë eurosh. Indicia fillestare e SPAK, nisur nga kallëzimi Penal i bërë nga shtetasi Romeo Nazarko, është fakti se rruga Korçë-Ersekë nisi të ndërtohej pa u miratuar leja e ndërtimit në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe për më tepër, pas miratimit të saj, do të duhej të pritej edhe zbardhja e plotë e saj.

Nga të dhënat rezulton se tenderi për ndërtimin e rrugës Korçë –Ersekë, loti i dytë me gjatësi 4.15 km, është zhvilluar në muajin tetor të vitit 2020, dhe shpallja e fituesit është bërë pikërisht në datën 8 tetor të atij viti. Një muaj më pas, në datën 24 nëntor firma fituese, ANK Konstruksion, ka nisur punimet për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë. Ndërsa Plug kërkoi në faqen e AZHT se kur është miratuar leja e ndërtimit të rrugës.

Nga të dhënat publike, ekziston vetëm një njoftim, ku KKT ka miratuar Leje Ndërtimi Infrastrukture për objektin: “Rruga Korçë-Ersekë Loti 2, gjatësia 4.15 km”, me vendndodhje në Bashkinë Kolonjë, me zhvillues Autoriteti Rrugor Shqiptar. Mbledhja e KKT është zhvilluar në datën 3 dhjetor 2020, ndërsa është njoftuar për mediat në datën 4 dhejtor të vitit 2020, pra dhjetë ditë pasi në terren kishin nisur punimet. Plug verifikoi dhe faqen e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, ku pesë vjet pas miratimit të lejes së ndërtimit për rrugën Korçë-Ersekë nuk ekziston ende asnjë vendim i zbardhur me detajet teknike të saj.

Por arsyet pse nuk është zbardhur vendimi, duket se lidhen pikërisht me faktin se projekti i rrugës ishte abuziv dhe i falsifikuar. Projekti i rrugës Korçë-Ersekë, u hartua nga kompania A&E Engeineering, në pronësi të shtetases Entela Çano, një ish punonjëse e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për të cilën do të flasim në mënyrë të detajuar në këtë emision.

Nga të dhënat rezulton se në datën 4 mars 2020, Erion Isai i ka dërguar një shkresë kompanisë së Entela Çanos, duke i kërkuar shërbim projektimi, dhurim apo donacion të projektit të rrugës Korçë-Ersekë në Lotin e dytë. Një muaj më pas, në datën 3 prill 2020, Entela Çano i kthen përgjigje pozitive Erion Isait se ishte e gatshme të hartonte falas projektin e rrugës Korçë-Ersekë për bashkinë e Kolonjës duke bërë bamirësi. Dhe çuditërisht, sapo posteri dorëzoi zarfin në zyrën e protokollit të bashkisë, Erion Isai dhe Entela Çano shkojnë te noteri dhe firmosin:

“Kontrate sponsorizim shërbim projektimi Nr.1, datë 03.04.2020 për objektin “Studim projektim rruga Korçë – Ersekë Loti 2” ndërmjet palëve Bashkia Kolonjë, si përfitues dhe “A & E Enginnering” sh.p.k, si sponsorizues, protokolluar me nr.1086 prot. Bashkia Kolonjë, përfaqësohet në këtë kontratë nga kryetari i Bashkisë, Erion Isai, ndërsa subjekti “A & E Enginnering” sh.p.k, përfaqësohet nga administratorja shtetësja Entela Çano” thuhet në dosjen e SPAK.
Entela Çano nuk e lë bamirësinë ndaj Erion Isait në plan të dytë, por për këtë punë që nëse do të ishte tenderuar do të kërkonte së paku dy vjet studim në terren dhe më pas hartim projekti, Entela Çano e kryen për vetëm dy muaj. Në datën 1 qershor 2020, shoqëria sponsorizuese A&E Engineering, depoziton pranë bashkisë së Ersekës projekt-zbatimin për ndërtimin e rrugës Korçë Ersekë.

Në të njëjtën ditë, Erion Isai firmos urdhërin Nr.260, ku është urdhëruar ngritja e komisionit për marrjen në dorëzim të projekt-zbatimit, me objekt “Ndërtim rruga Korçë – Ersekë, loti II’, përbërë nga shtetasit Muharrem Tartari (kryetar) dhe anëtarë shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine. Dhe anëtarët e komisionit, pa pasur kohë as të lexojnë parashikimet ligjore për një veprim të tillë, marrin në dorëzim projektin e Entela Çanos. Në procesverbal përshkruhet se:

“Komisioni ka marrë në dorëzim projekt-zbatimin, me objekt “Ndërtim rruga Korçë – Ersekë, loti II’. Ky procesverbal është nënshkruar në emër të anëtarëve të komisionit, shtetasve Muharrem Tartari, Erjon Cenko, Engjëll Dine, nga administratorja e shoqërisë sponsorizuese “A & E Engineering sh.p.k, shtetasja Entela Çano, miratuar nga kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai’ thuhet në dosjen e SPAK.
Pas marrjes në dorëzim, në 12 qershr 2020, Erion Isai dërgon projektin e rrugës Korçë-Ersekë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. Në datën 14 gusht, Këshilli Teknik i ARRSH, ka miratuar projekt zbatimin e përcjellë, duke lënë disa detyra për plotësim.

Pesë ditë më vonë, Bashkia Kolonjë i kthen përgjigje ARRSH në lidhje me detyrat e lëna. Projekti që Bashkia Kolonjë i dorëzoi ARRSH dhe më pas do të zbatohej nga firma ANK për vlerën e 28 milionë eurove, për ndërtimin e vetëm 4.15 kilometrave rrugë, ishte i falsifikuar që në gjenezë.

Vetë SPAK ka zbuluar se Entela Çano dhe një nga vartësit e Erin Isait, Ëngjëll Dine, falsifikuan firmën e Kreut të Komisionit të marrjes në dorëzim të projektit, Muharrem Tartari. Ky i fundit nuk ka qenë fare i pranishëm në mbledhjen e komisionit, ndërsa në emër të tij ka firmosur Ëngjëll Dine, ndaj të cilit SPAK ka ngritur akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” kryer në bashkëpunim, ndërsa e njëjta akuzë çuditërisht ende nuk është ngritur ndaj Entela Çanos.

Nga aktet e administruara rezulton se anëtarët e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit të projektit, shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me shtetasen Entela Çano, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, me objekt: “Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2”, datë 01.06.2020, duke përshkruar rrethana të rreme në përmbajtje për personat pjesëmarrës në këtë veprim, duke e paraqitur si të pranishëm edhe kryetarin e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit, shtetasin Muharrem Tartari, por që në të vërtetë rezulton se nuk ka marrë pjesë shtetasi Muharrem Tartari, siç provohet nga deklarimi i tij dhe nga akti i ekspertimit grafik të shkrimit dhe nënshkrimit në këtë procesverbal në emër të tij, që rezulton të jetë i falsifikuar,” thuhet në dosjen e SPAK.
Plug
Syri tv

Share it :