Kriza e Air Albania/ ‘Media Amerikane’: Kompania drejt falimentimit, anullojnë fluturimet por udhëtarët nuk i kontaktojnë

Kriza e Air Albania/ ‘Media Amerikane’: Kompania drejt falimentimit, anullojnë fluturimet por udhëtarët nuk i kontaktojnë

Media amerikane “The Street” ka përfshirë Air Albania në analizën e saj për krizën e fundit që ka përfshirë industrinë europiane të aviacionit, duke i kushtuar një pjesë të veçantë ndalimit të fluturimeve nga kompania shqiptare që prej 7 dhjetorit.

Artikulli i “The Street” e paraqet situatën e Air Albania si pjesë të një fenomeni më të gjerë ku disa linja ajrore europiane janë detyruar të ndërpresin operacionet për shkak të problemeve financiare dhe kostove të larta të aviacionit.

Sipas medias amerikane, të dhënat e FlightAware dhe raportimet e mediave vendase tregojnë se fluturimet e planifikuara drejt Milanos dhe Stambollit nuk janë realizuar, ndërsa udhëtarët janë detyruar të devijojnë përmes Prishtinës dhe Podgoricës. “The Street” thekson se kompania nuk ka dhënë asnjë shpjegim publik dhe nuk ka paraqitur kërkesë zyrtare për falimentim, megjithëse ka pasur anulime të shumta dhe mungesë komunikimi me klientët.

Humbje për të pestin vit radhazi, bilancet e padorezuara dhe konfirmimi nga Turkish Airlines

Kriza në Air Albania nuk është e papritur. Prej pesë vitesh rresht, kompania rezulton me humbje. Megjithëse Air Albania ka refuzuar të dorëzojë bilancet financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, partneri dhe aksioneri i saj, Turkish Airlines, ka konfirmuar publikisht përkeqësimin e gjendjes financiare të kompanisë shqiptare.
Shitja e 49% të aksioneve të Air Albania nga Turkish Airlines në nëntor ka shtuar edhe më shumë pasiguritë, ndërsa vetë Turkish ka vijuar investimet në linja të tjera ajrore, duke ulur mbështetjen për transportuesin shqiptar.

Ndërkohë, para pak muajsh redaksisë së Syri TV i ka mbërritur një denoncim i fortë nga një punonjëse e Air Albania, e cila, duke kërkuar ruajtjen e anonimatit, deklaron se kompania është vetëm “ditë, në mos orë, larg shpalljes së falimentit”.

Sipas denoncimit:

• Air Albania ka aktualisht vetëm 2 avionë në flotë.

• Të dy avionët ndodhen të bllokuar në Stamboll, të sekuestruar nga kompania Etihad, e cila ia kishte dhënë me qira flotën Air Albanias.

• Sekuestrimi është bërë për shkak të detyrimeve të papaguara dhe borxheve të mëdha të kompanisë shqiptare.

• Në denoncim përmendet gjithashtu se Air Albania ka vënë në dispozicion të kryeministrit Edi Rama një avion-taksi, ndërkohë që kompania vuan kolaps financiar.

Vëmendje ndërkombëtare për krizën e Air Albania

Fakti që situata e Air Albania ka marrë vëmendjen e një mediaje të madhe amerikane si “The Street” e kthen çështjen në një problem të profilit të lartë, përtej kufijve të Shqipërisë. Artikulli i medias amerikane e rendit Air Albania përkrah një sërë kompanish europiane që kanë ndaluar operacionet në muajt e fundit, ndërsa pyetjet për të ardhmen e transportuesit kombëtar shqiptar po shtohen dita-ditës.

Në mungesë të transparencës nga vetë kompania dhe me avionët e saj të sekuestruar në Stamboll, ekspertët e industrisë paralajmërojnë se Air Albania ndodhet në pikën më kritike që prej themelimit të saj në vitin 2018

Share it :