Vazhdon mbrojtja/ Rama sërish në cilësinë e avokatit të Ballukut: Pezullimi po zgjat listën e punëve të bllokuara!

Vazhdon mbrojtja/ Rama sërish në cilësinë e avokatit të Ballukut: Pezullimi po zgjat listën e punëve të bllokuara!

Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me dërgimin në Kushtetuese të vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Teksa përpiqet të mbrojë zëvendësen e tij e cila është zyrtarisht e pandehur për korrupsion, Rama ka dhënë sërish arsyet e tij se pse i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit të Ballukut, duke argumentuar se ministres po i pengohet puna.

Sipas Ramës, ka disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin.

“Ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara”, thotë ai.

Reagimi i Ramës

Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:

Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve.

Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.

Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.

Share it :