Kongresi i SHBA: Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri u zhvilluan nën presion politik

Kongresi i SHBA: Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri u zhvilluan nën presion politik

Në një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, studiuesi i çështjeve të Ballkanit, Eduard Joseph, ngriti shqetësime të forta për gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

Ai iu referua edhe raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, të cilin e quajti “një dëshmi të qartë të farsës elektorale” që, sipas tij, cënon parimet bazë të konkurrencës së ndershme.

“Raporti i ODIHR dokumenton intimidime, keqpërdorim të burimeve publike, presion ndaj punonjësve të administratës, blerje votash dhe probleme me fshehtësinë e votimit,” tha Joseph.

Ai foli edhe për rënien e pluralizmit politik dhe përndjekjen e liderëve të opozitës, duke përmendur rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Ka arrestime dhe ndjekje penale ndaj liderëve të opozitës. Kjo përbën një rrezik serioz për demokracinë në Shqipëri,” theksoi Joseph para anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongres.

Joseph u tha antarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan:

“Sundimi i ligjit mbetet një kërkesë themelore. Shtetet e Bashkuara dhe shtetet kryesore të BE-së kanë mbështetur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një sistem gjyqësor të pavarur, të besueshëm dhe efikas në Shqipëri. Të dhënat sugjerojnë një stok të fryrë çështjesh të prapambetura, duke i lënë qytetarët të presin me vite për një vendim përfundimtar. Këto vonesa minojnë besimin e publikut dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor.

Raporti i vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit identifikoi një sërë ndërhyrjesh në procesin zgjedhor. ODIHR citoi raportime për intimidim, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion ndaj punonjësve të administratës, raste intimidimi dhe blerje votash, si dhe probleme me fshehtësinë e votimit.

Ndërsa SHBA vijon bashkëpunimin e ngushtë me Tiranën, një aleate besnike e NATO-s dhe partnere e SHBA-së, Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje mbi sundimin e ligjit, integritetin dhe efikasitetin e gjyqësorit, arrestimet dhe ndjekjen penale të liderëve të opozitës, si dhe rënien e pluralizmit politik”.

Share it :