Shkullaku: Ramës i janë prishur balancat! SPAK i ka prekur ‘rrethin e hekurt’
Gazetari Armand Shkullaku, ka komentuar mbrëmjen e sotme dosjen e ministres Belinda Balluku dhe rolin e SPAK-ut në hetimin e saj.
Sipas Shkullakut, kjo është hera e parë që SPAK prek rrethin e hekurt të Edi Ramës, ndërsa shtoi se ky i fundit po përpiqet të ushtrojë presion mbi sistemin e drejtësisë.
Shkullaku thotë se nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në asnjë vend europian që një kryeministër të komentojë vendimet e gjykatës apo të prokurorisë në këtë mënyrë si Rama, ndërsa shton se cdo koment i tillë përkthehet si presion ndaj pushtetit tjetër.
‘Çështja është, për shkak të Belinda Ballukut a po sulmon Rama drejtësinë e re? Prapë po them po, sepse nuk ka ndodhë dhe nuk ndodh në asnjë vend europian, të paktën aty ku Rama do na fusë në 2013-ën, që kryeministri i një vendi, pra që është duke ushtruar detyrën e kryeministrit, sulmoi një gjykatë, një prokurori, aq më pak gjykatën kushtetuese, t’i bëjë presion, nën tekst, se si duhet të marri një vendim.
Pse e them këtë gjë?
Sepse dihet që nuk e bën njeri, sepse çdo koment i një kryeministri, i një presidenti, pra që ka pushtet tjetër, jo pushtetin e drejtësisë, do të përkthehej si presion apo si kërcënim ndaj një pushteti tjetër.
Unë e kuptoj që Rama mund të ketë edhe hallin e ndërhyrjes së kompetencave, që po na i marrin kompetencat, është ndërhyrje e një pushteti në pushtetin tjetër, po prishet parimi i check and balance.
Por për këtë punë mund të dilte zoti Engjëll Agaçi, sekretari i përgjithshëm, që në emër të kryeministrit apo këshilltari juridik i kryeministrit, të thoshte ne kemi çuar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese të na bëjë këtë interpretim. Ne si palë që jemi, besojmë këtë gjë.
Kryeministri në detyrë nuk është palë, në kuptimin që ai nuk mund as të komentojë, as t’i sugjerojë gjykatës se çfarë vendimi duhet të marri që ta lërë atë të qetë. Pra kjo është nga pikëpamja formale.
Nga pikëpamja jo formale, nga pikëpamja politike, është ajo që kemi thënë që këtë herë ka ndodhur diçka e re, që Belinda Balluku nuk po hetohet as për pllakat e banjos, as për të brendshmet, as për shtëpitë në bregdet. Belinda Balluku po hetohet për një vendimmarrje të Edi Ramës. Pra Belinda Balluku me gjithë Edi Ramën kanë shkuar në Turqi, kanë anulluar një tender.
Dhe kanë marrë letrat e një kompanie turke për t’i përdorur në këtë rast. Unë shikoj pra këtu jo hallin e Ramës për pavarësinë e pushteteve, pra që pushtetet janë të ndara dhe këtë e thotë një njeri që nuk ka lënë asnjë pushtet pa futur duart, qoftë edhe pushtetin tonë.
Por, këtu është rasti i parë që unë mendoj që, kjo është hipotezë që do ta provojë koha, por mendoj se për herë të parë, SPAK ka kaluar rrethin e hekurt që Rama i kishte vizatuar.
Ky është rasti i parë që Ramës po i preket një nga kolonat që e mban në këmbë, korrupsioni nga lart, pra ai qeveritar që prodhon para. Jo thjeshtë për disa përqindje që i fusnin në xhep dikur, 10-15%. Nuk po flasim për atë korrupsion, po flasim për korrupsion 100%. Se të vjedhësh 50 milionë euro me një goditje është korrupsion 100%.
Të bësh kompani me drejtorët dhe të marrësh krejt lekët e tenderave ky është korrupsion 100% dhe këtë e dimë, si me ‘5D’ për zgjedhjet në Tiranë, ‘5B’ për zgjedhjet në Fier, ‘5R’ për zgjedhjet në gjithë Shqipërinë.’, u shpreh ndër të tjera, gazetari Armand Shkullaku në SYRI TV.




