Efektivi i Antiterrorit Igli Haxhia u arrestua brenda Akademisë së Sigurisë, në një operacion të sinkronizuar me SPAK dhe sipas informacioneve të mbërritura nga Italia. Ai është oficeri i radhës i policisë që prangoset pasi rezultoi të ishte rekrutuar nga një grup i trafikut ndërkombëtar të drogës.

Nga përgjimet e italianëve, rezulton se në kohën kur shërbente në Forcën e Posaçme Operacionale, Haxhia ka tradhtuar detyrën duke kaluar në anën e krimit; nga efektiv i Operacionale në burim informacioni për bandën, që sot është goditur në bashkëpunim me Antimafian e Breshias dhe autoritetet zvicerane.
Hetimet e përbashkëta tregojnë se oficeri i Operacionales ka nxjerrë në treg sekretin hetimor për personat e dyshuar. Sipas SPAK, Igli Haxhia merrte para në këmbim të të dhënave duke mbyllur njërin sy për disa nga detyrat e tij në shërbim të trafikantëve të drogës.
Rasti i Haxhias lidhet drejtpërdrejt me një operacion të madh antidrogë, ku një grup i strukturuar kriminal me bazë në territorin shqiptar dyshohet se ka importuar mbi 1300 kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës Veriore, për ta futur më pas në Itali me mjete të tonazhit të rëndë. Në këtë mekanizëm, roli i një oficeri policie që ka akses në informacion, në veprime hetimore dhe në akte të klasifikuara është i paçmuar për kriminelët. Por rekrutimi i një polici nga bandat, ka kohë që nuk është më lajm në Shqipëri.
Gangrena e policëve që tradhtuan uniformën

Vitet e fundit janë të shumta rastet kur efektivë policie, nga njësitë speciale te rendi i thjeshtë, janë kapur si pjesë e organizatave kriminale. Pak javë më parë, Muçi Sheqeri, oficer i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, u qëllua me breshëri në makinën e Gilmando Danit gjatë atentatit të disa ditëve më parë. Ai ishte në rolin e shoferit dhe shoqëruesit për një prej njerëzve më të rrezikshëm të rrethit të Emiljano Shullazit, emër që mban mbi vete dënime për vepra të rënda kriminale.
Rasti i Ervis Martinajt tregon të njëjtin model bashkëpunimi mes policisë dhe krimit. Jeton Lami, efektiv i Njësisë Operacionale në skuadrën FAST, e shoqëronte Martinajn në lëvizjet e tij, megjithëse ky i fundit ishte i shpallur në kërkim. Hetimet provuan se Lami ishte personi që e kishte shoqëruar deri në Durrës pak orë para se Martinaj të zhdukej.
Në Shkodër, oficerët e hetimit nuk kanë qenë gjithmonë vetëm në anën e ligjit. Ardit Hasanbegaj, oficer në strukturat e hetimit dhe rendit publik, u ekspozua nga bisedat e dekriptuara në SKY ECC si pjesë e bandës së Bajrajve dhe Pëllumb Gjokës. Ai u akuzua nga SPAK për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Pra sërish një efektiv policie në shërbim të planeve kriminale të një grupi, jo për t i zbuluar krimet e tyre, por për t’i realizuar ato.
Edhe kupola e policisë nuk ka qëndruar e paprekur nga akuzat. Oltion Bistri, ish shef i Forcës së Posaçme Operacionale dhe më pas ish drejtor i Policisë në Durrës dhe Lezhë, u arrestua si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal. Një drejtues i lartë i policisë, që në teori duhet të udhëheqë luftën kundër krimit të organizuar, del në praktikë si pjesë e tij. Në Lezhë, ish drejtori Henrigert Mitri rezultoi i rekrutuar nga një grup kriminal i kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe në aktivitetet e lojërave të fatit. Aktiviteti i tij u dokumentua po ashtu nga bisedat e SKY ECC, një tjetër rast ku teknologjia nxjerr zbuluar lidhjen mes uniformës dhe bandës.
Lista vijon me emra të tjerë. Dritan Metaj u arrestua nga SPAK si pjesë e grupit të Gëzim Çelës, një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës në vend. Arlind Ismailukaj, efektiv policie, u prangos në operacionin “Flakë në det”, të lidhur sërish me trafikun e lëndëve narkotike. Të gjitha këto dosje të marra së bashku e shndërrojnë atë që shpesh prezantohet si devijim individual në një model të përsëritur, ku krimi i organizuar nuk e ka aspak të vështirë të blejë besnikërinë e njerëzve brenda uniformës.
Seria e emrave tregon se organizatat kriminale nuk kënaqen më me korruptimin eposodik të zyrtarëve të zakonshëm, por se e kanë vënë nën shërbimin e tyre të vazhdueshëm trupën policore duke kapur kupolën e saj.
Në krye të policisë, i paprekshmi Ilir Proda

Pavarësisht rasteve të shumta që janë zbuluar kur policët kanë qenë në shërbim të bandave, kryeministri Edi Rama ka refuzuar të pranojë nevojën e një reforme për pastrimin e policisë së shtetit.
I pyetur për atentatin e fundit, kur Gilmando Dani shoqërohej nga efektivi i AMP, Muçi Shaljani, kryeministri Rama devijoi dhe foli për nevojën e kamerave të sigurisë në zonën përreth Rinasit. Përgjigjia e Ramës u duke e çuditshme pasi atentati u filmua plotësisht nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth.
Këtij qëndrimi indiferent të Ramës për përfshirjen e policëve në rrjetet kriminale, i shtohet fakti se drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda vazhdon ta ruajë të padiskutueshëm besimin e shefit të qeverisë.
Duket se dyshja Rama-Proda janë në një simbiozë të rehatshme, ku njëri ruan shpatullat e tjetrit, pa u shqetësuar aspak nga fakti se nën komandën e Prodës, efektivët po kapen njëri pas tjetrit teksa shërbejnë si shoferë, roje sigurie, informatorë dhe korrierë për bandat që kontrollojnë trafikun e drogës dhe botën e krimit.
Çdo ditë që kalon, hetimet e SPAK, përgjimet e platformave të koduara dhe dosjet që vijnë nga Bashkimi Europian tregojnë se gangrena në polici ka avancuar në çdo kat të kësaj strukture.

Dyshimet se kjo gangrena ka infektuar edhe kupolën e policisë i përforcoi rasti i Ritvan Palit, ish shef komisariatit nr.2 në Tiranë.
Disa muaj më parë, Pali vuri në pranga të shumëkërkuarin Altin Morina, ish efektiv i RENEA-s i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge. Nga përgjimet e SKY ECC u zbulua se Morina ishte në shërbim të bandës së Durim Bamit në Fushë-Krujë disa vite më parë. Por ai u arrestua në Tiranë në prill të këtij viti për të dytën herë.
Operacioni u ndoq nga afër nga SPAK dhe u konsiderua një goditje serioze ndaj një grupi kriminal me degëzime në disa qarqe. Por pas operacionit, në vend se të vlerësohej shefi i komisariatit u bë “i padëshiruar” në sytë e drejtuesve më të lartë të policisë.
Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm Ilir Proda, Ritvan Pali nisi një kalvar transferimesh penalizuese. Fillimisht iu ul grada. Më pas u zhvendos dhe përfundoi i “internuar” si specialist rendi në Kukës, një post ku nuk kishte asnjë lidhje me eksperiencën e tij profesionale dhe ku “ndëshkimi” ishte i dukshëm.
Pali zgjodhi të largohej nga policia. Në media u raportua se edhe disa prej efektivëve të përfshirë në operacion u transferuan në pozicione të tjera më të ulta, në dukje si ndëshkim për arrestimin e Altin Morinës në 4 prill 2025.
Kur u pyet për këtë histori në komisionet parlamentare nga deputeti i PD, Flamur Noka.
Por Ilir Proda u përgjigj me ironi, por edhe duke pranuar se ishte ai që e kishte urdhëruar transferimin e policit: “Në qoftë se të shërbesh në Kukës qenka persekutim, ky është problemi juaj zoti Noka, jo i imi. Pyeteni se përse ka dhënë dorëheqjen, meqë mbakeni kontakt”.
Janë të shumta akuzat që e shënjestrojnë Ilir Prodën, si njeriun që qëndron detyrë, si garant i ekuilibrit mes bandave në njërën anë, dhe interesave të pushtetit në anën tjetër. E sigurtë është që për të, s’ka asnjë rëndësi që kaq shumë policë zgjedhin të paguhen nga krimi. Në fund të fundit, ata kanë kuptuar se janë të tradhëtuar në radhë të parë nga kupola e policisë, ndaj dhe asgjë nuk i pengon të kalojnë edhe vetë në anën tjetër të ligjit./Lapsi.al






