Dosja “Metamorfoza”, një hetim që bazohet në mesazhet e dekriptuara të SKY ECC ka qenë një nga kuajt e betejës së SPAK në luftën kundër krimit të organizuar, pasi ekspozoi një lidhje të vjetër mes grupeve kriminale dhe zyrtarëve të korruptuar në prokurori dhe në polici.
Në vitin 2023, “Metamorfoza” u shfaq si një operacion i jashtëzakonshëm: goditja e parë e madhe në Shqipëri e bazuar mbi komunikimet e dekoduara të SKY ECC dhe EncroChat, një dosje që shihej edhe si meritë e drejtësis së re. Por vendimi i sotëm i Gjykatës së Posaçme mbylli në heshtje atë që SPAK e kishte nisur me zhurmë, për pesë nga shtatë të pandehurit e dosjes për të cilët dënimet ishin më të ulët nga sa kishin nisur hetimet.
Në fund të seancës, trupa gjykuese dënoi Behar Brajoviç (Bajri) me 8 vite e 8 muaj burg, Edmond Prekën me 7 vite, Astmer Bilalin me 5 vite e 8 muaj, ish-shefin e Operacionales Oltion Bistrin me 2 vite burg për “zbulim të akteve sekrete” dhe ish-prokurorin e Kukësit Xhevahir Litën me 3 vite e 4 muaj burg për korrupsion dhe “zbulim të akteve sekrete”. Dy të fundit, ish-polici dhe ish-prokurori dolën të lirë nga salla, pasi dënimi konsiderohet i shlyer me kohën e paraburgimit.
Këto masa janë dukshëm më të ulëta se sa kërkesat fillestare të SPAK dhe pesha penale e dosjes është zbehur ndjeshëm në raport me atë që u reklamua publikisht si një “gjyq i madh i SKY-ECC”.
Gjykimi për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-zyrtarin e policisë Ardit Hasanbegaj është veçuar dhe pritet të përfundojë me një vendim të ndarë.
Xhevahir Lita, ish-prokurori me SKY ECC

Në qendër të akuzës ndaj Xhevahir Litës nuk ishin thjesht dy episodet formale të “korrupsionit pasiv”, por mënyra se si ai shfaqej në komunikimet e SKY ECC me Behar Bajrin, i njëjti person që akuzohej për vrasje, gjobëvënie, pastrim parash dhe drejtim grupi kriminal.
Sipas dosjes, pak ditë para se të nisin mesazhet në SKY, një gjyqtar në Tiranë i zbuti në 29 qershor 2020 masën e sigurisë Behar Bajrit nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”. Për këtë vendim, SPAK dyshon se gjyqtari ka marrë një shumë deri në 5 milionë lekë të vjetra. Lita ishte prokurori i çështjes.
Vetëm një ditë pas lirimit, më 30 qershor 2020, Behar Bajri, i identifikuar edhe si Behar Brajoviq i shkruan Litës në SKY: “…Daci vogel jam… ta paqa borgj vlla…ta po rrim nej dit gjejm nej vend e rrim…tiranë jam…”
Prokurori i përgjigjet duke i kujtuar Bajrit detyrimet e tjera para institucionit: “…ok ke me u paraqitë të hënën…në prokurori…të hënën në orën 10…”
Ky pasazh është vetëm një nga ato që dëshmon raportin e ngushtë mes prokurorit dhe të pandehurit që shkon më tej në kërkesat e tij.
Biseda rëndohet kur tema kalon tek “problemi” i vëllait të tij, Enver Bajrit, i cili ndodhej në të njëjtën dosje penale dhe ishte në kërkim ndërkombëtar.
Pikërisht aty shfaqet oferta prej 100 mijë eurosh që Behar Bajri i bën Litës, për ta ndarë me gjyqtarin: “…zotni 100 mijë euro i ka të mi kyn dhe për vllanë dhe të mijat dhe ndaji ti me të a çat dush, kur të dush dhe 100 mijë euro i ke kur të dush. Rregulloji vetë me të ti, por du si mos na çajn nesër kush k***n me na këto histori. Fol me të vetë, nuk ke punë me kën, na e kena drejt për drejt bashkë…”
Përgjigjja e Litës ishte shmangëse, por jo refuzuese në përmbajtje: “…bo bo ça flet, flasim kur të takohemi…ik ore mos fol ashtu, bo bo si fliske ti…”
Dhe më pas ai jep një udhëzim tipik për një person që e kupton se mesazhet janë prova në gjykatë: “…E fshi këto sms e sotme se ia kemi futur kot…fshi tani në moment se harron…”
Lita ishte i vetëdijshëm për dosjen e vrasjeve, gjobëvënieve dhe pastrimit të parave të grupit Bajri, por edhe se ai vetë lëviz në kufijtë e ligjit për ta bërë sa më të “butë” trajtimin penal të tyre.
Në fund të gjykimit, provat u përkthyen në një dënim relativisht të ulët, 5 vite në total, të reduktuara në 3 vjet e 4 muaj, dhe Lita doli i lirë nga salla me argumentin se e kishte shlyer dënimin në paraburgim.
Përgjimet për Oltion Bistrin: garant i kazinove të Pëllumb Gjokës

Oltion Bistri është ndër oficerët më të lartë të policisë që u prekën nga “Metamorfoza”. Në momentin e arrestimit, ai sapo ishte shkarkuar nga detyra si shef i Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit. Më herët, kishte qenë drejtor policie në Lezhë, drejtor në Durrës dhe shef i Komisariatit nr. 2 në Tiranë.
Forcat Operacionale, të cilat ai i drejtoi deri pak ditë para prangave, janë ndër strukturat më të rëndësishme operative, përfshirë përgjimet ambientale dhe zbatimin në terren të urdhërave të prokurorisë. Pikërisht në këtë pikë, roli i tij bëhet problematik: nga personi që duhet të zbatojë ligjin, Bistri doli në skenë si garanti i kazinove të Pëllumb Gjokës në Tiranë, në këmbim të ryshfetit.
Një nga komunikimet më domethënëse të SKY ECC, të cituar në dosje, është biseda e 25 nëntorit 2019, ora 03:17, ku Pëllumb Gjoka, duke përdorur identitetin “7142D9”, komunikon me përdoruesin “DB7ED1”, të identifikuar si Oltian Bistri.
Në dosje shkruhet se: “Më datë 25.11.2019 ora 03.17 shtetasi Pellumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DB7ED1 i identifikuar si Oltian Bistri. Ky i fundit i shkruan, ai tek xhevo kishte thène, ka 25 kompjutera dhe nje ruletë. Ju kish thene do e filmoj tjua sjell edhe dua I miljon lek për informacionin. E gjen dot cili eshte? Sma tha dr. Se ai ma tha para se te ikja, kish merak e para se te ikja ne Gjermani me takoj. Duhet kujdes pak se drejtori eshte trembur. I thash per njërin qe donte te fuste tre copè dhe kishte frike.”
Ky fragment flet vetë: “do e filmoj tjua sjell edhe dua 1 milion lek për informacionin”,një zyrtar tjetër i policisë, i përmendur prej Bistrit, kërkon shpërblim për t’i sjellë Gjokës informacion operacional duke i kujtuar se “duhet kujdes pak se drejtori është trembur”.
Në dosje Bistri shfaqet si urë lidhëse brenda policisë, i informuar për operacionet, për gatishmërinë e kolegëve për “të filmuar” dhe “të sjellë informacion kundrejt pagesës” dhe njëkohësisht, ai vetë raporton te Gjoka se “duhet kujdes”, sepse drejtori është i trembur.
Emri i Bistrit u identifikua falë dekodimit nga autoritetet belge dhe holandeze të komunikimeve përmes EncroChat dhe SKY ECC, që iu dorëzuan SPAK. Hetimet ndaj tij u mbyllën me tre akuza: “korrupsion pasiv”, “zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Vendimi i sotëm, megjithatë, e redukton gjithë këtë sjellje në një dënim 2-vjeçar vetëm për “zbulim të akteve sekrete” dhe e shpall të pafajshëm për korrupsion dhe pastrim parash.
Pasuria e Bistrit: 3.1 milionë euro
SPAK u përpoq ta çonte çështjen e Bistrit edhe në frontin pasuror, por këtu ngrihen pikëpyetje të tjera. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme u vendos sekuestro preventive mbi 22 njësi (dyqane/ambiente biznesi), 10 apartamente, një vilë luksoze në rezidencën “Green Valley”, një truall në “Rrugën e Kosovarëve”, një garazh në Selitë dhe një “Range Rover Sport”, me një vlerë totale, të cilën SPAK e vlerësoi rreth 3.1 milionë euro.
Në arsyetimin e akuzës u tha se pasuritë e Bistrit dhe familjarëve të tij janë “disa herë më të larta se të ardhurat e ligjshme” dhe se ato janë objekt masash parandaluese pasurore, sipas ligjit “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”.
Por akuzat për “korrupsion” dhe “pastrim të produkteve penale” ndaj Oltion Bistrit u rrëzuan nga gjykata. Vendimi penal e lejon ish-shefin e Operacionales të dalë i lirë nga qelia me një dënim minimal./Lapsi.al






