Çollaku: Belgët, holandezët dhe francezët sjellin dosjet në SPAK, ata i mbajnë në sirtarë për të mos prekur qeverinë

Çollaku: Belgët, holandezët dhe francezët sjellin dosjet në SPAK, ata i mbajnë në sirtarë për të mos prekur qeverinë

Gazetari investigativ Basir Çollaku, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ të Sonila Meços në SYRI TV, ka komentuar vizitën e dy ministrave belgë në Tiranë, të cilët kanë sjellë materiale voluminoze në adresë të SPAK.

Sipas tij, megjithëse prokurorisë speciale i kanë mbërritur dhjetëra e qindra dosje, ato nuk po procedohen për shkak të lidhjeve të tyre me qeverinë dhe njerëzit pranë saj.

SPAK-ut i kanë mbërritur dhjetëra e qindra dosje, por ata i mbajnë në sirtarë për të mos prekur qeverinë dhe njerëzit e saj,’ deklaroi Çollaku.

Gazetari nënvizoi se vizita njëjavore e dy ministrave belgë në Shqipëri dhe Kosovë ka qenë e shoqëruar me alarm serioz për mungesën e progresit në hetimin e trafikut të drogës.

‘Belgët, holandezët dhe francezët janë tërësisht të pakënaqur nga puna e Prokurorisë së Posaçme në adresë të luftës kundër trafikut të drogës me dosje që ata kanë sjellë treçerek të gatshme. Jo 100%, sepse duhen verifikime këtu, por pothuajse të kryera,’ u shpreh ai.

Çollaku theksoi se në Belgjikë po hetohen shumë më tepër çështje që lidhen me trafikantët shqiptarë sesa në Shqipëri, megjithëse autoritetet e të dy vendeve disponojnë të njëjtat materiale.

‘Vetëm në Belgjikë, numri i çështjeve që po hetohet është shumë herë më i lartë se ai i SPAK. Materialet janë të njëjta, nuk mungojnë.’

Ai kujtoi rastet e njohura si ‘Toyota Yaris’, çështjen ‘Çopja’, si dhe dosjet ‘Aruba’ dhe ‘Shqiponja e Zezë’, duke theksuar se bëhet fjalë për miliarda euro të investuara përmes aktiviteteve kriminale.

‘Bëhet fjalë për miliarda euro trafik, miliarda euro nëpër llogari, miliarda euro në investime strategjike të firmosura nga kryeministri i vendit, Edvin Kristaq Rama. Ky i fshehuri i madh,’ tha Çollaku.

Ai shtoi se strukturat e huaja kanë dokumentuar edhe ekip vrasësish të paguar me 1 milion euro, si dhe lidhjet mes trafikut dhe investimeve në Shqipëri, përfshirë ndërtime në Tiranë dhe resorte në bregdet.

Çollaku përmendi edhe çështjen e biznesmenit Halili, i implikuar sipas antimafias italiane, duke rikujtuar se dosja që prej vitit 2020 ndodhet në SPAK pa përparim.

‘Ata atje hetojnë, ndëshkojnë, sekuestrojnë. Po këtu ç’bëhet? Ecin si Napoleoni këta,’ u shpreh ai.

Gazetari përmblodhi se partnerët europianë kanë sjellë dokumente dhe prova me ‘tonelata’, kanë kërkuar bashkëpunim, por ende nuk ka asnjë goditje të nivelit të lartë në Shqipëri:

‘Ne i dimë kush janë pushtetarët dhe politikanët që janë të përfshirë. Ata i dinë. I sjellin edhe këtu. Vijnë ministrat këtu, takojnë ministrat tanë, prokurorët tanë, gjyqtarët tanë. Kanë sjellë materiale. Po këtu ç’bëhet?’

Share it :