Sorosi modifikoi rregullat e votimit për të ndihmuar Mamdanin të fitonte

Sorosi modifikoi rregullat e votimit për të ndihmuar Mamdanin të fitonte

Nga John Fund, NY POST

Shpjegimet për fitoren e Zohran Mamdanit theksojnë përqendrimin e tij te kostoja e jetesës, përdorimin e zgjuar të mediave sociale, mangësitë e Andrew Cuomo-s dhe numrin gjithnjë në rritje të personave me origjinë nga Azia Jugore dhe të rinjve të zhgënjyer në qytet.

Por ka edhe një faktor tjetër kyç. Aleatët e Mamdanit në organizatat ‘Democratic Socialists of America’, ‘Working Families Party’ dhe fondacione të majta kanë punuar për vite me radhë për të ndryshuar ligjet zgjedhore të qytetit — ndryshime që i dhanë një shtysë të fuqishme kandidaturës së tij.

Më e rëndësishmja ndër to është votimi sipas renditjes së preferencave (ranked-choice voting – RCV), të cilin votuesit e miratuan në vitin 2019 pas një fushate ku pothuajse nuk pati opozitë të organizuar, ndërsa përkrahësit — si Jonathan Soros, djali i miliarderit George Soros — shpenzuan mbi 2 milionë dollarë.

Në mënyrë interesante, votimi sipas renditjes së preferencave zbatohej vetëm për zgjedhjet paraprake të partive dhe jo për zgjedhjet e përgjithshme. Këtë vit, kjo veçori i mundësoi Mamdanit të fitonte primaret me vetëm 44% të votave.

Në zgjedhjet e përgjithshme ai fitoi me vetëm 50.4%, ndërsa një sondazh i Universitetit Suffolk javën e kaluar zbuloi se ai ishte zgjedhja e dytë e vetëm 3% të votuesve që nuk mbështesnin as atë dhe as Cuomo-n.

Josh Kraushaar, redaktori i Jewish Insider, përfundoi: “Nëse qyteti i Nju Jorkut do të kishte përdorur sistemin e votimit sipas renditjes së preferencave, siç bëri në primare, kjo garë do të ishte kokë më kokë”.

Ndërkohë, përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez ka lavdëruar sistemin e votimit sipas renditjes së preferencave, duke thënë se ai u mundëson kandidatëve progresistë të mbështesin njëri-tjetrin në mënyrë të ndërsjellë.

Në zgjedhjet primare të këtij viti, ajo (Ocasio-Cortez) u shpjegoi me kujdes mbështetësve të saj se si duhej të rendisnin kandidatët në fletën e votimit.

Deb Otis, drejtoreshë e kërkimeve në grupin pro–votimit sipas renditjes së preferencave FairVote, tha se pa këtë sistem “kandidatët progresistë do të ishin përplasur mes tyre gjatë gjithë kohës”.

Në vitin 2021, zgjedhjet e para ku Nju Jorku përdori këtë sistem, dy kandidatë demokratë për kryetar bashkie ndanë votën progresiste, gjë që i mundësoi kandidatit më të moderuar, Eric Adams, të fitonte me 50.4% në raundin e tetë të numërimit.

Por në të njëjtin vit, votimi sipas renditjes së preferencave ndihmoi që progresistët të dominonin dy garat e tjera në nivel qyteti (për kontrollor dhe avokat publik) dhe të fitonin shumë vende në Këshillin Bashkiak.

“Kryetari i ri i bashkisë do të jetë i rrethuar nga të gjitha anët nga progresistë,” mburrej Sochie Nnaemeka, drejtoresha e shtetit të Nju Jorkut për ‘Working Families Party’.

Mark Penn, ish-këshilltar elektoral i presidentit Bill Clinton, shprehu keqardhje se “e majta ka ndërtuar me kujdes rregullat e votimit në qytetin e Nju Jorkut”, duke përdorur sistemin për t’u dhënë “votuesve me prirje të majta një mundësi të dytë vote, ndërsa nuk e aplikon atë në zgjedhjet e përgjithshme, duke penguar republikanët të mbështesin një kandidat alternativ më të moderuar”.

Hank Sheinkopf, një këshilltar veteran demokrat, pajtohet me këtë vlerësim. Ai thotë se sistemi i votimit sipas renditjes “ua heq fuqinë qytetarëve të këtij qyteti dhe ia jep të majtës”.

Një përparësi tjetër e Mamdanit ishte sistemi bujar i fondit publik të përputhjes së kontributeve (public matching funds), një kauzë e hershme e grupeve të majta.

Fillimisht, programi ofronte përputhje 1 me 1 mes fondeve publike dhe private.

Me kalimin e viteve, raporti u rrit, dhe në vitin 2018, kryebashkiaku i atëhershëm Bill de Blasio — një mbështetës i fortë i Mamdanit — e ngriti atë në 8 me 1 për 250 dollarët e parë të çdo kontributi nga banorët e qytetit.

Mamdani mori 12.7 milionë dollarë nga fondet publike të përputhjes — shumica e buxhetit total.

David Sirota, ish-këshilltar i lartë i Bernie Sanders, tha: “Pa paratë publike, është e sigurt që [Mamdani] nuk do të kishte arritur kurrë të siguronte mjaftueshëm burime për t’u bërë i njohur te votuesit”.

Së fundi, një vendim gjykate i vitit 2006 rrëzoi një ligj që ndalonte partitë të shpenzonin para në zgjedhjet primare të partive të tjera. Kjo e lejoi ‘Working Families Party’ të financonte, organizonte dhe rekrutonte kandidatë, duke përcaktuar shpesh fituesit e primareve demokratike.

Kjo parti mund të pranojë ligjërisht kontribute deri në 138.600 dollarë për donator — shumë më tepër se entitete të tjera — çka i jep një ndikim të madh në zgjedhjet me pjesëmarrje të ulët dhe e ndihmon të zhvillojë një rrjet që shtrihet në gjithë strukturën e qeverisjes së qytetit.

“’Working Families Party’ i përdori këto mjete me saktësi në zgjedhjet primare për kryetar bashkie të Nju Jorkut në vitin 2025,” tha Joseph Burns, ish-zëvendësdrejtor i Bordit të Zgjedhjeve të Shtetit të Nju Jorkut, për Manhattan Institute.

“Fushata e saj nuk u përqendrua vetëm në forcimin e Mamdanit, por edhe në bllokimin e rivalit të tij kryesor dhe armikut të vjetër të WFP-së, Andrew Cuomo. Partia i inkurajoi mbështetësit e saj që të rendisnin cilindo kandidat tjetër, përveç Cuomo-s, në votimin sipas renditjes së preferencave.”

Zgjedhja e Mamdanit, pra, mund të thuhet se u “projektua” me mjeshtëri — dhe progresistët në pjesë të tjera të vendit po e ndjekin me vëmendje këtë shembull.

Aktualisht, sistemi i votimit sipas renditjes së preferencave përdoret në shtetet Maine, Alaska dhe Hawaii, si edhe në qytetet më të mëdha të shtatë shteteve të tjera.

Të martën që shkoi, kandidatja progresiste Kaohly Her mbeti pas në raundin e parë të votimit sipas renditjes së preferencave (RCV) për kryetare bashkie të Shën Palit, Minesota, por më pas arriti të mposhtë kryebashkiakun në detyrë në raundin e dytë.

Sipas FairVote, legjislaturat demokrate në Kolorado, Oregon dhe Nevada mund të miratojnë së shpejti përdorimin e sistemit RCV, ndërsa në Miçigan është në zhvillim një nismë popullore për ta futur në votim.

“Horizontet tona janë zgjeruar në mënyrë të jashtëzakonshme,” thotë Daniel Goulden, bashkëkryetar i strategjisë së Democratic Socialists of America në qytetin e Nju Jorkut, i cili e përshkruan fitoren e Mamdanit si “një model që mund të përsëritet 100%.”

Votuesve që duan të parandalojnë shfaqjen e “Mamdanëve” lokalë në qytetet apo shtetet e tyre u këshillohet të kushtojnë shumë më tepër vëmendje rregullave të lojës — dhe atyre që i shkruajnë ato.

Share it :