Kryetari duhet në detyrë?”/ Rasti “Beleri” u pret shpresat idhtarëve të Erion Veliaj

 

Nga Boldnews.al

Gjykata Kushtetuese rrëzoi pak ditë më parë vendimin e  Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pasi Këshilli Bashkiak dhe qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk janë bazuar në Kushtetutë dhe nuk kanë respektuar procesin e rregullt ligjor.

Pas këtij vendimi, mbrojtësit ligjorë zyrtarë të Veliajt, por edhe shumë avokatë të zellshëm mediatikë, kanë forcuar thirrjet se ai duhet të kthehet në krye të detyrës, pasi “Tirana ka nevojë të drejtohet nga kryetari i zgjedhur”.

Për këtë grup, i cili po zgjerohet gjithnjë e më shumë, “Gjykata vendosi rikthimin në detyrë të Veliajt” dhe se ai nuk mund të mbahet i arrestuar në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses.

 

Procesi i zhvilluar në Kushtetuese ishte i natyrës administrative dhe nuk ka asnjë lloj lidhjeje me procesin penal për “korrupsion i zyrtarëve të lartë” në 9 episode, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”, i cili po e mban Erion Veliajn të paraburgosur që prej shkurtit të vitit 2025.

Në foto: Momenti i arrestimit të Erion Veliaj

Për të bërë një ndarje të qartë mes proceseve, ka menduar më herët edhe vetë Gjykata Kushtetuese, kur shqyrtoi rastin e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Situatat proceduriale mes Belerit në atë kohë dhe Veliajt aktualisht, janë identike, sipas një analize të kryer nga “Boldnews.al”.

Veliaj- Beleri, argumenta të njëjtë

Çfarë ka kërkuar Erion Veliaj në tre shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë dhe çfarë shpreson nga Gjykata Kushtetuese, përsa i përket masës së sigurimit “arrest me burg” në procesin penal?

Në mënyrë të përmbledhur, Veliaj pretendon lirimin nga paraburgimi, pasi; (1) po mbahet i paraburgosur pa një vendim dënimi; (2) masa është jo-proporcionale, dhe se (3) ai po pengohet të ushtrojë mandatin që i kanë dhënë qytetarët.

Saktësisht, të njëjtat gjëra kërkoi Beleri në të tre shkallët e gjyqësorit, deri në Gjykatën Kushtetuese.

Në foto: Fredi Beleri në gjykatë

Fredi Beleri u arrestua nën dyshimet për “korrupsion në zgjedhje”, në ditët e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2023. Pavarësisht arrestimit, ai u shpall fitues në zgjedhje. Por, Beleri nuk arriti ta siguronte mandatin e kryebashkiakut, pasi ishte i arrestuar.

Gjatë kohës që ishte nën masën e sigurimit, ai kërkoi lirimin, pasi; (1) po mbahej i paraburgosur pa një vendim dënimi; (2) masa e sigurimit ishte jo-proporcionale, dhe; (3), po i privohej e drejta për të ushtruar mandatin e fituar nga zgjedhësit.

Pretendimet e Belerit dhe Veliajt para gjykatave ngjajnë si dy pika uji.

Beleri mbeti në burg

Në 21 mars 2024, Gjykata Kushtetuese, rrëzoi me një shumicë absolute (8-1) kërkesën e Fredi Belerit, për të zbutur masën e sigurimit “arrest me burg”, e cila do t’i lejonte të merrte mandatin në krye të Bashkisë së Himarës.

Kufizimi i lirisë personale

Në atë vendim, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vendimet e gjykatave më të ulta (Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, Gjykata e Posaçme e Apelit dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë) kanë respektuar normat proceduriale për të aplikuar masën e arrestit.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme ka pasur dyshimin e arsyeshëm për kryerjen e veprës penale nga Beleri dhe se gjykatat kanë arsyetuar vendimet e tyre për aplikimin e masës së sigurimit “arrest me burg”.

Share it :