Zyrtare/ Florian Binaj kandidati i PD per kryetar bashkie ne Tirane

 

Zyrtare/ Florian Binaj kandidati i PD per kryetar bashkie ne Tirane

Florian Binaj është kandidati i pavarur që do të mbështesë opozita për zgjedhjet e pjesshme lokale për Bashkinë e Tiranës.

Lajmin e bëri të ditur kreu demokrat Sali Berisha pas mbledhjes së PD-së, i cili theksoi se kandidatura e tij do t’iu paraqitet aleatëve për ta mbështetur në këto zgjedhje.

“Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”- tha Berisha.

Aktori i njohur Florian Binaj është kandidatura që Partia Demokratike do ta mbështesë për postin e kryetarit bashkie në Tiranë në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor. Në një dalje për median pasditen e sotme lideri i PD-së, Sali Berisha tha se Binaj ishte personaliteti i shquar i artit dhe luftëtari i paepur i kauzave të qytetarëve shqiptarë dhe ftoi të gjithë aleatë, opozitarët e qytetarët ta mbështesin si një kandidaturë që i bën nder çdo qytetari dhe kryeqytetit të vendit. Tashmë emri i Florian Binajt do i paraqitet aleatëve nga grupi i mandatuar nga PD.

Po kush është Florian Binaj?

Florjan Binaj lindi në 11 tetor 1985 dhe është një nga aktorët e shquar të gjeneratës së re në Shqipëri.

Ai njihet dhe për rolet e tij si komedian në Show-n e mbrëmjes Portokalli në Top Channel, dhe si moderator i emisionit Investigativ Piranjat transmetuar në Syri TV.

Binaj është shumë i njohur për qëndrimet e tij publike dhe gjithmonë në favor të qytetarëve pa u angazhuar direkt politikisht në iniciativa të ndryshme.

Me zërin e tij të fuqishëm ai ka ndikuar tek qytetarët duke qenë gjithmonë në krah të tyre ne zhvillime të rëndësishme.

Aktori i njohur pak ditë më parë bëri të ditur se do të kandidonte për bashkinë e Tiranës, duke sjellë kështu një risi të re ne politikën shqiptare.

Binaj do të përballet në këtë garë me kandidaten e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu, ndërsa vendimi për zgjedhjet vjen pas shkarkimit të Erion Veliajt nga detyra.

Ndërkohë që PD ka shprehur mbështetjen për Binaj, edhe kjo tregon një tjetër risi në poltikën shqiptare.

Risi që po e zhvillon Partia Demokratike duke shprehur mbështetjen për një kandidat jo politik dhe i angazhuar vetëm në artin e tij dhe emisionin investigativ Piranjat që temat e tij kryesore janë lufta kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend.

Pra përveç aktivitetit në media, Binaj është përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në nisma të shoqërisë civile, kryesisht në fushën e mjedisit dhe të drejtave qytetare.

Ai ka marrë pjesë në protesta dhe ka mbajtur qëndrime publike.

Florian Binaj është 40 vjeç, baba i tre fëmijëve.

Share it :