Vritet brenda Gjykatës së Apelit gjyqtari Astrit Kalaja, autori në proces per pronat

Vritet brenda Gjykatës së Apelit gjyqtari Astrit Kalaja, autori në proces per pronat

ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje gjatë një seance gjyqësore.

Sipas raportimeve gjyqtari Kalaja po zhvillonte një çështje administrative për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore kur një person i armatosur ka hyrë në sallën e gjyqit dhe e ka qëlluar me armë.

Përveç gjyqtarit, të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë është identifikuar dhe arrestuar autori i vrasjes së gjyqtarit Kalaja dhe plagosjes së dy personave të tjerë, sipas policisë ai është E.SH 30-vjeç.

Raportohet se autori ishte prej disa vitesh i përfshirë në gjyqe për çështje pronësie, por ende nuk dihet nëse vrasja ka lidhje me këto procese.

Astrit Kalaja u emërua gjyqtar në vitin 1993, ka shërbyer si zv.kryetar i Gjykatës së Apelit Shkodër dhe si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2019 u konfirmua në detyrë pas procesit të Vettingut.

Njoftimi i policisë
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.

PD kërkon dorëheqjen e ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë
Pas vrasjes së gjyqtarit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë.

Bardhi ka theksuar se ngjarja tronditëse është pasojë e mungesës së sigurisë në gjykata dhe ka lidhur këtë situatë me sulmet e kryeministrit ndaj vendimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai ka vënë në dukje se nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.

“Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të japë vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe Ministri i Brendshëm Albana Koçiu, si përgjegjës për sigurinë në gjykata, duhet të japin dorëheqjen si akt përgjegjshmërie”, shkruan Bardhi.

Share it :