Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës këtë të mërkurë ishte një zgjatim i skenave të parlamentit, ku përfaqësuesve të opozitës u mbyllet goja dhe nëse ngrenë zërin dhe protestojnë, përjashtohen.
Që në nisje të mbledhjes, kur kryetarja e këshillit bashkiak, Romina Kuko po prezantonte rendin e ditës, këshilltari i opozitës Indrit Brahimllari ka kërkuar të flasë por nuk është lejuar. Pavarësisht këmbënguljes, Kuko i ka dhënë përgjigje negative. Kjo ka sjellë edhe degradimin e situatës.
Në fillim Kuko i ka kërkuar Brahimllarit të dalë nga salla, më pas, siç shihet në një filmim të kryer nga këshilltarët e tjerë të opozitës, ajo e ka kërcënuar se do ta nxjerrë jashtë me policinë bashkiake. Shkak i këtij agresiviteti që shfaqi Kuko ishte thjesht kërkesa e këshilltarit bashkiak për të folur.
Duhet thënë se kalimi i shpejtë i vendimeve dhe mbyllja e gojës së opozitës ka qenë një skenar i parapërgatitur. Ndërsa këshilltarët e opozitës kërkonin fjalën, Erjon Veliaj u kërkonte të pushonin dhe të mos flisnin. Më pas, kur kryetarja e këshillit, Romina Kuko nisi procedurat për votimin, Veliaj qeshte me ta. Video më poshtë:
Si përfundim, këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste kanë ngritur kartonat jeshilë njëri pas tjetrit, pa asnjë diskutim, pa ditur se çfarë votohej dhe pa pyetur se çfarë po votonin. Vendimet kaluan pa u diskutuar, ndërsa Brahimllari është këshilltari i dytë që penalizohet pas Tedi Blushit. Në mbledhjen e kaluar Blushi i la një palë pranga Veliajt në tryezë dhe për këtë u ndëshkua me përjashtim.
Ky është mandati i tretë i Veliajt si kryetar bashkie. Përgjatë mandatit të dytë, nga viti 2019 deri në vitin 2023 këshilli bashkiak ishte i kontrolluar nga Partia Socialiste, sepse PD-LSI bojkotuan zgjedhjet. Tani që opozita është rikthyer në sallë, për Veliajn duket se dhënia e shpjegimeve përballë këshillit bashkiak është një luks që ata nuk e meritojnë./Lapsi.al





