Pas lajmeve të shumta lidhur me armën që deputeti I Partisë Demokratike ka pasur ditën e protestës tek parku I liqenit ka ardhur edhe reagimi nga deputeti Gent Strazimiri.
Ai ka hedhur poshtë të gjithë skenarët e paraqitur nga socialistët.
Në llogarinë e tij personale në “Facebook” ai shkruan:
“…me rastin e 1 prillit unë personalisht kam marrë një “urim” të dedikuar nga çeta në pushtet! Pas dështimit të varianit “bomba e ambasadës sovjetike”, shokët e Sigurimit kanë montuar variantin “armë në altarin e kishës.” Gjthsesi më duhet ta falënderoj shokët e Sigurimit dhe çetën sipas mënyrës time: KURRË në jetën time politike nuk kam pranuar dhuratë as të lirë e as të shtrenjtë, të çfarëdo lloji qoftë, nga askush!” –shkruan Strazimiri.
Lidhur me hipotezat se ditën e protestës ai ka pasur një armë tjetër nga ajo që ka pasur me leje, Strazimiri thotë se kjo është e pamundur.
“Në rastin konkret e vërteta del fare thjesht: njerëz pa pasaportë edhe gjen. Armë pa “pasaportë” jo. Madje arma e pajiset me “pasaportë” ende pa dalë nga fabrika dhe quhet “enduser certificate”. Cilido që ka mbajtur, transportuar apo dhuruar një armë, duhet të paraqesë “enduser certificate” përndryshe teknikisht ka kryer veprën penale të “trafikimit të armëve”. Nëse arma pa “enduser certificate” ka ardhur nga jashtë Shqipërisë, klasifikohet në “trafik ndërkombëtar të armëve”. Pra cilido që kërkon të vërtetën, veçanërisht media, e nxis që të kërkojë nga cilido burim zyrtar ose jo, këtë dokument që nuk lejon askënd të gënjejë apo të fshihet!”- shkruan deputeti i PD-së.
“Personalisht kam pranuar armë vetëm nga armaturat zyrtare të shtetit shqiptar, në bazë të të gjithë legjislacionit në fuqi. “Griseldi” i çetës këtë e di mirë, madje ka edhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ta provuar. Në lidhje me sa më sipër, do të ndërmarr të gjitha hapat ligjore, për të çuar para drejtësisë cilindo që deri në këto momente ka prodhuar, montuar mbajtur e shpërndarë skenare të çfarëdo lloji me qëllim dezinformimin e opinionit publik dhe denigrimin e personit tim” – e mbyll reagimin e tij deputeti Gent Strazimiri.





