Gëzim Saliu
Edhe pse Fatos Tushe kandidon në emër të koalicionit të majtë për Bashkinë e Lushnjës, dje ai është “përfshirë” edhe në garën për Mallakastrën. Një gafë me posterin, ku në vend të kandidatit të propozuar nga LSI Shyqyri Kapllani në Mallakastër është vendosur emri i propozimit të PS-së Fatos Tushe që kandidon në Lushnjë ka sjellë humor në rrjetet sociale. Nuk besojmë se PS ka pasur qëllim për “puç” ndaj aleatëve kryesorë në koalicion dhe ndryshimin e posterit munda ta cilësojmë thjesht një gafë.
Letra e hapur dhe deputetët e LSI-së/ Rama: I gatshëm që bashkë me Patozin të denoncojmë në Prokurori çdo provë për Vorën
“Çfarë pret zoti prokuror i Përgjithshëm?! Përse nuk ka reaguar ende, ndërkohë që janë bërë mbi 24 orë nga apeli publik i zotit Patozi?!”
Për forcën politike të drejtuar nga Ilir Meta, Bashkia e Vorës është kthyer në epiqendrën e këtyre zgjedhjeve. Në qendër të akuzave të opozitës për një garë të pandershme dhe përdorim të forcave policore me synim tjetërsimin e votës, LSI nga ana tjetër është hedhur në sulm kundrejt kandidatit të PD-së në Vorë. Pas akuzave për shtim fiktiv të votuesve, LSI përmes sekretarit të përgjithshëm, Luan Rama, iu drejtua dje me një letër të hapur të gjitha institucioneve që janë të përfshira në procesin zgjedhor të 21 qershorit për çështjen e Bashkisë Vorë. Në formë përgjigje të letrës së hapur të dy ditëve më parë të deputetit demokrat Astrit Patozi, Rama theksoi se partia ku ai bën pjesë është gati të denoncojë në Prokurori çdo provë që cenon procesin zgjedhor. “Në letrën e hapur me të cilën ju është drejtuar Ju, zoti Astrit Patozi paralajmëron dhe ju fton të bëni diçka, siç nënvizon ai: “…për ta ndalur marshimin e së keqes që po vringëllin armët e krimit vetëm 13 km larg qendrës së Tiranës”! Nëse nuk është spekulim a shpifje qëllimligë çfarë prisni?!… Çfarë pret zoti prokuror i Përgjithshëm?! Përse nuk ka reaguar ende, ndërkohë që janë bërë mbi 24 orë nga apeli publik i zotit Patozi?! Dje dhe sot gjithë ditën unë kam qenë në Vorë. Kam takuar me dhjetëra e dhjetëra qytetarë dhe askush prej tyre nuk me la të kuptoja se dikush diku po vringëllin armët e krimit. Ndoshta ja kanë thënë zotit Patozi! Ndoshta! Ndaj, zoti prokuror i Përgjithshëm ftojeni zotin Patozi t’ju ndihmojë që ju të bëni detyrën”, – theksoi deputeti i LSI. Më tej sekretari i përgjithshëm, tha se mirëpret edhe bashkëpunimin e deputetit demokrat Patozi. “Jam i gatshëm që bashkë me Astrit Patozin të denoncojmë zyrtarisht me shkrim në organet e zbatimit të ligjit, çdo fakt e çdo provë, çdo emër dhe mbiemër që mund të rezultojë i implikuar në shkelje të ligjit, pa bërë asnjë dallim në janë emra nga radhët e mazhorancës apo të opozitës”, – theksoi ai.
Letra
Ndërkaq në letrën e tij, deputeti i LSI-së theksoi se forca e drejtuar nga Ilir Meta ka prioritet të panegociueshëm standardin e zgjedhjeve, transparencën e fushatës, korrektësinë dhe luajalitetin e garës zgjedhore. “Në një shtet normal demokratik ka institucione qe ligji i ngarkon me përgjegjësi për të ndëshkuar cilindo qe vepron në kundërshtim me ligjin. Demagogjia, spekulimi dhe me keq akoma falsifikimi e gënjeshtra e veshja e tyre me petkun e parimësisë, nuk bëjnë gjë tjetër por stimulojnë atë që zoti Patozi e përcakton ne letrën e vet si “krim i frikshëm elektoral”, – tha ai referuar deklaratave të deputetit të PD-së. Nga ana tjetër Rama i mbetet qëndrimit të LSI për Vorën ku tha se janë regjistruar qindra qytetarë që nuk janë votues në këtë bashki, për të votuar në favor të kandidatit të Partisë Demokratike. Dy ditë më parë deputeti demokrat Astrit Patozi në një letër të hapur shprehu shqetësimet në lidhje me atë qe e konsideroi krim elektoral në Bashkinë e Vorës. “Ka me dhjetëra prova dhe indicie, që të cojnë në përfundimin se pas kësaj klime mbytëse për zgjedhje normale, qëndron kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ndodhet në krye të një operacioni gati ushtarak, ku spikat sidomos administrata shtetërore e LSI, që ka braktisur zyrat në Tiranë dhe është instaluar e gjitha në Vorë… Ka një presion permanent mbi votuesit e opozitës, i cili shkon nga goditjet fizike, e deri tek kërcënimet nën tytën e armëve”, – shkruante Patozi.
Rama sulmon Gjikën në Vlorë: Në 21 qershor do të rimarrim qytetin
Kryeministri Rama përmbylli dje fushatën në Vlorë ku nuk ngurroi të deklaronte se ka ardhur koha që qytetarët të rimarrin qytetin. Edhe pse në 16 vitet e fundit kjo Bashki është drejtuar nga socialistë dhe në 8 vite nga Shpëtim Gjika, i cili ka qenë emri i përzgjedhur nga Rama në dy gara elektorale, duket se Kryeministri është ndarë përfundimisht me kryetarin aktual të Bashkisë Vlorë. “Edhe pak ditë kanë mbetur që këtu në Vlorë qytetarët të rimarrin qytetin. Edhe pak ditë kanë mbetur që unë në Vlorë të kem në zyrën e kryetarit të Bashkisë dikë që të punojë për Vlorën”, – tha Rama.
Zgjedhjet e 21 qershorit/ “Big Brother” për kutitë në Lundër, vendosen kamera për vëzhgimin e materialeve nga partitë
Subjektet zgjedhore në garë për lokalet e 21 qershorit mund të vëzhgojnë 24 orë në 24 ambientet ku janë vendosur materialet zgjedhore në Lundër. Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, bëri të ditur dje se kjo risi mundëson vëzhgimin dhe regjistrimin e të gjithë veprimtarisë që kryhet në magazinat e KQZ-së. “Në funksion të rritjes së transparencës dhe besimit të subjekteve zgjedhore në procesin zgjedhor, KQZ ka implementuar projektin e “Kamerave në Lundër”. Ky projekt i realizuar me buxhetin e KQZ-së, mundëson vëzhgimin dhe regjistrimin e të gjithë veprimtarisë që kryhet në magazinat e KQZ-së në Lundër. Gjithashtu ky projekt, mundëson edhe aksesin e subjekteve politike për të vëzhguar 24 orë online veprimtarinë në këto ambiente ku administrohen baza materiale zgjedhore”, – tha ajo. Po ashtu në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor të 21 qershorit, zëdhënësja e KQZ bëri me dije se ne këto zgjedhje për herë të parë personat me aftësi të kufizuara, e specifikisht të verbërve do t’u mundësohet votimi individual pasi në fletët e votimit për kandidatët dhe për këshillat janë vendosur shabllonet përkatëse. Fletët e votimit që do të përdoren në 21 qershor kanë mbërritur në Lundër që prej datës 12 qershor. Duke filluar nga kjo datë date KQZ ka nisur me fazën e përgatitjes së materialeve e që më pas finalizohet me procesin e shpërndarjes së kutive me materialet zgjedhore dhe me fletët e votimit në drejtim të qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë





