“Shqetësim i thellë në lidhje me kthimin në territorin e Shqipërisë të njerëzve të përfshirë në organizata dhe akteve terroriste në Lindjen e Mesme, parandaloni rekrutimin e vullnetarëve”
Dekriminalizimi i Kuvendit dhe i administratës si edhe ndërhyrjet e domosdoshme për t’i dhënë zgjidhje nivelit të lartë të korrupsionit në Shqipëri janë në qendër të 192 amendamenteve të draft-rezolutës së raportuesit Knut Fleckenstein. Këto amendamente pritet të diskutohen ditën e sotme në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, ku për dekriminalizimin nënvizohet trajtimi i personave me të dhëna kriminale në postet publike. “Mbështetet marrëveshja e 24 dhjetorit 2014, përmes së cilës u vendos që opozita të rifillojë aktivitetet e saj parlamentare. Kërkohet respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe shqyrtimi i çështjes së personave me të dhëna kriminale të kandidatëve për poste publike. Marrëveshja e dhjetorit duhet të zbatohet në frymë konstruktive. Konsiderohet e rëndësishme që e gjithë të shoqëria civile në Shqipëri, mediat dhe qytetarët të bëjnë të përgjegjshëm liderët e tyre për pasojat e politikave të caktuara”, – thuhet në amendamentet për marrëveshjen e dhjetorit.
Rezoluta
Ajo që vihet re në amendamentet e shumta për gjyqësorin dhe luftën kundër krimit të organizuar është përsëritja e togfjalëshit “infiltrimi i qarqeve kriminale”. “Drejtësia shqiptare përballet me probleme të tilla, si politizimi i organeve të saj, shkalla e kufizuar e llogaridhënies, korrupsioni në nivel të lartë, infiltrimi nga qarqet kriminale, mungesa e burimeve dhe numri i shumtë i lëndëve të pazgjidhura”, – thuhet në amendamentet për gjyqësorin. Në këto amendamente shprehet gjithashtu shqetësim lidhur me dobësinë e gjyqësorit shqiptar për të luftuar kundër korrupsionit brenda strukturave të veta. Në këtë kontekst, kërkohet forcimi i kornizës disiplinore për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, si dhe përmirësimi i efikasitetit të gjykatave. Po ashtu amendamentet e raportuesit Fleckenstein kërkojnë trajnimin e përbashkët dhe të specializuar për prokurorët, gjykatësit dhe oficerët e policisë. Ndërkaq korrupsioni mbetet ende një shqetësim shumë i madh në draft-rezolutë dhe të gjitha amendamentet lidhur me këtë fenomen. “Shqipëria duhet të zhvillojë një strategji gjithëpërfshirëse dhe të marrë masa për të hequr pengesat për hetimin efektiv, në mënyrë që të arrihen rezultate pozitive në hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënime në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet”, – evidentohet në amendamentet për luftën kundër krimit. Lidhur me administratën publike, amendimet theksojnë se ekzistenca e një administrate profesionale, efektive dhe të bazuar në meritë, është baza e procesit të integrimit për çdo vend që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Mirëpritet fillimi i zbatimit të ligji për shërbimin publik dhe kërkohet që administrata të vazhdojë si duhet, në mënyrë që shërbimi publik të jetë i depolitizuar dhe i lirë nga ndikimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga ana tjetër në amendamentet e raportuesit shprehet edhe shqetësim i thellë në lidhje me kthimin në territorin e Shqipërisë të njerëzve të përfshirë në organizata dhe akteve terroriste në Lindjen e Mesme. Në këtë kuadër theksohet nevoja për të marrë veprim vendimtar për të parandaluar çdo përpjekje dhe veprim me qëllim rekrutim e vullnetarëve. Pjesë e draftit janë edhe ndryshimet e kodit zgjedhor, ku ngrihet shqetësim lidhur me ndikimin e mundshëm të moszbatimit të këtyre ndryshimeve, që mund të ketë një ndikim negativ në zgjedhjet e ardhshme.
Arrestimi i deputetëve, BE pritet të ofrojë asistencë juridike në rast nevoje
Zhvillimet e fundit në vend, që pas çështjes “Doshi” dhe arrestimit të deputetit Mark Frroku, nuk pritet të përfshihen në projektrezolutën, që do të miratohet ditën e sotme nga Komiteti i Jashtëm europarlamentar. “Së bashku me kolegun e PPE-së, Kukan kemi vendosur të diskutojmë këtë situatë me Komisionerin Hahn dhe deri atëherë nuk jam në gjendje për të thënë se kush ka, ose jo, të drejtë”, – tha për “TCH” raportuesi për Shqipërinë në PE Knut Fleckenstein. Ndërkaq mësohet se eurodeputetët do të bisedojnë me komisionerin në takimin e ardhshëm i cili flitet të jetë nga data 22 prill, mbi mundësitë e Komisionit për të ofruar asistencë juridike, në rast nevoje, për hetimin e deputetëve të akuzuar; qëndrimet e fundit të Tiranës zyrtare mbi BE-në dhe rajonin; si dhe për ecurinë e vendit në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Lënia e mandatit/ Deputetët që do të garojnë për kryetar bashkie, ja kush i zëvendëson
Në zgjedhjet e 21 qershorit, një pjesë e kandidatëve do të jenë edhe ata që aktualisht janë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Deri më tani 6 deputetë janë zyrtarizuar nga të dyja forcat politike si kandidatë për zgjedhjet lokale, ku 4 prej tyre janë femra. Duke u përfshirë në garë, këta deputetë do të jenë të detyruar të lënë mandatin e tyre dhe rrjedhimisht do t’u japin mundësi atyre që qëndronin më poshtë në listën e partive përkatëse në zgjedhjet e 23 qershorit. Në vend të Armando Subashit dhe Majlinda Bufit që kandidojë në Fier, pritet të vijnë në Parlament Bujar Çela dhe Antoneta Dhima. Ndërkohë mandati i deputetit i Artur Bushit që kandidon për Bashkinë e Krujës pritet të kalojë tek Shkëlqim Troplini. Nga PD deri tani janë deputetët Ardian Turku i Elbasanit dhe Besnik Dusha i Tropojës që lënë mandatin për këto dy bashki. Në të dy këto qarqe PD nuk e ka respektuar kuotën e përfaqësimit të grave. Si rrjedhojë e kësaj, lista nuk spostohet tek emri pasardhës, por pritet të vijnë në Kuvend Arbjola Halimi e qarkut të Elbasanit dhe Mimoza Hajdarmataj nga ai i Kukësit. Nga LSI do të lërë mandatin Miranda Rira që garon për Bashkinë e Përrenjasit, duke i lënë vendin në Kuvend Edlira Çekrezi.





