Gëzim Saliu
Rendi, energjia dhe taksat përplasin mazhorancën dhe opozitën në Kuvend, akuzat dhe replikat e plota
Mes akuzave dhe replikave të forta u zhvillua dje seanca parlamentare, ku në qendër të debatit ishte situata e rendit në vend, ajo energjetike si edhe taksat e vendosura nga qeveria. Kundërshti të forta nga ana e opozitës, e kryesuar më së shumti nga ish-kryeministri Berisha, u përqendruan tek akuzat ndaj Kryeministrit dhe ministrave të qeverisë për lidhje me bandat kriminale. Në fjalën e tij, ish-kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se vendi ndodhet gjithnjë e më larg Evropës me qeverinë e majtë, pasi kjo e fundit, sipas Berishës, është e lidhur ngushtësisht me krimin. “‘Hakmarrja për Drejtësi’ është lidhur si mishi me thonjtë me familjarët e Kryeministrit. Ç’doni ju me Evropën… A jemi ne si ata? Jo, nuk jemi si ata, se nuk kanë ata në Parlament vrasës, nuk kanë ata ministrat që rrinë me bandat, nuk kanë ata kryeministra që komunikojnë me ‘Hakmarrjen për Drejtësi’, pse merreni me Evropën ju njëherë? Unë u bëj thirrje shqiptarëve të ngrihen fuqishëm dhe të çojmë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, si kusht i të gjithave kushteve për të shpëtuar procesin e integrimit nga kthetrat e mafies të korrupsionit, të ministrave që vjedhin tendera, të ngrihemi, sepse asgjë nuk ka më të fortë se parimet që ne besojmë”, – u shpreh Berisha. Më tej, ai theksoi se në Shqipëri në një vit qeveria ka zëvendësuar shtetin ligjor me shtetin policor. “Në një vit, 38700 shqiptarë, dhe ju duhet ta dini se në vitin kulmor të diktaturës janë arrestuar 39 mijë shqiptarë. Sot njerëzit varin veten e ndërkohë që keni deputetë që s’kanë paguar 100-fishin e atij debitori. A ka Evropë, a ka integrim me kërcënime të tipit më mafioz ndaj gazetarëve, prokurorëve dhe gjykatësve? A e dini ju se gjykatësit në Kukës i thotë kreu i ekzekutivit t’i pres këmbët. Çanit i dërgoi ushtarët e Shullazit. Kostandini i Partisë ia hodhi kokën e dhisë Telnis Skuqit. Brukseli thotë se në Shqipëri bëhet prostitucion shtetëror, përdoret pushteti për të organizuar rrjet prostitucioni, është e deklaruar në mes të Brukselit në një nga sallat me të rëndësishme”, – pohoi Berisha.
Kundërpërgjigjja
Ndërkohë që pas fjalës së Berishës e morën me radhë fjalën në foltore deputetët dhe ministra socialistë, kundër të cilëve nuk mungoi replika e ish-kreut të qeverisë dhe deputetëve demokratë. “Ju sfidoj të sillni shifrat se vrasjet qenkan më të larta se viti 2013. Nëse është kështu, unë jap dorëheqjen në sekondë. Vrasjet janë në numrin më të ulët sesa 5 vitet e fundit. Por nuk ka pse të bëjmë ne debat këtu. Sillni shifrat dhe unë jam i gatshëm të përballem. Koha kur shteti ishte në kaos, paligjshmëria ishte përhapur me burim nga zyrat më të larta të shtetit, kur kriminelët bënin gosti me kupolën e Policisë së Shtetit, kjo kohë ka marrë fund njëherë e mirë”, – u shpreh ministri Tahiri. Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij renditi shifra që, sipas tij, tregojnë qartë se kriminaliteti është ulur dhe ka shkuar në nivelin e vendeve të rajonit. “Përpjekja për të mohuar këtë është një përpjekje impotente e një grupi impotentësh që përmes një politike impotente kërkon të imponojë diçka që askush nuk mund ta marrë seriozisht. Në 2013, kur numri i vrasjeve ka rënë 40%, vetëm në 3 muajt e fundit, pra të qeverisjes sonë, numri i vrasjeve ka qenë 2.38 dhe në 2014 numri i vrasjeve është 2.24. dhe me 2.24, por po të doni edhe me 2.38 ne kemi hyrë në mesataren e rajonit. Nuk jemi ndër më të mirët, por nuk jemi as të fundit. 60% e vrasjeve janë për motive familjare, çka në strukturën e vrasjes së vendeve të tjera përbën një shifër shumë më të ulët. Dhe në motivet familjare, dominojnë motivet e pronësisë”, – deklaroi kreu i qeverisë.
Debati për fjalën e Braçes dhe Tahirit, Berisha dhe Topalli replikojnë me Metën
Pas fjalës së Braçes në Kuvend
Meta: Nuk ju përmendi, asnjëherë nuk ju përmendi.
Berisha: Tha ish-kryeministri…
Meta: Ka edhe ish-kryeministra të tjerë.
Meta: Mua më kanë kërkuar për të bërë replikë edhe deputetë të tjerë, ju kam thënë që po flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare e mbyllim çështjen.
Berisha: Më përmendi, shkelja e rregullores ka ndodhur shpesh këtu.
Meta: Po ça ka ndodhur shpesh, ne kemi 7 muaj që s’jemi parë… OK, keni kohën e replikës.
Berisha: Për sa u përket fakteve, çdo gjë unë kam folur me fakte dhe shumica e tyre janë të denoncuara nga individë të ndryshëm në Prokurorinë e Shtetit. Ky vit ka pasur 139 vrasje, 25 vrasje sesa viti kulmor i qeverisjes së mëparshme.
Meta: Ka kërkuar edhe zoti Braçe për replikë.
Topalli: Jo, nuk ka replikë mbi replikë.
Braçe: Ulu moj aty ti! Nuk e drejton më ti Parlamentin.
Meta: Mua vetëm një akuzë mund të më bëhet, që jam zemërgjerë ndaj jush dhe kështu do jem (drejtuar Berishës).
Braçe: Nuk kam asgjë me parafolësin, jam i gatshëm të përballem me gjykatësin. Shikoni ku kemi arritur, nga vrasja në mes të bulevardit në vrasje ordinere brenda familjes, nga vjedhja në BSH tek vjedhja e peshkut, e kuptoni ku ka arritur muhabeti.
Berisha: Për sa i përket 21 Janarit, vrasësi është ky këtu (Rama), që i solli për bllokun e atij aty (Meta), kaq është kjo…
Meta: Kalojmë tek çështja e dytë, i pari e ka fjalën ministri Saimir Tahiri.
Paloka: Ku e ka emrin ai në listë?
Meta: E ka kërkuar ministri fjalën.
Topalli: S’ke të drejtë t’i japësh fjalën atij.
Meta: Nuk keni përse ulërini, si nuk paska të drejtë ministri të flasë?
Topalli: Jo, jo, s’i jepet atij fjala.
Meta: Ju tani doni t’u ndërprisni fjalën ministrave, nuk më duket demokratike.
Topalli: Nuk po zbaton rregulloren…
Meta: S’keni të drejtë t’i hiqni fjalën asnjë ministri e asnjë deputeti. Ju nuk ju detyron njeri ta dëgjoni patjetër.
Tahiri: Z. Kryetar faleminderit! Unë nuk do shqetësoj njeri me fjalën time.
Deputetët e PD-së kundërshtojnë nga vendi
Meta: Ore kaq frikë keni nga z. Tahiri ju sa nuk e lini të flisni, po më habisni.
Topalli dhe Paloka kundërshtojnë me forcë nga vendi: Vepro sipas rregullores!
Meta: Z. Tahiri, mos u shqetësoni nga zhurmuesit!
Berisha: Ju keni të drejtë që të marrë fjalën, por kurrë pasi mbyllet diskutimi.
Meta: Ore zotëri, është mbyllur diskutimi i çështjes së parë, kjo është çështja e dytë.
Berisha: OK.
Meta: Po sqarojeni pra zonjën aty… (i referohet Topallit)
Krimi dhe korrupsioni/ Kryeministri: Monitorim online rrugëve nacionale, policët rrugorë me kamera në trup
Kreu i qeverisë, Edi Rama, bëri të ditur dje nga Kuvendi se brenda vitit do të mundësohet monitorimi online i rrugëve nacionale, në kuadër të sigurisë dhe ndihmesës në zbardhjen e veprave të krimit. Nga ana tjetër, Rama theksoi se çdo polic do të ketë kamerë në trup, gjë e cila do të shmangë korrupsionin. “Sistemi i monitorimit online në akset e vendit është një tjetër çështje që do të marrë zgjidhje së shpejti. Do monitorojmë çdo automjet që lëviz në rrugët nacionale në funksion jo vetëm të luftës me krimin por edhe shkeljeve në qarkullimin rrugor. Me monitorimin online nuk do të kemi më policë abuzues me qëndrime arbitrare por qytetarët do shohin shkeljet e tyre në televizion sa herë që të duan dhe pse janë gjobitur e pse duhet të paguajnë. Policët do jenë me kamera dhe çdo kontakt me qytetarin do monitorohet online. Ky është një hap shumë i madh para, hap që sot po e bëjnë vendet më të përparuara dhe do ta bëjmë edhe ne që populli të shohë punën reale të qeverisë”, – tha Kryeministri.
Në Kuvend/ PD, akuza Canit: Po parapaguan kompanitë për punë të pakryera, skandal financiar
Opozita akuzoi dje në Parlament qeverinë se po shpërblen kompanitë private në prag të fushatës elektorale, duke i parapaguar për punë ende të pakryera. Ish-kryeministri Berisha kërkoi hetim për këtë çështje. “Ky është një akt i mirëfilltë i një krimi financiar të paimagjinueshëm, i pandodhur më parë. Dhe mos mendo, zotëri, se votimi në Parlament është një mburojë për ty. Votimi nuk është mburojë dhe ne do bëjmë çmos që të nisim një aksion ligjor kundër këtij akti që shkon kundër rregullave të çdo shteti normal”, – deklaroi Berisha. Nga ana e tij, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se kjo është një procedurë e njohur ligjore që është ndjekur edhe nga demokratët kur ishin në pushtet. “Keni 6 akte normative të të njëjtit tip, por më keq, të shpërdoruara nga ju. Keni minimumi 10 shkelje ligjore për shpronësimet. Ju jeni shpikësit e këtyre metodave, por shpikës të poshtër, sepse e keni bërë në mënyrën më të poshtër që mund të bëhet. Mos pështyni lart, se do t’ju bjerë surratit, sepse e keni bërë në mënyrën më të keqe të mundshme”, – tha Cani. Në replikë të menjëhershme, ish-kryeministri sqaroi: “Mund të tregojë 300 akte, por kurrë nuk tregon akte të derdhura në paradhënie kompanive në fund të vitit paraardhës, sepse kjo shkel çdo parim të tenderimit, disbursimit, barazisë dhe çdo gjë tjetër”.
Debati/ Rama “nxeh” Spahon, ironizon me fjalën ‘profesor’: PD nuk ka këllqe për reformë
Rama: Ky që foli është profesor ekonomie, jo vetëm që di ekonominë për vete, po ua mëson edhe të tjerëve. Si i ke ulur taksat ti, – tha, – vetëm bazuar tek ulja e tatimfitimit mbi të ardhurat.
Spaho: Tatimin mbi të ardhurat personale të thashë…
Rama: Unë ju dëgjova profesor dhe ju, si i fushës, duhet të jeni i qetë kur flas unë që jam jashtë fushës. Profesori thotë që janë 500 mijë shqiptarët që harxhojnë më pak, vazhdon i merr për të mirëqenë si të varfër hajdutët.
Spaho: Nuk janë hajdutë ata, kanë kontratë, kanë paguar.
Rama: Dhe te këta 500 mijë…
Spaho: Janë me kontratë po të them.
Rama: Mos më ndërprit, ti je profesor, profesori nuk ndërpret.
Spaho: Kështu si e ke nisur, po i godet.
Rama: Profesori nuk bërtet, nuk skuqet.
Spaho: Janë njerëz të ndershëm, që paguajnë energjinë elektrike.
Rama: Profesor, unë ju dëgjova me respekt, e di që jeni profesor i ekonomisë, vajmedet për ekonominë dhe për ata që marrin mësime nga ju.
Spaho: Më vjen keq për ju, se jeni Kryeministër dhe me këtë gjuhë që flisni, jeni edhe Kryeministri im, ju lutem ruani etikën, s’ju kam denigruar asnjëherë.
Rama: Etika ka mos ndërpre fjalën, mos u skuq para të tjerëve. Unë po ju them vetëm profesor, jeni profesor.
Spaho: Jo, nuk jam profesor.
Rama: Epo mirë, meqë s’jeni profesor, nuk e kuptoj pse ju nxjerrin këtu në emër të grupit, se ju keni një sërë profesorësh. Ju të djathtët e djathit reformën e tregut s’e bëni dot, se as të djathtë nuk jeni dhe as dini si ta bëni dhe as këllqe për ta bërë nuk keni.
Spaho: The mora borxh për të shlyer borxhet, por ke shlyer vetëm gjysmën, na thuaj ku ikën paratë, thuaja qytetarëve. Kur thua që nuk është rritur çmimi, del thjesht, nuk ka nevojë të jesh profesor ekonomie për ta kuptuar, e kuptojnë ato kur t’u vijë fatura në shkurt.





