Mazhoranca rrëzon dekretin e Presidentit për Gjykatën e Lartë, votohen tre emrat për KQZ-në

 Gëzim Saliu

kqz logoXhafaj: Ligji i Gjykatës së Lartë synon transparencë. Halimi: Kërkoni vetëm kapjen e drejtësisë

Në një seancë maratonë, mazhoranca vendosi të rrëzonte dekretin e Presidentit për ligjin e Gjykatës së Lartë, ndërkohë që opozita votoi pro tij. Për më shumë se 12 orë, duke nisur nga 10:00 e paradites deri në 22:20 të darkës, Kuvendi zhvilloi dje punimet mes debateve, replikave dhe akuzave e ku në fund të tij u votuan edhe projektligjet e rendit të ditës. Lidhur me dekretin e kreut të shtetit, mazhoranca argumentoi se ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë synojnë vetëm transparencën. “Shpallet vakanca. Kandidatët çojnë dokumentet, Presidenti bën një takim formal dhe zgjedh anëtarin. Por askush nuk di se si u zgjodh apo se cili ishte kandidati më i mirë. Apo zgjidhet ndonjë tjetër që nuk ka kandiduar fare”, – u shpreh Xhafaj, i cili tha se me ligjin aktual nuk ka transparencë. Ndërkohë që deputeti i PD-së, Eduard Halimi, tha se me ndryshimin që mazhoranca i bën ligjit po shkel Kushtetutën. “Argumentet e Presidentit janë të qarta si kristali, në të njëjtën linjë me partnerët tanë të Komisionit të Venecias. Përveç procedurës, ligji është antikushtetues. Përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë ekskluzivitet i Presidentit. Mazhoranca ia heq këtë të drejtë. Këshilli juaj me në krye ministrin e Drejtësisë do përcaktojë kandidaturën. Ky ligj ka si synim kapjen e Gjykatës së Lartë, t’i lëmë hipokrizitë”, – tha Halimi. Ndërkaq, mazhoranca rrëzoi po ashtu edhe dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit të KLSH-së me 76 vota kundër, 40 pro dhe 1 abstenim.

 

KQZ-ja

Ndërkaq, në seancën e djeshme parlamentare, u votua po ashtu edhe për plotësimin e vakancave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku pas asnjë surprizë u votuan të tre kandidatët e propozuar nga mazhoranca. Nga ana e saj, opozita e cila kishte kundërshtuar haptazi më parë kandidaturën e Bibës dhe Jorgaqit, votoi kundër tyre. Përkatësisht Denar Biba, i cili do të marrë edhe postin e nënkryetarit të KQZ-së, mori 79 pro, 35 kundër, 1 abstenim. Ndërsa Edlira Jorgaqi mori 77 pro, 36 kundër dhe 2 abstenim dhe anëtari i tretë Gëzim Veleshnja mori 82 pro, 31 kundër e asnjë abstenim. Po ashtu, në seancë u votuan edhe propozimet e qeverisë për 4 anëtarët e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve, ku përkatësisht: Pirro Zylo mori 78 pro, 35 kundër dhe 2 abstenim; Anila Denaj mori 77 pro, 37 kundër e 3 abstenim; Ketrin Topçiu me 76 pro, 37 kundër, 3 abstenim dhe Klarina Abazaj mori 76 pro, 36 kundër dhe 5 abstenim.

 

Share it :