Terrorizmi / Siguria kombëtare, krerët: Nevojë bashkëpunimi mes institucioneve e strukturave të sigurisë

largea_presidenti-nishani-mbledhja-e-ksk-31394544294

Erneta Shevroja

Rama: Krijimi i një strukture në shërbim të këtij qëllimi, e cila do të kryente funksionet e qendrës së sistemit të sigurisë, është një nevojë e përhershme, një prioritet i përcaktuar. Besoj se ngritja e saj do të fillojë së shpejti

 

Ngjarjet në Paris, por edhe paralajmërimet për sulme të tjera kanë bërë që dje, krerët e institucioneve më të larta të sigurisë kombëtare të mblidheshin në një tryezë të rrumbullakët, e thirrur nga Presidenti Nishani. Në fjalët e krerëve u theksua nevoja për bashkëpunim më të thellë mes institucioneve dhe strukturave të sigurisë kombëtare, ndërsa u theksua se edhe Shqipëria është vend i rrezikuar nga sulmet terroriste. Këtë deklaratë e bëri Kryeministri, i cili tha se duhet të krijohen të gjitha strukturat e duhura që të parandalojnë çdo akt i mundshëm terrorist ndaj vendit tonë. “Si vend i lirë, anëtar në NATO, kandidat për në Bashkimin Evropian dhe pjesë aktive e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorit, Shqipëria është plotësisht e ekspozuar ndaj rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar. Sfida e re dhe e panjohur më parë e luftës me mercenarizmin me frymëzim terrorist është edhe jona, siç është e mbarë Evropës demokratike. Qytetarë shqiptarë nga Shqipëria apo rajoni u janë përgjigjur thirrjeve të organizatave terroriste të Al-Kaedës apo të ashtuquajturit Shteti Islamik për të luftuar në fushatat terroriste në Siri dhe në Irak”, – tha Kryeministri.

 

Strukturë për sigurinë

Bashkëpunimin më të thellë mes institucioneve e vunë në dukje si Kryeministri ashtu dhe Presidenti. “Mësimi i parë i nxjerrë nga i gjithë ballafaqimi i shoqërive të lira me terrorizmin është nevoja për koordinim dhe bashkëpunim të thellë mes institucioneve e strukturave të sigurisë”, – tha Kryeministri, duke vijuar se së shpejti do të formohet një strukturë e specializuar vetëm për sigurinë kombëtare. “Dihet se në vendin tonë në këtë aspekt janë trashëguar probleme. Ne kemi mjaftueshmërisht struktura sigurie, por kemi ende hapësirë për t’i bërë ato të funksionojnë më mirë si pjesë integrale e një sistemi të vetëm sigurie. Krijimi i një strukture në shërbim të këtij qëllimi, e cila do të kryente funksionet e qendrës së sistemit të sigurisë, është një nevojë e përhershme, një rekomandim i kahershëm dhe një prioritet i përcaktuar më së fundi edhe nga Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare. Besoj se ngritja e saj do të fillojë së shpejti”, – tha shefi i qeverisë, Rama.

 

Rama: Sulmet me tritol, akte terroriste

 

Edhe sulmet me tritol mund të konsiderohen akte terrorizimi, sipas Ramës. “Vepra të tilla si sulmet me tritol kundër linjave të energjisë elektrike, sulmet me eksploziv në mes të qytetit, trafikimi i eksploziveve janë krime të mirëfillta terrori. Kodi Penal i konsideron si krim, me të cilat vendi është ndeshur shumë kohët e fundit. Ndërsa artikulimi i sistemit të drejtësisë ka qenë më i kufizuar për t’i vënë emrin që ka, terror”, – tha Rama.

 

Krimi i organizuar dhe terrorizimi, të lidhur

 

Kryeministri tha se në rastin e tritolit, krimi i organizuar dhe terrorizimi janë pothuajse e njëjta gjë. Ai tha se ata janë njësoj të rrezikshme dhe lidhjet e tyre janë të shumëfishta. “Krimi i organizuar dhe terrorizmi, ndonëse padyshim trajtohen si kategori të veçanta nga korpusi ligjor i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shfaqen aq të lidhur me njëri-tjetrin, sa në këndvështrimin e sigurisë kombëtare paraqesin pothuajse një kërcënim të vetëm dhe lidhjet e tyre janë të shumëfishta, ashtu si dëmet që sjellin në jetën e qytetarëve dhe në sigurinë e vendit nuk janë të ndryshme. Krimi i organizuar dhe terrorizmi janë enë komunikuese, ata ushqejnë njëri-tjetrin. Prandaj dhe terrorizmi nuk është thjesht vetëm një çështje sigurie dhe qasja ndaj tij si një çështje ekskluzive sigurie është premisa e një dështimi thuajse të sigurt në luftën me të”, – deklaroi Kryeministri.

 

 

Si mund të kontrollohen aktet terroriste

 

Kryeministri Rama përmendi disa hapa dhe hallka që mund të bashkëveprojnë për të parandaluar kërcënimet e akteve terroriste. “Forcimi i sistemit të paralajmërimit të hershëm për rreziqet, kërcënimet dhe sulmet terroriste është një prioritet tjetër shumë i rëndësishëm. Përmirësimi i kapaciteteve të inteligjencës, orientimi sa më i drejtë i burimeve të saj dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë i inteligjencës me strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, mbetet një tjetër objektiv i vazhdueshëm dhe i përhershëm. Vënia në kontroll të plotë e armatimeve dhe i municioneve që disponohen nga individë të caktuar, nga subjekte private të sigurisë, nga subjekte ekonomike e me radhë, është një sfidë dhe një kusht i rëndësishëm për të reduktuar potencialin e rrezikut të terrorit për sigurinë e vendit. Trajnimi i personelit dhe i strukturave të Policisë së Shtetit, modernizimi teknologjik dhe bashkëpunimi i saj me strukturat e tjera të sigurisë jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, janë po ashtu kushte të rëndësishme për të pasur sukses në këtë luftë për jetë a vdekje mes botës së lirë dhe terrorizmit e krimit të organizuar. Angazhimi më i gjerë i strukturave të forcave të armatosura, kryesisht me shërbimet e inteligjencës, ato policore apo komandove speciale në mbështetje të Policisë së Shtetit për përballimin e kërcënimit apo sulmeve terroriste, është një potencial që duhet shfrytëzuar”, – tha kreu i qeverisë.

Në këtë tryezë morën pjesë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi.

 

 

 

PD paralajmëron aksion

 

Partia Demokratike denoncoi dje çmimin e lartë të naftës, ndërsa paralajmëroi se do të ndërmarrë një aksion për uljen e çmimit, që është më i lartë jo vetëm ndër vendet e rajonit, po edhe të Evropës. “Partia Demokratike do të vazhdojë ta denoncojë këtë fakt dhe do të ndërmarrë një aksion qytetar për të ushtruar presionin e saj ndaj qeverisë për të rishikuar rritjen e taksave dhe uljen e çmimit të karburanteve”, – tha dje deputetja demokrate, Jorida Tabaku. “Qytetarët e vendit tonë duhet të shpenzojnë 10% nga të ardhurat për të paguar një litër karburant, ndërkohë që vende si Kroacia, Bullgaria, Sllovenia, Çekia, Polonia dhe Greqia nuk e kalojnë kufirin e 5% të të ardhurave për një litër karburant. 10 lekë në çdo 100 lekë të çdo qytetari shqiptar shkon për shpenzimet e karburantit”, – tha ajo. Sipas opozitës, qeveria duhet të marrë masa. “Ministrat heshtin për këto të dhëna të vërtetuara ndërkombëtarisht. Qeveria nuk ka bërë asgjë, përveç rritjes së taksave, për të vërejtur këto abuzime në tregun e naftës dhe as nuk pritet të marrë masa, pavarësisht kërkesave tona të përsëritura. Duke qenë se edhe ajo po sillet si një oligarke dhe taksidare ndaj qytetarëve të pafuqishëm të vendit. Ndryshe nga cilido vend i rajonit, qeveria aktuale është përgjegjëse për 60% të çmimit që ende nuk zbret në kufijtë e normales, sepse është po kaq shuma që ajo i merr cilitdo prej nesh në një litër karburant përmes rritjes së taksës së qarkullimit. Ne arrijmë shifrën rekord të 1000 lekë për litër taksa!”, – u shpreh deputetja demokrate.

 

Share it :