Olen Çezari/ Po ju flas si një durrsak i mërzitur…

Intervistoi: Alba Kepi

Free Lance International Press

olen cesari Në koncertin e fundit të zhvilluar në Romë zgjodhi si sfond skenografik oqeanin, detin, atë masë ujore që herë e afron dhe herë e mban larg nga Durrësi i tij. Për komunitetin shqiptar në Romë, Olen Çezari është artisti i tyre, gjeniu i harkut, por edhe miku i të gjithëve, buzagaz, i thjeshtë, i papërtueshëm për të bashkëbiseduar me të gjithë. Raporti i tij me vendlindjen, me artin, planet e së ardhmes u bënë objekt i kësaj interviste ekskluzive për gazetën “Standard”

Olen Çezari është nga ata artistë ku gjenialiteti, thjeshtësia e dashuria për vendlindjen gjen shprehje në çdo koncert apo performancë të tij. Është i pranishëm pothuajse në çdo event të komunitetit shqiptar në Romë, i cili së fundmi e duartrokiti fort e i toku gotat e suksesit në një nga sallat më të rëndësishme të muzikës së kryeqytetit, Parco Della Musica. Olen Çezari e violina e tij, interpretues e kompozitor, konsideruar nga këngëtari italian Lucio Dalla si një nga muzikantët më të mirë në botë, ka bashkëpunuar me yje të muzikës internacionale, si: Bob Dylan, Lenny Kravitz, Maroon 5, Sheryl Crow, Zuchero, Claudio Baglioni, Franco Califano, Anna Oxa, Lucio Dalla, Sergio Cameriere e shumë të tjerë. Suksesin e tij e sheh si fryt të sakrificave të shumta. Askush nuk të dhuron asgjë. Askush nuk duhet të harrojë rrugecjen e tij.

Olen Çezari kujton me respekt formimin e parë në një shkollë të disiplinuar e mjaft të përgatitur muzike në vendlindje, por nuk harron as dhimbjen e radhëve të gjata, tollonët apo bidonin e vajgurit. Mbërriti në Romë mjaft i ri, në moshën 17-vjeçare diplomohet në Akademinë “Santa Cecilia”, duke shënuar në historinë e konservatorit roman rekordin e violinistit më të ri të diplomuar. Bota italiane e muzikës e respekton shumë. Violinist, muzikant e tashmë dhe kompozitor. Viti i sapombyllur 2014 shënoi një ngjarje të rëndësishme për të, publikimin e albumit të tij të parë, “Unexpected”, i cili u pozicionua shpejt në vendin e parë në iTunes në seksionin Italia/WordMusic. Edhe pse jeton në Romë ka mundur të bashkojë pranë vetes muzikantë nga gjashtë kombësi të ndryshme e nga tri kontinente, duke formuar bandën e tij “International Clandestine Orchestra”. Në koncertin e fundit të zhvilluar në Romë zgjodhi si sfond skenografik oqeanin, detin, atë masë ujore që herë e afron dhe herë e mban larg nga Durrësi i tij. Për komunitetin shqiptar në Romë, Olen Çezari është artisti i tyre, gjeniu i harkut, por edhe miku i të gjithëve, buzagaz, i thjeshtë, i papërtueshëm për të bashkëbiseduar me të gjithë. Raporti i tij me vendlindjen, me artin, planet e së ardhmes, u bënë objekt i kësaj interviste ekskluzive për gazetën “Standard”.

 

 Le ta nisim këtë intervistë me bilancin e një viti të sapombyllur; albumi “Unexpected” i pritur mjaft mirë nga publiku e kritika në të gjithë Evropën, dhe mjaft koncerte të suksesshme, ku do të veçoja atë të fund nëntorit në “Parco della Musica” në Romë. A realizoi 2014 perspektivat tuaja artistike? Çfarë do të mund të veçoni nga ky vit?

Besoj, ashtu siç sapo e thatë edhe ju, koncerti në Romë ishte klimaksi i vitit 2014 në një nga sallat më të rëndësishme në Romë dhe ku pata mundësinë të ftoja edhe katër artistë nderi me famë në Itali dhe në botë: Alessandro Manarino, Daniele di Buonaventrua, Pepe Sanchez e Lavinia Muncusi. Por nuk mund të harroj edhe koncertet e tjera të zhvilluara gjatë vitit nëpër botë, si dhe pjesëmarrjen në eventin e festimit të 10-vjetorit të Digitalb-it.

 Jeni nga të paktët artistë shqiptarë brenda e jashtë vendit që flasin me vërtetësi e përulësi mbi sakrificat e vështirësitë e afirmimit në një vend të huaj.

 

 Çka kam thënë është vetëm e vërteta. Të afirmohesh në një vend të huaj nuk është e lehtë. Përse duhet t’i japin këto mundësi ty si i huaj e jo një vendaliu?

Sakrificat them se e i ka bërë çdokush që ka kërkuar të suksesin jashtë Shqipërisë, por ka nga ata dhe që i kanë harruar…

 

Pas kaq vitesh, çfarë është qyteti i Romes sot për ju? A keni një kujtim të veçantë për të ndarë me ne mbi këtë lidhje shpirtërore o artistike me këtë qytet?

Kam ardhur në Romë adoleshent, isha vetëm një djalosh 14-15-vjeçar. Jam rritur këtu, jam formuar profesionalisht, kam jetuar një pjesë të mirë të jetës sime e vazhdoj të jetoj. E quaj veten një Durrsak Romak!

 

Po Durrësi, vendlindja juaj, çfarë ju ka dhënë e çfarë ju merrni prej tij sa herë që riktheheni?

Ah, Durrësi…

Durrësi për mua është si një ëndërr e mjegullt e kohës së komunizmit ku gjërat funksiononin në një mënyrë e nuk gjenin rrugëzgjidhje në një anë tjetër. Në kohën kur jetoja në qytetin tim, studimi i muzikës ishte sikur të flisje me zotin. Shkolla, sistemi ishin shumë të rreptë dhe mësuesit ishin pa hile dhe shumë të drejtë. Kështu që unë “pata fatin” të jetoja në sistemin e studimit totalitar… (qesh)

Kurse tani sa herë që vij në Shqipëri kaloj pranë shtëpisë sime në Durrës dhe ndaloj gjithmonë të shoh degradimin e ngadaltë të Amfiteatrit të Durrësit. Ai rrethohet çdo ditë e më shumë nga banesa që derdhin mbi të pisllëkun e modernizmit e nuk arrij të kuptoj se pse bashkëqytetarët e mi janë bërë aq indiferentë ndaj perlës së tyre të vetme, të ngelur në këmbë. Amfiteatrin e Durrësit na e ka zili i gjithë Ballkani dhe nga ana e turizmit nuk e konsiderojmë aspak. Ndoshta një tubim paqeje me pjesëmarrjen e çdokujt që ka ndjeshmërinë time mund të ndihmoj në shpëtimin e kësaj mrekullie nga shkatërrimi, madje dhe një bekim fetar nga krerët e feve do të mund ta ndihmonin… Po flas si një durrsak i mërzitur…

 

Mjaft bashkëpunime me këngëtarë e muzikantë të njohur italianë e jo vetëm me ta e mjaft vlerësime nga të gjithë për talentin tuaj. Kë do veçonit prej tyre? Me cilin artist keni ëndërr të bashkëpunoni ende në të ardhmen?

Dëshira ime është të angazhoj në albumin tim të ardhshëm një mik të vjetër që gjatë viteve të fundit ka arritur famën botërore. Ai është Pharrell Williams.

 

Repertori juaj përfshin muzikë klasike, etnike, jazz. Ku ndiheni më mirë e çfarë ju ngacmon ende për të eksperimentuar me violinën tuaj?

Për të qenë i sinqertë, me violinën time ndihem rehat në çdo fushë. Ajo çka më ngacmon më shumë kohët e fundit është muzika moderne, më pëlqen të eksploroj në ritmet e saj e të përcjell ndjeshmërinë e aftësitë time të ekzekutimit.

 

Sapo ka nisur 2015 e ndoshta është ende shpejt për të folur. Por çfarë mund t’i rezervoni publikut tuaj gjatë këtij viti?

Po planifikoj një koncert të madh në Nju Jork gjatë muajit tetor. Ndërsa këtë pranverë, në muajin prill, do të jem në Shqipëri për një koncert të rëndësishëm.

 

Share it :