Albert Kamy
“Jo, tha ngadhënjimtari, mos mendoni se meqë dua veprimin, më është dashur të harroj të mendoj. Përkundrazi, unë mund të përkufizoj në mënyrë të përkryer atë që besoj. Sepse e besoj me forcë dhe e shoh me shikim të ngurtë e të qartë. Mos u besoni atyre që thonë: “Këtë gjë e di shumë mirë, prandaj nuk e shpreh dot”. Sepse nëse nuk e shprehin dot, kjo do të thotë që nuk e dinë ose që nga përtacia janë ndalur te lëvorja.
Nuk ka shumë opinione. Në fund të jetës, njeriu vëren se ka harxhuar vite të tëra që të sigurohej për një të vërtetë të vetme. Por një e vetme, nëse ajo është dukshme, mjafton për drejtimin e një ekzistence. Për mua, unë kam me siguri diçka për të thënë për individin. Për të duhet folur me ashpërsi dhe, po të jetë nevoja, me përçmimin e duhur.
Një njeri është më tepër njeri nga gjërat, për të cilat hesht sesa nga gjërat që thotë. Ka shumë nga ato, për të cilat nuk do të flas. Por jam shumë i sigurt se për të mbështetur gjykimet e tyre të gjitha ata që kanë dhënë vlerësime për njeriun, e kanë bërë më shumë më pak përvojë se ne. Arsyeja, zgjuarsia prekëse ndoshta e ka parandier se çfarë duhej vërejtur. Por epoka, rrënojat dhe gjaku i saj na mbushin plot me të vërteta. Për popujt e lashtë dhe madje për më të mëvonshmit deri në erën e makinave, është e mundur të viheshin në balancë virtytet e shoqërisë e të individit, dhe të përcaktohej se kush duhej t’i shërbente tjetrit. Kjo gjë është e mundur fillimisht falë kësaj lajthitjeje të ngulitur në zemrën e njeriut dhe sipas së cilës qeniet janë krijuar për t’u bërë ose për t’u kërkuar shërbime të tjerëve. Kjo gjë ishte ende e mundur se as shoqëria as individi nuk i kishin treguar gjithë aftësitë e tyre praktike.
Kam takuar njerëz të ndershëm që mrekullohen nga kryeveprat e piktorëve holandezë të krijuara në zemër të luftërave të përgjakshme të Flandrës, që prekën nga ligjërimet e mistikëve silezianë të kënduara në gji të luftës së tmerrshme 30 vjeçare.
Vlerat e përjetshme shfaqen, në sytë e tyre të çuditur, përmbi turbullirat shekullore. Por koha që atëherë ka ecur. Piktorët e sotëm nuk e gëzojnë më atë qartësi. Edhe sikur të kenë, aty thellë, zemrën që duhet për të qenë krijues, domethënë një zemër të pandjeshme, nuk kishte asnjë dobi, sepse të gjithë, përfshirë edhe shenjtorët janë mobilizuar. Këtë gjë e kam ndier në thellësi të shpirtit. Në çdo formë të dështuar nëpër transhe, në çdo shenjë, metaforë ose lutje, të shtypur me hekur, amshimi humb një ndeshje. I ndërgjegjshëm se nuk mund të shkëputem nga koha ime, kam vendosur të bashkohem me të. Ja përse nuk i kushtoj shumë vëmendje individit, sepse më duket qesharak dhe i poshtëruar. Duke e ditur se nuk ka ideale ngadhënjyese, më pëlqejnë idealet e humbura; ato kërkojnë një shpirt të tërë, të barasvlershëm me dështimet dhe me fitoret e veta kalimtare. Për atë njeri, i cili nuk e ndan fatin e tij nga ai i botës, ballafaqimi i qytetërimeve ka diçka të ankthshme. E ka pranuar këtë ankth dhe, në të njëjtën kohë, desha të luaja rolin tim. Midis historisë dhe mashtrimit zgjodha historinë, sepse më pëlqejnë të vërtetat. Të paktën me të jam i sigurt dhe si mund ta mohoj këtë forcë që më shtyp?
Gjithmonë vjen çasti kur duhet të zgjedhësh midis soditjes e veprimit. Kjo quhet të bëhesh burrë. Këto mëdyshje janë të tmerrshme. Por për një zemër krenare nuk ka rrugë të mesme. Ose Zotin ose kohën, kryqin ose shpatën. Kjo botë ka një kuptim më të lartë që qëndron mbi veprimet e saj ose vetëm këto veprime ekzistojnë. Duhet të jetosh me kohën e të vdesësh bashkë me të ose t’i largohesh në emër të një jete më të madhe. E di se është e mundur të bëhet kompromis dhe të jetosh brenda shekullit duke besuar te përjetësia. Kjo do të thotë të pranosh. Por ky term nuk më pëlqen dhe kërkoj ose gjithçka ose asgjë. Nëse zgjedh veprimin, mos mendoni se soditja është për mua tokë e panjohur. Por ajo nuk mund të më japë gjithçka, dhe i privuar nga përjetësia, dua të bëhem aleat me kohën. Nuk dua të më mbajnë as për nostalgjik as për të trishtuar, dua vetëm të shoh qartë. Po jua them, nesër do të mobilizoheni. Për ju dhe për mua kjo gjë është çlirim. Individi nuk mund të bëjë dot asgjë dhe megjithatë mund të bëjë gjithçka. Brenda kësaj lirie të mrekullueshme, e kuptoni përse e ngre në qiell dhe njëherësh e rrëzoj njeriun. Bota e bluan dhe unë e çliroj. Unë i jap të gjithë të drejtat e tij.
(Fragment nga Miti i Sizifit)





