Amaneti Pjesa I
Dielli mposhtej lehtas, bashkë me ngrohtësinë e tij, ashtu sin ë çdo mëngjes tjetër, tek përballej me cepat e ngushtë të horizontit malor. Rrezet nuk e kishin atë fuqinë e tyre karakteristike për të rimposhtur vërshimin e ajrit të freskët. Ishte akoma herët, mëngjesi sapo kishte shtrirë krahët. E pavarësisht nga kjo, atë ditë, më dukej sikur gjithçka kishte filluar më ngrohtë se mëngjeset e tjera. Më amshueshëm. Një ndjesi të tillë, e krijonte tek unë nata, që sapo ishte tretur me një të ftohtë jo të ashpër, por të frikshëm.
Kishim fjetur jashtë në pyll, bashkë me disa bashkëmoshatarë. E ç’është e vërteta, nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që të lodhesha duke qeshur. Atë natë të gjithë ishim drobitur nga lodhja duke përplasur ajrin ndërmjet buzëve, nën efektin e të qeshurave dhe të bërtiturave për orë e orë të tëra. Lodhje, që kur i shtohej edhe pagjumësia, që shoqërohej me djegie të syve bëhej vërtet e dukshme.
Minutat kalonin dhe fresku i territ tani përpihej nga rrezet e pjerrëta të diellit. Lufta ndërmjet tyre nuk do të ishte e gjatë, pasi rrezet do ta fitonin betejën. Ishte verë. Në fakt ishte kulmi i verës. Gjithë natën jemi grinder paqësisht në mënyrën tonë me njëri-tjetrin. Ngucje me fjalë, mundje të lehtë, gjuajtje shkelmash që nuk të shkaktonin dhimbje, grushte të lehtë miqësorë etj. Ishim strehuar nën kupolën e errët të natës, tek vendi I quajtur Roga e Luleve. Një livadh i vogël, i mbushur plot me aroma lulesh në mes të pyllit dhe jo shumë larg qendrës sonë të verimit, në bjeshkë. Në fakt largësia e rogës nga stanet, nuk ishte më shumë se dy mijë metra. E kishim matur largësinë me anën e hapave, edhe pse n’a duhej të sforcoheshim që largësia ndërmjet këmbëve tona, të ishte e afërt me atë të një metri. Ishim të rinj. Rruga që të çonte tek roga jonë ishte krejtësisht nëpër pyllin e aheve të lartë. Vetëm pak metra na binte që të bënim në një copë tjetër livadhi i mbushur me dellinja, e ku gjithmonë kur nuk ishim të vonuar për ndeshjen e futbollit që do të bënim, hanim dredhëza. Në disa krahina e quajnë luleshtrydhe, një fryt i vogël, i kuq, fryt mali i egër, natyral, e që kur ishte krejt i pjekur, kishtë një shije magjike e një aroma të veçantë.
Na dukej, sikur na i shtonte energjitë për ndeshjet e futbollit apo lojërat e tjera që do të zhvillonim tek Roga e Luleve. Vend që ishte kthyer për ne, në një pjesë të pazëvendësueshme të aktivitetit të fundditës. Nuk e bënim dot ndarjen e kësaj roge nga Bjeshka jonë, vendverimi ku ngjiteshin edhe të tjerë bashkëfshatarë apo nga fshatra të tjera, me bagëtitë dhe familjet e tyre e kalonin tre-katër muajt e nxehtë të vitit. Kolektivizimi që ishte bërë nga shteti, nuk kishte kapur akoma zonat e thella malore. Dikush kisthe ndonjë lopë. Një tjetër kishte disa kokë dele apo dhi, kuaj, mushka gomarë. Kafsha shtëpiake që ishte më e pranishme në atë ambient ishin qentë. Ligji nuk e ndalonte mbajtjen e tyre, me sa di unë. Kishin pothuajse të gjitha familjet nga një. Por qentë më të zgjedhur ishin ata që shoqëronin tufat e mëdha të bagëtive, të kooperativës nëpër kullota.
Ata ishin edhe më të rrezikshmit. Ne na binte të qëndronim jo më shumë se dy muaj në bjeshkë, pasi ishim në shkollë. Korriku dhe gushti ishin muajt tanë. Ndërsa për barinjtë verimi në male fillonte në fund të majit deri në fund të shtatorit. Sa herë ndodhte që humbisnim deri në mesnate, të përmbytur në lojërat tona, të gjithë ata që na kërkonin e dinin se ku mund të na gjenin. Ishim tek Roga. Në fakt ndodhte shpesh që të harroheshim pas lojërave, e të vonoheshim për t’u kthyer në stane.
Na priste ngrënia e vaktit të darkës. E më pas, nëse nuk kishim ndonjë gjë për të diskutuar, apo ndonjë shaka për të treguar, na priste gjumi. Nata kishte qenë vërtet e errët. Errësirën e saj, e shtonte edhe më shumë pylli, me ahet e larta që rrethonin livadhin e vogël. Ahe qindravjeçare, të cilët vetëm pak yje na linin që të shikonim në kupolën e ngushtuar të qiellit, që dukej përmes degëve të gjata që rrethonin pjesën e livadhit ku ishim rehatuar për të kaluar natën. Nuk kishte ndonjë gjë të veçantë ajo natë, por ne kishim vendosur ashtu, të gjithë bashkë. Ishim pothuajse në një moshë dhe kishim dëshirë të bënim atë që na e jepte si të drejtë truri ynë, duke mos kapërcyer kurrë mundësitë. Përballeshim me djallëzitë tona në mënyrën tonë, e mundoheshim që të mos I bënim të tjerët që kujdeseshin për ne me faj, nëse bënim diçka të papranueshme. Në buzët rrethuese të livadhit kishte dëllinja të vogla, që kur I shikoje pa vëmendje, të krijonin përshtypjen se ishin mbjellë aty për të bërë qarkimin e fushës, e në këtë mënyrë të ndalonin topin tonë të shtrenjtë që të mos merrte arratinë nëpër pyllin e pjerrët që fillonte ngjitur me rogën e gjelbër. Një herë kemi humbur më shumë se një orë që të gjenim topin, ndërmjet dushqeve të aheve. Kishte të njëjtën ngjyrë me gjethet e rëna dhe të humbiste nga sytë shumë shpejt sidomos kur merrte rrokullimën ndërmjet këtyre gjithëve të rëna për tokë, e që kishin vite që rrinin mbështetur tek njëra-tjetra, pa i bezdisur njeri.
E pastronim rogën tonë, sapo ngjiteshim në bjeshkë. Në dimër reshjet e shumta të shiut dhe borës, e mbushin me degë të thara pemës apo edhe me mbeturina të tjera të shumta. Ne i hiqnim me kujdes. Mundoheshim që të mbyllnim edhe ndonjë vrimë të vogël ne terrenin e fushës që ishte hapur nga gërryerjet. Asnjë nga ne nuk ishte shef. Të gjithë ishim në një moshë të re e merreshim vesh me njëri-tjetrin në një mënyrë perfekte. Kur duhej të rregullohej diçka asnjë nuk përtonte. Roga ishte kënaqësia e pasditeve të vona pas lodhjes së ditës. Bjeshka ishte një vendverim pro edhe një vend pune. Duhej që të siguronim ndonjë lek, për t’u përgatitur për shkollën që niste pas dy muajsh. Dikush shkonte që të kulloste bagëtinë. Dikush tjetër mblidhte boronica që pasi ishin tharë, I shiste. Përdoreshin në mjekësi na thoshin për të bërë ilaçe. Të tjerë bënin punë të ndryshme, siç ishte nxjerrja e trupave nga lisat e mëdhenj, për të çarë dërrasa me të cilat do të rregulloheshin shtëpitë. Një tjetër ishte i dhënë pas kërkimit dhe mbledhjes së bimëve mjekësore.
Këto të fundit kishin një çmim të mirë në shitje, por ishin të rralla për t’u gjendur dhe vështira për t’u mbledhur. Përballë rogës sonë shtriheshin bjeshkë të tjera, tek të cilat mund të shkoje pasi kishe kaluar një lumë që ndante përmes luginën shumë të pasur me kullota. Në orët e vona të darkës në bjeshkët përballë dalloheshin fare qartë vetëm dritat e zjarreve të vogla, që ndiznin banorët për gatim dhe për ngrohje dhe në shumicën e staneve gatuhej jashtë në natyrë. Në bjeshkën tonë drutë ishin të bollshme dhe pothuajse të gjithë banorët e bjeshkës, kishin në afërsi të stanit të tyre nga një vend ku bëhej zjarri i madh. Vendi i zjarrit ishte gjithmonë i rrethuar me gurë dhe që vetëm në orët e vona të natës nuk kishte flakë. Ata që e përdornin qysh në mëngjes zjarrin, gjenin gaca të pafikura në mes të hirit. E kështu, nuk kishin nevojë të harxhonin kunjat e shkrepëses për ta rindezur.
(fragment nga romani sapodalë “Vajza e luginës së gjelbër”)
Avni Neza





