PD drejt Kuvendit/ Kukan dhe Fleckenstein, negociatorët e PE-së për marrëveshjen mazhorancë-opozitë

Gëzim Saliu

 Kukan dhe FleckensteinNegociatorët në Tiranë më 22 dhe 23 dhjetor për të nënshkruar marrëveshjen me 5 pika, çështja kryesore, dekriminalizimi i Kuvendit, në seancën e fundit të sesionit opozita pritet në Parlament

Marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës, me garanci të ndërkombëtarëve, për të bërë të mundur rikthimin e Partisë Demokratike në Kuvend është drejt konkretizimit. Parlamenti Evropian ka përcaktuar dje dy negociatorët që do të tentojnë të zgjidhin krizën politike në vend, që zgjat prej korrikut të këtij viti. Marrëveshja e propozuar nga opozita parashikon 5 pika, disa prej të cilave janë përmbushur tashmë dhe e vetmja çështje që duhet të përmbushet është ajo për mekanizmin ligjor për dekriminalizimin e Parlamentit. Kjo kërkesë e demokratëve ka në thelb synimin që partitë politike të bëjnë publike para zgjedhjeve informacionin për kandidatët me precedentë të mëparshëm penalë. Kjo nuk do të thotë se dikush që ka shlyer dënimin për një vepër të caktuar penale nuk ka të drejtë ashtu si çdo njeri tjetër, që pas një afati të përcaktuar në ligj të garojë në politikë, qoftë edhe për deputet. Porse, sipas PD-së, duhet të vendoset me ligj që partitë politike të japin informacion tek qytetarët para se të votojnë për një deputet të caktuar, nëse kandidati në fjalë është dënuar ose jo më parë.

 

Marrëveshja

Vizita e dy europarlamentarëve në Shqipëri, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, synon konkretizimin e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për t’i dhënë në këtë mënyrë fund bojkotit parlamentar, duke hapur derën e Parlamentit për opozitën me 24 dhjetor, kur mbahet seanca e fundit për këtë sesion. Garancia ndërkombëtare e marrëveshjes mes palëve politike ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e opozitës, e cila ka pohuar se nuk mund t’i besonte më mazhorancës,duke marrë parasysh rastet e mëparshme të prishjes së konsensusit, si ai për ligjin e nëpunësit civil. Për të bërë të mundur këtë garanci, opozita, përmes përfaqësuesve të lartë të saj, zhvilloi takime me europarlamentarë dhe drejtues të rëndësishëm të politikës së Brukselit, duke kërkuar zgjidhjen e ngërçit. Ndonëse një pjesë e kërkesave të PD-së u zbatuan nga mazhoranca, siç ishte ajo për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare apo ajo për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, opozita ngulte këmbë tek projektligji për dekriminalizimin e Kuvendit. Edhe pse e majta shpeshherë në këta muaj i ka cilësuar si të paqarta arsyet e bojkotit të demokratëve, pas takimeve të Kryeministrit Rama me europarlamentarët dhe zyrtarët e lartë të KE-së, duket se ka një ndryshim të qëndrimit për sa i takon kërkesës së dekriminalizimit të Kuvendit. Kështu, dy ditë më parë, kreu i qeverisë, Rama, deklaroi se shumica është e gatshme të plotësojë çdo kërkesë të opozitës për të bërë të mundur rikthimin e saj në Kuvend. Po ashtu edhe Kryeparlamentari Meta theksoi dje se mazhoranca është e hapur edhe për diskutimin e projektligjit për dekriminalizimin e Parlamentit, gjë që afron edhe më shumë mundësinë e rikthimit të opozitës në Parlament, pas nënshkrimit të marrëveshjes me garanci të dy negociatorëve të PE-së. Mundësinë e zgjidhjes së ngërçit politik dhe nënshkrimit të marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës e pohoi dje edhe deputetja e PD-së Majlinda Bregu, e cila një javë më parë shprehu shqetësimin demokrat në Bruksel. Në këtë kontekst, ish-ministrja e Integrimit vlerësoi se bojkoti, sado i vështirë, dha rezultat. “Në qoftë se sot kemi një vëmendje më të madhe nga të gjithë se nuk ka respektim të standardeve kryesore evropiane në Shqipëri, çdo formë dhe element demokratik për ta detyruar palën tjetër për të ecur së bashku dhe për të gjetur të njëjtin hulli të përbashkët në këtë rrugë, them që sado e dhimbshme që të jetë, ia vlen”, – u shpreh Bregu.

 

Marrëveshja me 5 pika

1- Respektimi i të drejtës së opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore (u votuan dy komisionet)

2- Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese (u zbatua vendimi për ngritjen e komisioneve)

3- Ndryshimi i rregullores së Parlamentit për të njësuar kohën në Parlament me Kryeministrin, të kreut të grupit të PD-së ose një deputeti të mandatuar nga grupi (u votua në Parlament)

4- Garanci se mazhoranca nuk do të bëhet pengesë e drejtësisë për rastet e hetimit të deputetëve

5- Hartimi dhe miratimi i një ligji në muajt e parë të vitit të ardhshëm për dekriminalizimin e Kuvendit

 

Qëndrimet Basha-Rama

Basha – “Partia Demokratike është e gatshme të hedhë hapin e saj tjetër bashkë me aleatët, jo vetëm e gatshme, por është edhe propozuesja e rrugëdaljes nga kjo situatë. Shpresoj sot të përballur me solidaritetin midis të majtës dhe të djathtës evropiane, për të ndalur praktikat e keqqeverisjes parlamentare dhe asgjësimit të mbikëqyrjes parlamentare përmes shkeljes së Kushtetutës dhe angazhimit të muskulit kriminal në Parlament, do të reflektojnë, shpresoj të reflektojnë, u bëj thirrje të ndryshojnë. Topi është qartësisht në fushën e tyre”.

Rama – “Qeveria është marrë më pak me opozitën në historinë e këtij vendi dhe nuk e di a duhet të jemi krenarë apo duhet të ndihemi në siklet përpara botës demokratike, që ky i kësaj shumice është Parlamenti i parë në historinë e këtij vendi, ku opozita ka konsumuar më shumë kohë në foltore sesa shumica. Fakti që opozita nuk është në Parlament nuk dëmton opozitën, por dëmton vendin dhe e cenon në sytë e të tjerëve. Nuk e di çfarë mund të bëjmë që të kthehen në vendin e punës, por mund të them se jemi gati për të bërë gjithçka që na kërkojnë”.

 

Share it :