Ekipi Drejtues i PD/ Emrat e Kryesisë së re, Ristani zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm me 101 vota, Paloka dhe Spaho nënkryetarë

Gëzim Saliu

Basha para keshillitBasha: Garë e fortë dhe e bukur, proces transparent. Fitorja e ngushtë përballë Alibeajt e Selamit, Ristani  vlerëson kandidatët, falenderon votuesit, Berishën dhe Bashën

Pas  thuajse një viti, dje u finalizua procesi i brendshëm zgjedhor i Partisë Demokratike, forcës kryesore të opozitës. Përmes zgjedhjes së strukturave të reja drejtuese të partisë, duke nisur nga Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët  e deri tek krerët e 22 departamenteve dhe 6 sekretariateve, PD mbylli fazën e ripërtëritjes së saj. Kështu pas votimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtarë, në garën për Sekretar të Përgjithshëm, post që është mbajtur për shumë vite nga Ritvan Bode në PD, u zgjodh Arben Ristani me 101 vota. Kjo ishte një ndër garat më të forta brenda forcës më të madhe opozitare si nga rezultati, pasi vetëm 16 vota më pak nga fituesi mori i dyti në garë Enkelejd Alibeaj, por edhe nga figurat me peshë të tre kandidatëve që ishin vënë përballë. Menjëherë pasi u bë i ditur rezultatit për Postin e Sekretarit të Përgjithshëm, kreu i PD, Lulzim Basha komentoi në rrjetin social, duke e cilësuar këtë garë, tepër të fortë, por edhe të bukur. Sipas tij, procesi i votimit ishte transparent dhe demokratik. “Garë e fortë dhe e bukur mes tre kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Të tre personalitete me kontribute dhe vlera unike për demokratët dhe të gjithë vendin. Urimet e mija të përzemërta Arben Ristanit, Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Partisë Demokratike! Urime edhe Enkelejd Alibeajt dhe Eduard Selamit për performancën dinjitoze!Proces transparent dhe festë demokracie”, shkruante Basha në  reagimin e tij në FB, i cili mori edhe pëlqimin e kandidatit të dytë në garë Enkelejd Alibeaj. Ndërkaq fituesi Ristani në prononcimin e parë pas zgjedhjes deklaroi se kjo ishte një garë e lirë mes njerëzve me kontribute dhe figura të çmuara të PD-së.   “Falenderim i madh për ata që më votuan, por një falenderim i veçante për zotin Berisha që më bëri pjesë të politikës të Partisë Demokratike dhe për zotin Basha që më bëri pjesë të garës për një post kaq të rëndësishëm”- tha Ristani, sekretari i ri i Përgjithshem i PD-së.

 

Nënkryetarët dhe Kryesia

Ndërkaq në nisje të mbledhjes së Këshillit Kombëtarë, kryedemokrati Basha pasi shpjegoi mënyrën se si do të procedojë me zgjedhjen e strukturave drejtuese të partisë, hodhi në votëbesim kryesinë e grupit parlamentar si edhe emrat e Edi Palokës dhe Edmond Spahos për postin  e nënkryetarit të PD-së.  Si kreu i grupit parlamentar demokrat ashtu edhe nënkryetari i Kuvendit u votëbesuan në mënyrë unanime nga ana e anëtarëve të Këshillit Kombëtare në formë të hapur. Me zgjedhjen e nënkryetarëve të partisë, kryesisë dhe Sekretarit të Përgjithshëm PD tashmë do të ketë ekipin e ri drejtues të saj, përmes së cilit sipas Bashës, së bashku me të gjitha strukturat e partisë, do të synohet ringritja e partisë, hapja e mëtejshme e saj dhe fitorja e betejave elektorale përballë mazhorancës së majtë.

 

Rezultati për Sekretar të Përgjithshëm

Arben Ristani- 101 vota

Enkelejd Alibeaj-  85 vota

Eduart Selami – 76 vota

 

 

Share it :