Debati në Kuvend për buxhetin/ Përplasja e rrallë, Mbrojtja 15 mln USD më pak, deputetët kërkojnë shtesë, Ministria refuzon

Gëzim Saliu

 Rama: Si do përmbushni direktivën e NATO-s për shtesë buxheti, kur keni ulje me 20 mln USD nga vjet? Sekretari i Ministrisë: Kemi ekonomizuar shpenzimet me helikopterët

 komisioni i siguriseDeputetët e Komisionit të Sigurisë janë përballur dje ndoshta për të parën herë në aktivitetin e tyre parlamentar me refuzimin e një ministrie për shtesë fondesh në buxhetin që i është akorduar nga qeveria. Në diskutimin e djeshëm nen për nen të projektbuxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, këmbëngulja e deputetit të LSI-së, Luan Rama, për të shtuar buxhetin e kësaj Ministrie, me synim arritjen e të paktën e së njëjtës shifër të një vit më parë, ka hasur në refuzimin e sekretarit të Përgjithshëm Arjan Kraja. Sipas këtij të fundit, buxheti për këtë Ministri ka qenë më i madh, për shkak të borxheve që ka pas Mbrojtja nën drejtimin e ish-ministrit Imami me blerjen e 5 helikopterëve. Por ky argumentim nuk është “përtypur” aspak nga deputeti i LSI-së, i cili ka nënvizuar se me uljen e buxhetit që pëson Ministria këtë vit, bie ndesh direkt me direktivën e NATO-s.

 

Debati

Pasi sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë në nisje të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë deklaroi se nuk ka asnjë kundërshti lidhur me buxhetin e vendosur nga ana e qeverisë, deputeti i LSI-së, Luan Rama, kërkoi të dinte nëse kjo ulje do të ndikonte tek direktiva e NATO-s për vendet anëtare, të cilat kërkojnë shtime të vazhdueshme të fondeve për Mbrojtjen. “Ka një direktivë të NATO-së të konfirmuar edhe tek takimi i kryetarëve dhe kryeministrave të NATO-s mbajtur para tre muajsh në bazë të të cilit duhet që deri në vitin 2020 vendet anëtarë duhet të kenë një rritjet progresive të buxhetit për mbrojtjen me qëllim që deri në këtë vit të arrijnë në 2% të GDP-së. Trendi zbritës i planifikuar për vitin 2015 në 20 mln dollarë më pak nga viti 2014 shkon në unison me këtë direktivë të NATO-s dhe ai plotëson Shqipëria detyrimet si anëtarë i NATO-s”, – pyeti ai. Në përgjigje të deputetit, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes tha se buxheti aktual ka ulje vetëm, për shkak se ai i vitit të kaluar sipas tij kishte më shumë fonde ëpr shkak të shlyerjes së borxheve që nga koha kur kjo ministri drejtohej nga të djathtët. “Vërtet ka një trend rënie, po buxheti i 2014-ës ka qenë i sforcuar i rritur si efekt i një kontrate për të blerë helikopterë shumërolësh që kanë qenë që në shkurt 2010. Kuptohet që detyrimet financiare kanë thithur deri në masën 90% të gjitha investimet e dhëna për FA ose MM-së. Duke qenë se në vitin 2015 kjo kontratë përfundon, në ndryshim nga vitet e tjera, struktura në fondin e investimeve për FA këtë vit ka një ndryshim të ndjeshëm”, tha Kraja. Por ndaj këtij reagimi, nuk ka munguar replika e deputetit të LSI-së, i cili ka pohuar: “Çështja e këtyre helikopterëve që paska bllokuar të gjitha investimet dhe një gjë që ju nuk e thatë sot, ajo e një batalioni që do e pajisnin me aparatura moderne. Në qoftë se ushtria ka mbetur tek një helikopter dhe tek një batalion special, më lejoni të them që ne nuk kemi bërë asgjë. Synimi është që të paktë ta çojmë e të ndikojmë, në atë vlerë që kishte buxheti i vitit të kaluar. Unë shpresoj që të jetë e vërtetë që një fund të vitit të ardhshëm do kemi një standard më të ngritur të modernizimit të ushtrisë, por më lejoni që pa bërë orakullin të them që do rezultojë e pavërtetë kjo që thatë ju”, – u shpreh Rama. Ndërkohë, NATO ka kërkuar nga vendet anëtare që çdo vit, buxheti i ministrisë së Mbrojtjes të jetë me rritje, për të përafruar infrastrukturën ushtarake shqiptare me atë të avancuar të Aleancës. Megjithatë, anëtarët e Komisionit të Sigurisë nuk kanë miratuar asnjë nga buxhetet e diskutuara dje me tri ministritë, për shkak të mungesës së kuorumit të domosdoshëm për votim, pasi munguan deputetët Arben Ndoka, Armando Prenga, Shkëlqim Selami, Taulant Balla si edhe Aqif Rakipi i PDIU-së.

 

Debati te Komisioni Sigurisë

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Arjan Kraja: MM shprehet se me këtë nivel buxheti ne arrijmë të plotësojmë detyrimet tona kushtetuese që burojnë nga ligji bazë si dhe detyrimet që burojnë nga të qenit anëtarë të NATO-s. Ne nuk kemi vërejtje ose propozime për ndryshime për këtë projektligj të paraqitur.

Luan Rama: Ka një direktivë të NATO-së të konfirmuar edhe takimi i kryetarëve dhe kryeministrave të NATO-s mbajtur para tre muajsh në bazë të të cilit duhet që deri në vitin 2020 vendet anëtarë duhet të kenë një rritjet progresive të buxhetit për mbrojtjen me qëllim që deri në këtë vit të arrijnë në 2% të GDP-së. Trendi zbritës i planifikuar për vitin 2015 në 20 mln dollarë më pak nga viti 2014 shkon në unison me këtë direktivë të NATO-s dhe ai plotëson Shqipëria detyrimet si anëtarë i NATO-s duke planifikuar një buxhet për vitin 2015 me 20 mln dollarë më pak?

Sekretari i Përgjithshëm: Për hir të së vërtetës në samitin e Uellsit u shtrua për diskutim që të gjitha vendet anëtarë te NATO-s të rrisin buxhetin e tyre. Gjithashtu duke qenë se Shqipëria për pjesën e modernizimit deri pak kohësh, nuk kishte asnjë vendimmarrje dhe asnjë veprim, bazuar në realizimin e vitit 2014, Shqipëria filloi ndryshimin e armatimit, lidhur me modernizimin e armatimeve dhe municionit për FA, e cila konkludohet me përfundimin e këtij viti. Vërtet ka një trend rënie, po do përmendja, buxheti i 2014-ës ka qenë i sforcuar i rritur si efekt i një kontrate për të blerë helikopterë të shumërolësh që kanë qenë që në shkurt 2010. Kuptohet që detyrimet financiare ka thithur deri në masën 90% të gjitha investimet e dhëna për FA ose MM-së. Duke qenë se në vitin 2015 kjo kontratë përfundon dhe nuk ka më alokim 100% të fondeve vetëm për këtë kontratë, në ndryshim nga vitet e tjera, struktura në fondin e investimeve për FA këtë vit ka një ndryshim të ndjeshëm. Ka një risi ky buxhet, megjithëse ka një tren rënie, që nuk është 20 mln dollarë por 15 mln dollarë, por i jepet frymëmarrje modernizimit të pajisjeve dhe armatimeve që FA. Ne pretendojmë rreth 10 mln euro për vitin 2015, trendi në pjesën e investimeve do të jetë i njëjtë.

Luan Rama: Z. sekretar i Përgjithshëm, bashkohem me ju vetëm në një konkluzion që ky buxhet ka një risi, dhe kjo risi është trendi zbritës për vitin 2015. Shqetësim që paraqes nuk është personal, në bashkëpunimin me partnerët edhe juve duhet t’iu ketë ardhur ky shqetësim. E dyta, gjatë gjithë kohës të diskutimit të projekt buxhetit dy gjëra mbahen mend, çështja e këtyre helikopterëve që paska bllokuar të gjitha investimet dhe një gjë që ju nuk e thatë sot, ajo e një batalioni që do e pajisnin me aparatura moderne. Në qoftë se ushtria ka mbetur tek një helikopter dhe tek një batalion special, më lejoni të them që ne nuk kemi bërë asgjë. Synimi është që të paktë ta çojmë e të ndikojmë, në atë vlerë që kishte buxheti i vitit të kaluar, sepse 15 apo 20 mln dollarë më pak nuk e përligjin diskutimin se kemi gjetur disa abuzime nga paraardhësi dhe tani për shkak të ekonomizimit kemi nxjerrë ca fonde që ti kursejmë. Unë shpresoj që të jetë e vërtetë që në fund të vitit të ardhshëm do kemi një standard më të ngritur të modernizimit të ushtrisë, por më lejoni që pa bërë orakullin të them që do rezultojë e pavërtetë kjo që thatë ju. Një vit kalon shpejt dhe ne do vijmë prapë në këtë tryezë diskutimi dhe do mbetemi prapë ke ai batalioni dhe ai helikopteri.

Sekretari i Përgjithshëm: Jam dakord me ju dhe…

Luan Rama pa mikrofon: Ne kemi hallin t’ju ndihmojmë si t’jua rrisim pak buxhetin dhe ju thoni mos na jepni se nuk i duam, dhe ky është problemi.

Sekretari i Përgjithshëm: Lidhur me atë që ju thatë se një vit kalon shpejt dhe a do të jetë e mundur që FA të kenë një fytyrë ndryshe në armatim dhe ne pajisje, unë them po.

 

Pasi largohen përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Pirro Lutaj, debat me Luan Ramën

Luan Rama: Ti shkon me 10 apo 20 mln dollarë më pak.

Pirro Lutaj: Luan tani ti diskuton…

Luan Rama: Direktiva e NATO-s është për ta rritur, ti e ul.

Pirro Lutaj: E thamë edhe herën e parë, e thamë edhe në seancë plenare, ky nuk është buxheti që nuk do donim, por e kemi diskutuar.

Luan Rama: Po pikërisht ky është problemi, është e vetmja ministri që vjen me ulje buxheti, të gjitha të tjerat vijnë me ngritje.

 

Mbledhja me dyer të mbyllura/ SHIH kërkon shtesë në fonde, merr 4 milionë

Komisioni i Sigurisë vazhdoi dje mbledhjen me dyer të mbyllura shqyrtimin e buxhetit për Shërbimin Informativ Shtetëror për shkak të informacionit të klasifikuar. Mësohet se në këtë diskutim, deputetët pranuan kërkesën e shërbimeve sekrete për një rritje fondesh prej 4 milionësh, lidhur me kryesimin e një aktiviteti nga ky institucion. Më parë në nisje të mbledhjes,gjatë diskutimit me përfaqësuesit e SHISH nëse mbledhja do të kryhej me dyer të mbyllura ose të hapura, kreu i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho rriti vigjilencën ndaj gazetarëve, duke vëzhguar aktivitetin e tyre në sallë që para se t’i nxirrte jashtë. Edhe pse në një sallë të mbushur me kamera e në kohën kur ende nuk kishte nisur diskutimi me përfaqësuesit e SHISH, Braho “forcoi” linjat e sigurisë së mbledhjes, duke kërkuar nga gazetarët që mos filmohej, edhe pse realisht aty thjesht po shkrepej një foto.

 

 

Share it :