Përplasen qeveria dhe familja Kruja për truallin ku do të ndërtohet xhamia e re
Peleshi: Së shpejti nis ndërtimi. Pronarët: Alibia e ndërtimit si interes publik u shpik nga qeveria
Qeveria shqiptare i hap rrugën ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë dhe Muzeut të Bashkëjetesës. Këtë e bëri të ditur zv.kryeministri Niko Peleshi, sipas të cilit qeveria ka marrë të gjithë përgjegjësitë për të paguar vlerën e plotë të pronës private ku do të ndërtohet Muzeu i Bashkëjetesës. Ndërtimi i xhamisë, sipas Peleshit, është detyrim i gjithë shoqërisë, prandaj qeveria ka marrë përgjegjësinë, për të bërë jo thjesht xhami por një projekt kryesor kulti, që në mënyrë dinjitoze do ketë afër një muze të bashkëjetesës fetare. “Vendimi i dytë prek një çështje që është zvarritur shumë dhe që më në fund merr sot një zgjidhje konkrete. Projektvendimi i miratuar sot i hap rrugë zbatimit të projektit për ndërtimin e Muzeut të Bashkëjetesës. Ky vendim vjen si produkt i një iniciative të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Më konkretisht sot është miratuar në Këshillin e Ministrave shpronësimi për interes publik i pasurisë pronë private që do të përdoret për zbatimin e këtij projekti kaq me rëndësi. Më datë 3.10.2014, KKT ka miratuar lejen zhvillimore për zbatimin e projektit dhe ky vendim zgjidh edhe ngërçin e fundit që pengonte nisjen e punimeve për këtë projekt. Kërkesa për shpronësim është shqyrtuar nga një komision i posaçëm i ngritur me urdhrin e ministrit dhe pas miratimit të saj pronarët e truallit janë njoftuar për shpronësimin dhe shkresa është botuar në Fletoren Zyrtare duke respektuar afatet e ankimimit të subjektit të shpronësuar. Shpronësimi do të bëhet me vlerën e plotë në mbështetje të legjislacionit në fuqi dhe do të përballohet nga Fondi i Shpronësimeve, në llogarinë e veçantë të Ministrisë së Financave pranë Bankës së Shqipërisë. Ky vendim i jep fund odisesë së ndërtimit të Xhamisë së Madhe. Më në fund komuniteti mysliman do të ketë një objekt dinjitoz kulti në kryeqytet, ndërkohë që të gjithë qytetarët, do të përfitojnë një objekt unik siç është Muzeu i Bashkëjetesës Fetare që kremton një nga vlerat më të mëdha të shoqërisë shqiptare”, – deklaroi Peleshi.
Reagimi
Ndërkaq, familja Kruja, në reagimin e saj publik, deklaroi se lajmin e kanë marrë vesh nga mediat. Ata e konsiderojnë vendimin e qeverisë si i paligjshëm. “Një hap të ri në ciklin e veprimeve antiligjore”, – e cilësoi përfaqësuesi ligjor i familjes Kruja, Alban Bala, vendimin e qeverisë për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë. Sipas Balës, me këtë vendim qeveria suprimon gjykatat. “Deklarata e Peleshit zbuloi paligjshmërinë. Leja jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe KMSH nuk e kishte truallin e plotë për ndërtimin e xhamisë. Këshilli Kombëtar i Territorit më 3 tetor mori vendim të paligjshëm. Alibia e ndërtimit si interes publik u shpik nga qeveria”, – është shprehur Bala. “Alibia e ndërtimit të muzeut si interes publik u shpik nga qeveria pas dështimit të saj në arritjen e një marrëveshjeje me palët. Kjo erdhi pas vendimit të saj të rrezuar në Gjykatën Administrative për prishjen e lejes së ndërtimit që KMSH dhe familja Kruja kishin marrë në pranverë 2013. Të dy subjektet kishin nisur atëherë ndërtimin. Me prishjen e lejes qeveria e la xhaminë edhe pa tokë. Sot qeveria vendosi ta vjedhë atë përmes një artifici ligjor, për t’ia dhuruar një bashkësie fetare”, – deklaroi përfaqësuesi ligjor i familjes Kurja.





