Basha në Durrës/ Qytetarët: Na janë 4-fishuar listat e borxheve. Kreu i PD-së: Në 22 nëntor, protesta ekonomike  

Erneta Shevroja

Dje, kreu i opozitës u stacionua në Durrës, qytetarët shprehen për mungesa bazike të jetesës

basha ne durres me baoret Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi dje turin e takimeve me qytetarët e Durrësit, ku në bashkëbisedim me të, ata theksuan se me të ardhurat që i kanë, nuk plotësojnë as nevojat bazë të jetës. “Punë jo, taksat të larta, çmimi i energjisë ngrihet kurse ne s’kemi lekë të hamë bukë sot”, – shprehet një qytetar. “Përpara 23 qershorit dilte nëpër ca dyqane, thoshte kaq, kaq, lista është aq. A e di ky zotni që lista nuk është më aq, por është katërfishuar”, – u shpreh një qytetar. “Ç’të bëj unë me këto tani? Të marr bukë, drita, ujë apo…?!”, – u ankua një qytetar. “Me pa listat nëpër dyqane, ti do thuash, do vësh duart në kokë dhe si puna ime, që unë nuk jam as sakat shyqyr Zotit as shurdh po s’kam ku me shku”. “Si mund të paguaj korrentin unë pa punë, si mund të paguaj ujin pa punë unë?” “Jam vetë i gjashtë, 3 fëmijë kam në shkollë. Kam marrë borxh me çu fëmijët në shkollë e s’kam ku me i marrë. I kam fëmijët edhe pa bukë sot”, – tha një banor. “Të tre çunat në shtëpi, pa punë. Edhe unë, edhe gruaja pa punë. Tashti, 11 veta ku po jetoj unë?” “Tha legalizimi falas. Pse nuk tha letrat janë falas? Kush po i bo për 100 mijë lekë letra, 200 mijë lekë letra?”, – tha një tjetër qytetar. “Mashtroi për shërbimin shëndetësor. S bëri asgjë”, – ankohet një qytetar. “Na ka shtri ratë, na ka vu këmbën në fyt dhe është t’u na marrë shpirtin”, – protestoi një qytetar. Një tjetër banor i tha kreut të PD-së se është detyruar t’i ndërpresë fëmijës shkollën e lartë, për shkak të pamundësisë për të paguar tarifat e dyfishuara në universitete. Fajtore për këtë situatë, sipas kryetarit të Partisë Demokratike, është rritja e taksave. Qeveria nuk ka reflektuar për impaktin e tyre, por ka vendosur t’i rrisë sërish ato”, – deklaroi dje Basha. “E kam një fëmijë në shkollë të lartë, sivjet s’kam mujt me e çu për punë të pagesës. U rritën tarifat e shkollës 160 vjet, 270 mijë sivjet”, – u shpreh një prind.

Ndaj këtyre ankesave kreu i PD-së i ka ftuar qytetarët të protestojnë të shtunën kundër rritjes së taksave. “Nuk ka asnjë arsye tjetër që ekonomia shqiptare të jetë në këtë gjendje, përveç rritjes së taksave dhe pasigurisë juridike që ka krijuar me dhunën dhe arbitraritetin e saj. Tani do t’i rrisë prapë. Çdo kryefamiljari i kërkohet të paguajë 670 mijë lekë në vit më shumë taksa, ndaj protesta e 22 nëntorit ndryshe nga çdo protestë tjetër nuk është protestë politike, është protestë ekonomike”.

 

Protesta e 22 nëntorit, deputetët e PD-së “rikthehen” në bazë

Pas dy mbledhjeve të organizuara në selinë e PD-së, dje deputetët e PD-së janë shpërndarë në zonat e tyre elektorale për të siguruar pjesëmarrje të gjerë në protestën e së shtunës. Burime nga selia blu bënë me dije se deputetët demokratë janë rikthyer në bazë për t’u takuar me krerët e degëve të qyteteve të ndryshme, për t’i kërkuar që t’i ftojnë qytetarët në protestën e paralajmëruar të 22 nëntorit. Ndërkohë, PD është duke ftuar pjesëmarrës në protestë edhe në rrjetet sociale që disponon. Në një fotografi, që është bërë gjatë turit të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në qytete të ndryshme, jepen edhe detajet e protestës së të shtunës. “22 nëntor, ora 12:00, sheshi “Skënderbej”, Protestoj”, – është lajmërimi në rrjetet sociale. Njëkohësisht një thirrje për pjesëmarrje qytetarëve u është drejtuar nëpërmjet një spoti televiziv që ka filluar transmetimin në të gjitha kanalet ditën e hënë.

 

Share it :