Vendimi/ Mashtronin qytetarët me lejet e qarkullimit rrugor, 21 muaj burg sekserëve

Alma Çuka

U premtonin qytetarëve marrjen e lejes së qarkullimit në këmbim të ryshfetit,  shfrytëzonin njohjet me zyrtarët e lartë në Ministrinë e Transportit

gjyqGjykata e Tiranës deklaroi fajtor dhe dënoi me 21 muaj burg dy shtetas për akuzën e “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ilia Ahmeti dhe Astrit Hima u dënuan nga gjykata pasi gjatë hetimit gjyqësor ata u gjetën fajtor për veprën penale të mësipërme. Madje që në seancën e parë, dy të pandehurit shfrytëzuan hapësirat ligjore duke kërkuar gjykim të shkurtuar, me qëllim uljen e masës së dënimit me 1/3. Kështu në përfundim të gjykimit të pandehurit e mësipërm, që veprën penale e kryen në bashkëpunim, do të vuajnë përkëtësisht 8 dhe 6 muaj burg. Edhe pse vepra penale e korrupsionit duhet të ndëshkohet më ashpër, gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, duke i lehtësuar pozitat të pandehurve. Për gjykatën vuajtja e dënimit duhet të kryhet në një nga institucionet e dënimit me siguri të ulët shoqërore dhe ajo fillon nga data 8 shtator e këtij viti, kur dy të pandehurit u arrestuan në flagrancë. Prokuroria kishte kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurve dhe dënimin e  Ilia Ahmetit me 2 vite burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar 1 vit e katër muaj burg, ndërsa për shtetasin Astrit Hima dënimin me 1 vit e 6 muaj burg dhe me gjykim të shkurtuar 1 vit burg. Por mesa duket gjykata është treguar më tolerante në këtë drejtim. Ajo ka ulur dënimin për të pandehurit duke i lënë në burg vetëm për disa muaj.

 

Ngjarja

Prokuroria  e Tiranës, në 2 tetor 2014  kishte dërguar për gjykim  çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Ilia Ahmeti, Astrit Hima  dhe Hajredin Kaja të akuzuar për kryerjen e veprës penale  “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.  Vepra penale për të cilën akuzohen të pandehurit dënohet në maksimum jo më shumë se 7 vjet burgim. Gjatë hetimit rezultoi se ndaj të pandehurve ka bërë kallëzim shtetasja e cila ka qenë e interesuar për tu pajisur me leje drejtimi automjeti. Bashkëshorti i saj ka kontaktuar  me shtetasin Ilia Ahmeti,  i cili i është prezantuar si pronari i autoshkollës “Igli”. Ky i fundit i ka thënë që pagesa për regjistrim është 35.000 lekë,  dhe të mos bëhesh pishman pasi ata kishin njohje me anëtarë të komisionit të DRRSHTRR Tiranë, të cilët kundrejt ndonjë shume lekësh bënin dhe shpalljen e tyre fitues. Kundrejt vlerës 60.000 lekë të reja secili gjërat ishin në rregull duke përfshirë dhe shumën që duhej për anëtarët e komisionit të DRRSHTRR Tiranë. Shtetasi Ilia Ahmeti në një fletë me shkrim dore i  ka dhënë kallëzueses dokumentet që do përgatiteshin për regjistrim. Pas kallëzimit, prokuroria ka marrë nga gjykata edhe lejen për përgjimin e fshethtë, fotografimin filmik ose me video për shtetasit të cilët u dënuan. Më datë 03.07.2014,  kallëzuesja Fatbardha Neli i ka dhënë shtetasit Ilia Ahmeti shumën  prej 70 000 lekë, kundrejt një mandat arkëtimi i plotësuar nga ai vetë. Me date 18.08.2014 kallzuesit Fatbardha  dhe Dorjan e kishin lënë me shtetasin Ilia Ahmeti  të hynin në provimin e teorisë por gjatë rrugës për tek DRRSHTRR Tiranë, ata i ka marrë në telefon Ilia,  i cili i ka thënë që të ktheheshin  pasi komisioneri me të cilin ai kishte folur më parë për çështjen e tyre nuk ishte në punë sepse kishte një rast vdekjeje. Kallëzuesja vazhdonte të jepte para. Më datë 08.09.2014  Fatbardha Neli, Dorjan Gjata janë takuar  me Ilian  në oborrin e DRRSHTRR Tiranë dhe më pas janë drejtuar  për tek mjeti tip Benz me targë TR 2029 K ku brenda saj ishte shtetasi Astrit Hima. Kallëzuesja  Fatbardha i ka  dhënë personit nën hetim Astrit Hima  shumën prej 40.000 lekë të reja . Shtetasi Astrit Hima ka dalë  nga makina me dosje në duar dhe është  futur  në klasën ku zhvillohej provimi i teorisë për marrjen e lejeve për drejtim automjeti. Kur Astriti ka dalë  nga klasa, është bërë  kapja e tij në flagrancë dhe është  ushtruar  kontroll në ambientet e klasës së teorisë. Gjatë kontrollit është konstatuar se  sipër tavolinës në të djathtë të derës ishin dosjet e shtetasve Fatbardha Neli dhe Dorjan Gjata ku brenda tyre ndodheshin nga 20.000 lekë të reja në secilën dosje. Më pas u bë kontrolli personal i dy komisionerëve nga ku rezultoi se ato nuk kishin në xhepa lekët të cilat ishin përdorur nga kallëzuesja  Fatbardha Neli për simulimin. Nga kontrolli i ushtruar  shtetasit Astrit Hima iu gjeten 8 kartëmonedha 5000 (pesëmijë) lekëshe të cilat ishin dhënë nga organi i prokurorisë  për simulimin e aktit korruptiv. Më pas është berë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasit Ilia Ahmeti.

 

Kukës/ Aksident në aksin Kukës-Morinë, humb jetën një 42 vjeçar

Një aksident ka ndodhur pasditen e djeshme  në aksin Kukës – Morinë, si pasojë e të cilit ka humbur jetën 42-vjeçari,  Vasil Lleshi nga Fani i Mirditës.  Burimet nga vendngjarja bëjnë të ditur se nga aksidenti i shkaktuar nga dalja e makinës jashtë rrugës, ka dhe një të plagosur, që ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Makina me të cilën udhëtonin viktima së bashku me të plagosurin është me targa AA 045 DZ. Policia e Kukësit bënë me dije se aksidenti ndodhi  në afërsi të Gostilit, ku forca të shumta policia kanë shkuar për të zbuluar shkaqet. Nga të dhënat e para raportohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e madhe me të cilën po udhëtonte drejtuesi i mjetit dhe rruga e lagësht.

 

Vlorë/ Arrestohet shtetasi egjiptian, vidhte energjinë elektrike

Policia e Vlorës arrestoi një shtetas egjiptian që ushtronte aktivitet biznesi në këtë qytet, i dyshuar për vjedhjen e energjisë elektrike. Mësohet se Tamer Abdi Fattaha Mursi, 42 vjeç, banues në Vlorë, me shtetësi egjiptiane, u arrestua në kushtet e flagrancës për shkak se gjatë kontrollit të sistemit të furnizimit me energji elektrike të fabrikës së prodhimit të çorapeve pronë e tij, rezultoi se kishte ndërhyrë në aparatin matës. Dy ditë më parë, u arrestua në kushtet e flagrancës me të njëjtën akuzë edhe 52 vjeçari, Xhevair Xhelili, 52 vjeç, banues në fshatin Dukat, për shkak se kishte kryer një lidhje të paligjshme për të furnizuar me energji elektrike banesën e vet. Gjatë ditëve të fundit, grupet e OSHEE të mbështetura nga struktura të policisë, kanë intensifikuar punën për të evidentuar rastet e vjedhjes së energjisë elektrike.

Share it :