Kodi rrugor/ Hyn në fuqi patenta me pikë, rrëzohet detyrimi për fikëset e zjarrit në makina

Ervin Kaduku

polic ne trafik ne tiraneMinistri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, bëri të ditur se menjëherë pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Rrugor do të fillojë të zbatohet sistemi i pikëzimit të patentave. “Menjëherë bëhet automatike aplikimi i sistemit të pikëve për patentat, që do të thotë me miratimin e këtyre amendimeve, fillojmë menjëherë sistemin e aplikimit të pikëzimit”, – tha Haxhinasto, gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarive prodhuese të Kuvendit.

Patenta, sipas tij, do të ketë në total 20 pikë, sipas sistemit italian dhe me vendim të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar se sa pikë hiqen për çdo shkelje. Kur pikët e mbetura shkojnë në zero, drejtuesve u hiqet patenta.

Të dhënave zyrtare tregojnë se mbi 60 për qind e aksidenteve në Shqipëri ndodhin për shkak të gabimeve njerëzore. Në kodin e ri, Qeveria ka parashikuar ashpërsimin e masave ndëshkuese, veçanërisht rritjen e fortë të gjobave, çka ka hapur një debat të fortë edhe politik. Por ministri i Transportit tha se këto masa nuk kanë asnjë qëllim tjetër vetëm mbrojtjen e jetës së vetë qytetarëve. “Të reduktosh numrin e vdekjeve, të themi 35 raste t’i reduktosh ato në vit, besoj që duhet ta shohim në këtë këndvështrim, kemi shpëtuar 35 jetë dhe kjo është shumë e rëndësishme për misionin që kemi”, – tha Haxhinasto.

Në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, kreu i Transporteve bëri të ditur se përmes Kodit të ri mbrohen edhe rrugët nga shkatërrimi, ndërkohë që deklaroi se paketa e ndërhyrjeve përfshin edhe disiplinimin e pikave të karburanteve.

 

Fikset

Dje, drejtuesit e Policisë Rrugore sqaruan se në treg po bëhen spekulime nga tregtarët, për të shitur objekte që nuk janë të domosdoshme në makina. Kështu, bombola e fikjes së zjarrit kërkohet vetëm për mjetet që transportojnë lëndë shpërthyese dhe jo për të gjitha mjetet. Lajmi bëhet i ditur nga Agron Mema, kreu i Sigurisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve motorike të mos bien pre e spekulimeve të biznesmenëve të cilët kërkojnë të shesin bombola për fikjen e zjarrit edhe atëherë kur nuk është e nevojshme.

Sipas tij, në Nenin 72 i Kodit Rrugor nuk përmendet në asnjë shkronjë dhe gërmë të tij bombola e fikjes së zjarrit për mjetet e vogla. “Në nenin 72, pika 3 saktësohet se automjeti duhet të ketë sinjalistikë të lëvizshme e cila do ndihmojë drejtuesit e mjeteve në rastet kur mjeti rezulton i pamundur për të lëvizur dhe kjo sinjalistikë vendoset disa metra larg makinës për t’i sinjalizuar mjeteve të tjera që lëvizin në atë aks rrugor të jenë të kujdesshëm”, – sqaroi Mema.

Ai thekson se bombola e fikjes së zjarrit nuk kërkohet për të gjitha llojet e mjeteve, por vetëm për ato mjete të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë si pasojë e ngarkesave që ato transportojnë.

 

Kutia

Ndërkohë, sipas tij, “në shkronjën d, të pikës tre të nenit 72, sqarohet se në çdo automjet duhet të jetë kutia e ndihmës së shpejtë, përdorimi i të cilës mësohet nga drejtuesi i mjetit gjatë kursit të kryqit të kuq, kurs ky i detyruar për personat që dëshirojnë të pajisen me leje drejtimi”. Pajisjet e kësaj kutie, sqarohet në ligj, janë ato pajisje (gërshërë, fasha, jod etj.), të cilat janë miratuar sipas një dakordësie mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kryqit të Kuq”.

 

Rritet ndjeshëm deficiti tregtar në shtator

INSTAT ka njoftuar se deficiti tregtar i këtij muaji është 26 mld lekë, duke shënuar një rritje me 25,2% krahasuar me shtator 2013. Në muajin shtator 2014 eksportet e mallrave arritën vlerën 21 mld lekë, duke u ulur me 0,4% në krahasim me Shtator 2013 dhe duke u rritur me 14,5% në krahasim me gusht 2014.

Rënie më të madhe vjetore ka patur në eksportet e grupeve: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 34,5% dhe “Lëkurët dhe artikujt prej tyre” me 7,7%. Rritje më të madhe vjetore patën eksportet e grupeve “Tekstile dhe këpucë” me 27,5% dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 25,3%.

Në muajin Shtator 2014 importet e mallrave arritën vlerën 47 mld lekë, duke u rritur me 12,2% në krahasim me shtator 2013 dhe me 6,0% në krahasim me gusht 2014. Rritje më të madhe vjetore ka pasur në importet e grupeve: “Tekstile dhe këpucë” me 28,0%, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 25,8% dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 23,4%. Rënie më të madhe vjetore pati në importet e grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 4,7%.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 26 mld lekë, duke shënuar një rritje me 25,2% krahasuar me shtator 2013 dhe duke shënuar një rënie me 0,1% në krahasim me gusht 2014. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 64,8% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,8%), Greqia (7,2%), Turqia (7.2%) dhe Kina (6,1%).

Share it :