Vrasje në Shkodër/ Tregtari nuk e paguan, 20-vjeçari i zbraz dy karikatorë me fishekë

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e njohur si ish-SMT-ja, pikërisht në tregun e shumicës të fruta-perimeve në Dobraç të Shkodrës, polica arreston autorin e dyshuar

Ilir Hoxha DEDE XHAKAJ VENDI I NGJARJES VRASJANjë vrasje me armë zjarri e ndodhur dje në mëngjes ka tronditur qytetin e Shkodrës. Një person është qëlluar për vdekje rreth orës 08:00. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e njohur si ish-SMT-ja, pikërisht në tregun e shumicës të fruta-perimeve në Dobraç të Shkodrës.

Viktima Dedë Xhakaj, 50 vjeç, nga Shkreli i Malësisë se Madhe, u godit disa herë me pistoletë dhe mbeti i vdekur në vend. Pak minuta pas ngjarjes policia e Shkodrës ka mundur të identifikojë dhe të vërë në pranga autorin e vrasjes dhe ka sekuestruar armën e krimit. Burime nga policia lokale bënë të ditur se autori është Ilir Hoxha. Paraprakisht, flitet për një krim të çastit pas një konflikti për para borxh. Ilir Hoxha ka debatuar ashpër me Dedë Xhakajn dhe i ka kërkuar atij një shumë lekësh që i pretendonte të tijat. Më pas ai nxori pistoletën dhe qëlloi mbi punëdhënësin e tij.

 

Ngjarja

Rreth orës 08:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, 20-vjeçari Ilir Hoxha i ishte drejtuar dyqanit të ish-pronarit të tij, pranë tregut të shumicës në Dobraç, duke i kërkuar paratë që ai pretendonte se i kishte borxh, pas pushimit nga puna. Sipas dëshmitarëve, tregtare dhe qytetarë të cilët ishin të shumtë në momentin e krimit, 50-vjeçari u ndesh në treg me Ilir Hoxhën dhe nisën të debatonin me njëri-tjetrin. Nga ana e tij, viktima Dedë Xhakaj e ka mohuar një fakt të tillë përballë të riut, duke i thënë se nuk i kishte asnjë qindarkë borxh dhe se mes tyre ishte likuiduar çdo gjë. Në debat e sipër acarimi i situatës ka arritur deri në fyerje të rënda, aq sa 20-vjeçari nuk ka vonuar të nxjerrë pistoletën, duke qëlluar 50-vjeçarin dhe duke e lënë të vdekur në vend. Forca të shumta policie të cilat mbërritën në vendngjarje nisën hetimet, ndërsa nga marrja e dëshmive u bë i mundur edhe identifikimi i autorit. Polica e qytetit të Shkodrës arrestoi autorin e dyshuar, Ilir Hoxha, në banesën e tij, i cili deklaroi si motiv të krimit, faktin që 50-vjeçari e kishte “ofenduar rëndë në sy të të gjithëve”. Mësohet se i dyshuari nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave të policisë.

 

Motivi

Policia e Shkodrës, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, nisi hetimet, ku pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve në vendngjarje, nisi krehjen e zonës, ndërsa disa minuta më vonë u prangos edhe autori i dyshuar, 20-vjeçari Ilir Hoxha. Nga hetimet e para, mësohet se motivi i ngjarjes mes viktimës dhe autorit ka ardhur pasi 20-vjeçari Ilir Hoxha ka qenë punëtor te pika e tregtimit të Dedë Xhakaj, por ky i fundit e kishte pushuar nga puna. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se viktima dhe autori kishin punuar së bashku, ndërsa 50-vjeçari e kishte ndërprerë punën me Ilir Hoxhën. Jo vetëm kaq, por mësohet se Xhakaj i kishte mbetur Hoxhës një sasi parash, teksa pas kësaj kishin nisur edhe konfliktet verbale më njëri-tjetrin. Dedë Xhakaj dhe Ilir Hoxha debatonin njëri me tjetrin sa herë që takoheshin, ndërsa mëngjesin e së dielës debati degjeneroi deri në sharje, çka bëri që 20-vjeçari të nxirrte pistoletën “TT” dhe të qëllonte me dy karikatorë ndaj 50-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Materialet për këtë ngjarje i kalojnë prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

 

 Tiranë/ Rrëshqet me motor, aksidentohet për vdekje shkodrani në Kamëz

Një aksident me vdekje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në rrethrrotullimin e Kamzës. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Dyshohet se shkak i aksidentit është bërë humbja e drejtimit të mjetit nga ana e viktimës. Si pasojë e humbjes së kontrollit të motorit, ka mbetur i vdekur 35-vjeçari me iniciale I. R. Sipas policisë, 35-vjeçari ishte nga qyteti i Shkodrës dhe po kthehej dje në mëngjes për në qytetin e lindjes. Motori, me targa italiane, ishte 125 cc dhe drejtuesi i mjetit mund të këtë rrëshqitur si rezultat i kushteve atmosferike. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe është duke hetuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve që kanë çuar në këtë aksident.

 

 Lezhë/ Fugoni i mallrave përplas veturën, plagosen tre persona

Një fugon mallrash është përplasur më një autoveturë në segmentin rrugor Lezhë – Kurbin, në afërsi të Shënkollit. Nga hetime paraprake, mësohet se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur tre persona, të cilët janë dërguar në spitalin e Lezhës, ku ndodhen nën kujdesin intensiv të bluzave te bardha. Ende nuk dihen shkaqet këtij aksidenti, teksa policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.

Share it :