Ndërhyjnë forcat speciale/ Alket Rizai, sherr në burg, sulmon dhe plagos me thikë një shqiptar

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë në Greqi ka nisur hetimet për zbardhjen e motiveve të ngjarjes së rëndë

Alket Rizai 1Alket Rizai, i burgosuri shqiptar, i njohur për arratisjet e famshme të tij nga burgjet greke, është bërë pjesë e një tjetër ngjarjeje. Mediat greke shkruajnë se ai ka plagosur me thikë një të dënuar shqiptar në burgun e Dhomokos në Greqi. Sipas medieve, Rizai dhe dy të burgosur të tjerë, në orët e vona të së shtunës, plagosen me thikë në këmbë, një shqiptar tjetër të dënuar në burgun e Dhomokos.

 

Plagosja

Alket Rizai, shqiptari që vuan dënimin në burgun grek, është përfshirë në një rrahje të përgjakshme që ka ndodhur në mesditën e së shtunës në burgun Domokos. Sipas medieve greke, i dënuari me burgim të përjetshëm dhe të burgosur të tjerë plagosën me thikë një të burgosur 39-vjeçar, shtetas shqiptar. Mësohet se Alket Rizai ka sulmuar në ambientet e përbashkëta të burgut bashkatdhetarin e tij dhe më pas janë përfshirë në sherr edhe të burgosur të tjerë. E gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat. Ministria greke e Drejtësisë ka hapur një hetim në lidhje me ngjarjen në fjalë.

 

Hetimet

Mediet greke bëjnë të ditur gjithashtu se i burgosuri i plagosur fillimisht u dërgua në qendrën shëndetësore të burgut dhe më pas në spitalin e Lamias, ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Situata e tensionuar është qetësuar pas ndërhyrjes se forcave speciale. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë në Greqi ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë. Shqiptari Alket Rizai është i njohur për dy arratisje nga burgjet greke, ndërsa një herë tjetër, ka mbajtur peng për rreth 24 orë tre gardianë në burgun e Malandrinos nën kërcënimin se kishte eksploziv.

 

 Alket Rizai, i dënuar me burg përjetë, protagonist i tri tentativave arratisje

Alket Rizai është rreth 40 vjeç, nga Ballshi, i biri i Donikës dhe i Ramizit. Prej vitesh në Greqi, Alket Rizai vuan dënimin për vrasjen e një qytetari grek, sipërmarrësin Thanasi Koropiotis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Oksana. Mesditën e datës 4 qershor 2006, një helikopter ulet mbi burgun e Koridalosit në Greqi. Personat që gjenden në të hapin zjarr mbi gardianët, duke i çorientuar, ndërkohë që Rizai e Paleokostas ngjiten në mjetin fluturues e largohen pa asnjë shqetësim. Rreth tre vite më vonë, shqiptari nga Ballshi dhe miku i tij grek u arratisën sërish në të njëjtën mënyrë. Me ndihmën e një helikopteri, ata u larguan nga burgu i sigurisë së lartë në Gramatiko. Alket Rizai u prangos sërish më 16 nëntor 2009. Ndërsa në datën 17 mars 2013, Alket Rizai ka tentuar të arratiset nga burgu me ndihmën e dy të burgosurve të tjerë edhe duke marrë peng 4 oficerë policie. Ai u dorëzua pas rreth 24 orëve.

 

 Kakavijë/ Ndalohen 32 klandestinë, vinin nga Siria e Iraku

Disa klandestinë mes së cilëve gra e fëmijë janë ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës.

Burime të policisë së Qarkut të Gjirokastrës saktësuan se kanë qenë 32 klandestinë, ata kanë tentuar të kalojnë në mënyrë të jashtëligjshme kufirin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë.

Sipas burimeve bëhet e ditur se klandestinët vinin nga Siria e Iraku. Ata kishin mundur ta kalonin pikën e kalimit kufitar duke u ndaluar në kufirin e Gjelbër me Greqinë

 

 Qeveria 80 milionë lekë, borxh efektivëve të policisë/ Policët, dy vjet pa marrë paratë e orëve shtesë të shërbimeve dhe shpërblimeve

Efektivët e Policisë së Shtetit prej rreth dy vitesh nuk kanë marrë paratë që u takojnë për orët shtesë, si dhe për shërbimet suplementare. Burime nga radhët e policisë sqarojnë se prej dhjetorit të vitit 2012, punonjësit e policisë nuk kanë marrë kuotën shtesë që u takon pas orëve shtesë që kanë kryer. Situata paraqitet e njëjtë për të gjithë efektivët, në të gjitha komisariatet e policisë në të gjithë vendin. Problemi i cili është trashëguar nga e kaluara, duket se ende nuk ka marrë një zgjidhje dhe efektivët e policisë janë të detyruar që të punojnë pa marrë shumën e parave që u takon pas orëve shtesë që kanë bërë. Kjo nuk është hera e parë që policia shqiptare ndeshet me probleme të tilla, por as hera e parë që efektivët e ngrenë zërin e tyre për këtë çështje. Një tjetër problem që ka ngelur pa u zgjidhur është edhe ai i mosmarrjes së kësteve që u janë premtuar efektivëve për shërbimet suplementare. Ky problem është trashëguar që nga viti i kaluar dhe ende në shumë raste punonjësit e uniformave blu nuk kanë marrë shpërblimin që u është premtuar. Në një nga daljet e tij mediatike, kreu i Policisë së Shtetit, teksa po analizonte situatën e policisë shqiptare theksoi se shteti u ka borxh efektivëve të policisë rreth 80 milionë lekë të reja. Por, ky nuk është problemi i vetëm me të cilin policia shqiptare ndeshet çdo ditë. Prej kohësh uniformat blu punojnë në kushte shumë të vështira, në shumë raste pa pasur as mjetet e nevojshme për kryerjen e punës së tyre.

 

Share it :